• Kreu
  • Uji
  • KFW dhe Fondi i Zhvillimit, investim për furnizimin me ujë të Jonufrës, Radhimës, Tragjasit dhe Dukatit

KFW dhe Fondi i Zhvillimit, investim për furnizimin me ujë të Jonufrës, Radhimës, Tragjasit dhe Dukatit

Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, Dorian Xhelili ishte në zonën e Llogorasë, ku zhvilloi nje takim me banorët e fshatit Dukat. Një pjesë e kësaj zone ditët e fundit ka patur probleme në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm për shkak të kushteve atmosferike që kanë shkaktuar një problematikë në një nga burimet që furnizon zonën me ujë të pijshëm. Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Vlorë, Dorian Xhelili, siguroi për zgjidhje banoret e Dukatit. Ndërkaq pritet që në këtë zonë të ketë një investim të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Fondit të Zhvillimit, dhe një pjesë të investimit do ta bëjë Bashkia e Vlorës.

Bëhet fjalë për një investim shumë serioz që do të konsistojë në furnizimin me ujë 24 orë per Jonufrën, Radhimën, Tragjasin dhe Dukatin.

“Pas një problematike që kemi hasur në Dukat Fshat jemi këtu për t’i dhënë një zgjidhje këtyre banorëve. Për shkak të situatës së kushteve atmosferike kemi patur një problem në një nga burimet e këtij fshati dhe një pjesë e fshatit të poshtëm ka mbetur pa furnizim. Jemi duke biseduar me banorët për të gjetur një zgjidhje optimale. Pritet që në këtë zonë të ketë një investim të Bankës Gjermane dhe Fondit të Zhvillimit, dhe një pjesë të investimit do ta bëjë Bashkia e Vlorës. Janë përfshirë zonat Jonufër, Radhimë, Tragjas, dhe e gjithë pjesa e Dukatit. Është një investim shumë serioz dhe do të zgjidhet situata e furnizimit me ujë 24 orë. Aktualisht, jemi në fazën e studimit dhe me shumë gjasa rreth muajit maj ose qershor do të nisë zbatimi i projektit”, tha ai.

Print