• Kreu
  • Uji
  • Programi PRO NEWS fillon rrugëtimin e tij me takimin e parë të Komitetit Drejtues

Programi PRO NEWS fillon rrugëtimin e tij me takimin e parë të Komitetit Drejtues

Përmbytjet janë një kërcënim i vazhdueshëm për Shqipërinë dhe paraqesin një rrezik të madh për asetet ekonomike dhe sociale të vendit. Në fillim të shkurtit të vitit 2015, përmbytjet që ndodhën në jug të vendit, dëmtuan 5,975 hektarë tokë dhe prekën më shumë se 600 familje. Sipas vlerësimit të nevojave pas katastrofës, ndikimi i përmbytjeve nuk bazohet vetëm te kushtet ekstreme meteorologjike, por edhe në zbatimin e duhur të politikave të integruara dhe të koordinuara për menaxhimin e rrezikut, të cilat duhet të përfshijnë paralajmërimin e hershëm, gatishmërinë dhe masat e parandalimit.

Në këtë drejtim, Programi i ri për Përmirësimin e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe parandalimin e përmbytjeve në Shqipëri (PRO NEWS), i financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, synon të rrisë aftësitë përshtatëse ndaj përmbytjeve, duke forcuar Sistemin Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm të Shqipërisë dhe duke përmirësuar parandalimin e katastrofës në përputhje me Praktikat e Mira të Bashkimit Evropian.

Takimi i parë i Komitetit Drejtues, i mbajtur në datat 10-11 prill 2017, shënoi fillimin e Programit PRO NEWS. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi dhe diskutimi i mëtejshëm i planit të punës dhe i aktiviteteve që do të kryhen gjatë zbatimit të Programit.

Ky takim, i organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe i bashkë-kryesuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, mblodhi së bashku aktorët kryesorë kombëtarë të sektorit, si Instituti i Gjeoshkencave, Ujit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Sekretariati Teknik i Këshillit të Ujërave, Autoriteti Shtetëror i Informacionit Gjeo-hapësinor, autoritete të tjera përgjegjëse për parandalimin e përmbytjeve në vend, partnerë të Konsorciumit përgjegjës për zbatimin e programit, si dhe organizata ndërkombëtare.

Konsorciumi zbatues, që përfshin Mbrojtjen Civile Italiane si koordinator i programit, Shërbimin Meteorologjik dhe Hidrologjik të Kroacisë (DHMZ), Fondacionin Kërkimor CIMA, Qendrën Evropiane për Parashikimin e Motit afat-mesëm (ECMWF), Qendrën Rajonale të Mjedisit (REC) dhe Organizatën Botërore të Meteorologjisë (WMO), prezantoi komponentët e programit dhe planin e detajuar të punës për fazën e parë të zbatimit të tij.

Programi PRO NEWS është i orientuar në Përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për paralajmërimin e hershëm, menaxhimin e përmbytjeve, mbrojtjen civile dhe planifikimin e emergjencës; në Zhvillimin e hartave të zonave të rrezikuara nga përmbytjet në përputhje me dispozitat e Direktivës së BE-së për përmbytjet; në Promovimin e zhvillimit dhe të zbatimit të fushatave ndërgjegjësuese; në Mbështetjen e institucioneve shqiptare në qasjen e tyre në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian dhe në Përmirësimin e paralajmërimit të hershëm nga përmbytjet dhe integrimin në Sistemin Evropian të Ndërgjegjësimit nga Përmbytjet.

Aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve, si seminare teknike, takime këshillimore dhe teknike si dhe trajnime dhe shkëmbim njohurish dhe ekspertësh do të jenë pjesë e këtij programi, duke ndihmuar në arritjen e rezultateve të pritshme. Aktivitetet e projektit do të ndahen me publikun përmes platformave online, njoftimeve në media dhe aktiviteteve me publikun.

Ju mund të ndiqni programin në: www.pronewsprogramme.eu; Facebook: ProNewsAlbania; Twitter: @PronewsAlbania

Print