• Kreu
  • Uji
  • Protesta në Lezhë - Ujësjellësi i ri prish linjën e vjetër dhe e lë jashtë, Grykëzeza pa ujë

Protesta në Lezhë - Ujësjellësi i ri prish linjën e vjetër dhe e lë jashtë, Grykëzeza pa ujë

Dhjetra familje në Grykëzezë të Lezhës nuk furnizohen me ujë të pijshëm prej afro 10 ditësh. Ujësjellësi i ri nuk parashikon lidhjen e tyre në rrjet, ndërsa linja e vjetër është ndërprerë. Për të zgjidhur këtë problem, banorët kanë dalë në protestë para Bashkisë. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Lezhë thotë se këto familje nuk kanë kontrata, por banorët pretendojnë se kanë kërkuar gjithnjë të legalizohen.
Banori: Këta e kanë hequr tubin e Balldrenit fare, se ne kemi qenë me lidhje në tub të Balldrenit. Tani thonë nuk keni kontratë.

Ne faktikisht kontratë nuk kemi pas sepse kemi shkuar ta bëjmë tek Ujësjellësi dhe na thoshte se ai ujë është në administrimin e Komunës. Shkonim tek Komuna, na thonin e keni pasaportizimin me qytetin. Dhe ne kemi mbetur pa kontratë, sot na thonë nuk keni kontratë ju. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi shtetit për kontrata, për çfarë të kërkojë shteti.

Banori: Do të bllokojmë rrugë, do shkojmë tek Ujësjellësi dhe nuk do lëmë të hyjë njeri atje nëse nuk na sjellin ujin. Kam dy fëmijë në shkollë, nuk dëgjon fëmija të shkojë në shkollë pa ujë, pa u larë, pa u ndërruar.

Banorët zhvilluan një takim me nënkryetarin e bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i cili u shpjegoi se duhet të lidhin kontrata me Ujësjellësin, pasi zona në fjalë përfshihet në fazën e dytë të projektit të Ujësjellësit të ri.

Në këto kushte, banorët do të vijojnë të qëndrojnë pa ujë të pijshëm deri në zbatimin e fazës së dytë të projektit të Ujësjellësit.

Print