• Kreu
  • Uji
  • Privatizohet lumi Erzen, “99 vjet kontratë qiraje” për ta kthyer në nyje inertesh

Privatizohet lumi Erzen, “99 vjet kontratë qiraje” për ta kthyer në nyje inertesh

Prej disa kohësh, në fshatin Mullet, lagja e “Bejlereve”, shtrati i Lumit ERZEN vazhdon të mbushet me inerte nga punonjësit e Firmes “XXX”, duke ndryshuar shtratin e lumit në mënyrë të atillë që të mos jetë më i përdorshëm nga asnjë njeri që mund të dojë të ushtrojë peshkimin apo larjen në lumë. Në këtë mënyrë është tjetërsuar duke u përkeqësuar situata e lumit, nga atraktive për plazh apo peshkim, në një objekt të keq për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve në tërësi.

Shtrati i lumit tashmë është kthyer në parkim të gjithfarë lloj mbeturinash, si makina, makineri të ndryshme jashtë funksionit dhe shumëllojshmëri materialesh si kazane mbeturinash etj. Kuptohet që çdo mbeturinë e këtij lloji e vendosur në shtrat lumi ndot tokën dhe për rrjedhojë edhe ujin e lumit, duke dhënë efektin e ndotjes në rrjedhën e tij e deri në det.

Prej disa kohësh në mënyrë arbitrare kjo firmë vendosi “FRONTO GURI”, të lëvizshme, duke e afruar me banesat e duke ndotur me pluhura dhe zhurma gjithë mjedisin: kuptohet që dëmet shëndetësore nuk janë aq të shpejta, por që ndikimi i tyre në shëndetin e banore ishte evident. Shqetësimi është aq i madh edhe për arsye se një proces i tillë pune nuk mund të kryhet në lagje të banuar, e cila është aty prej dhjetëra apo qindra vitesh. Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, në kuptim e zbatim të “Zonave Mbrojtëse Sanitare” aktiviteti “lavazh apo thyerje guri” mund të kryhet në distancë jo më të vogël se 500 metra nga zona e banuar:

Subjekti XXX, ka bërë ndërhyrje në “kanalin ujëmbledhës dhe vaditës” duke e mbuluar dhe bllokuar atë me qëllimin dhe synimin për të krijuar rrugë automjetesh për qëllimet e tij. Ky kanal ka qenë funksional dhe duhet të jetë sepse shërben gjatë gjithë vitit për rrjedhjen e ujërave të shirave për të gjithë zonën, por tashmë edhe për ujërat nga autostrada. Prishja e tij do të shkaktojë përmbytje të zonës së banuar. Njëkohësisht administrata e ish Komunës këtë kanal e kishte përcaktuar edhe për derdhjen e ujërave të përdorura nga shtëpitë ekzistuese apo edhe të reja që janë krijuar në këtë lagje.

Kjo situatë është shumë alarmante, pasi ndërhyrja është bërë në mënyrë të paligjshme dhe pa njoftim të banorëve. Kjo ndërhyrje shumë shpejt do të krijojë shpërthimin e ujërave të përdorura në lagjen e banuar dhe ndotjen e tij.

Në tokën e “blerë” nga Firma XXX, brenda lagjes, kjo firmë e ka tjetërsuar në magazinim të materialeve të ndryshme të ndërtimit, pra nga zonë të banuar e kthen (mendoj edhe pa lejen e administratës) në zonë industriale e magazinimi. Materialet e depozituara brenda lagjes dhe në mes të shtëpive të banimit, krijon shqetësime në ecurinë e kohës për zhvillimin e brejtësve, insekteve apo edhe ndotje tjetër nga zbërthimi i materialeve të ndryshme plastike nga ndikimi i faktorëve klimatike, kuptohet që edhe kjo ndërhyrje nuk është pa ndikimi në shëndetin e banorëve.

Të ndodhur para kësaj situate, u kërkua takim me përfaqësues të Firmës XXX dhe me datë 26 gusht u paraqit përfaqësuesi i saj XX dhe Ing. XX.

Nga ana e tyre pretendohet se gjithë territori/sipërfaqja në shtratin e Lumit Erzen, tashmë e tjetërsuar duke hedhur mbeturina çfarëdolloj, është nën “zotërimin” e tyre. Zotërinjtë paraqesin një leje ndërtimi të dhënë nga Këshilli i Rrethit Tiranë, me nr. 59 prot, datë 19.05.1997 “Nyje inertesh” me një sipërfaqe prej 4900 metra katrorë.

Personat përfaqësues në fjalë prezantojnë që “kanë bërë investime të mëdha në shtratin e lumit”, ndaj dhe kjo tokë e zënë me gjithfarë lloj mbeturinash të ndryshme, apo edhe me materiale ndërtimi, është e tyrja dhe ata janë në proces privatizimi të të gjithë sipërfaqes. Gjithashtu ata shprehin me bindje se sipërfaqja e marrë me lejen e sipërshënuar prej 4900 metra katrorë, është marrë me “kontratë qeraje” për 99 vjet shfrytëzim, (kjo gjë nuk pasqyrohet në Leje).

Në këtë takim me përfaqësuesit e sipërshënuar të Firmës XXX u ra dakord që:

1. Frontoja e gurit të mos funksionojë;
2. Fillimisht të hiqen kazanët e mbeturinave nga zona e banuar;
3. Të merrnin masa për kthimin në gjendjen e mëparshme të Kanalit të Kullimit të ujërave.

Banorët e vjetër të fshatit i kërkuan që të hapin edhe “rrugën e vjetër të këmbësorëve”, tashmë të përdorur nga të gjithë banorët e zonës dhe të bllokuar padrejtësisht nga kjo Firmë, për të cilën “premtuan se do ta hapin”.

Duke qenë se është ndërhyrë në mënyrë shumë “brutale” në shtratin e lumit, duke e kthyer në fushë mbeturinash pa asnjë pamje, por akoma më keq duke qenë dëmtues i shëndetit dhe gjithë mjedisit përreth, paraqitëm disa kërkesa ndaj Njësisë Administrative Petrelë, me administrator z. Sokol Kupi (ende pa asnjë përgjigje). Në kërkesën drejtuar Njësisë Administrative Petrelë, u kërkua:

* Verifikimin nëse Firma XXX lejen e ka të marrë me kontratë shfrytëzimi për 99 vite;
* Largimin e makinerive dhe të gjitha mbeturinave të depozituara, duke e kthyer në zonë banimi dhe jo industriale; 
* Ndalimin e punimeve për tjetërsimin e shtratin të lumit dhe mbase në zbatim të ligjit “kthimin e tij” në gjendjen e mëparshme;
* Moslejimin e privatizimit të kësaj sipërfaqe me qëllim “ngritje zone industriale” në mes të një zone banimi.

Gjithashtu, iu paraqitëm kërkesën që : ‘për rimëkëmbjen mjedisore të zonës së shkatërruar, “dhënien e Lejes” për mbjellje pemësh jo frutore në gjithë shtratin e lumit, e cila do të përmirësojë zonën dhe do të pastrojë ajrin tashmë të ndotur’.

Masakër Mjedisore

Vazhdimisht është folur për ndalimin e shfrytëzimit të zhavorreve të lumenjve, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga qeveritë, ndërkohë gjatë këtyre 27 viteve, vetëm kanë lejuar që firma të ndryshme të shfrytëzojnë deri “në taban” lumenjtë. Kështu është vepruar në shumë lumenj, por ajo që i është bërë Lumit Erzen është një masakër e vërtetë mjedisore. Natyra krijoi shtretër lumenjsh prej qindra mijëra vitesh, duke rrjedhur në qetësinë e tyre dhe pa shkaktuar asnjë dëm në banorët e zonave që jetonin përqark tyre.

Ndërhyrjet “barbare” kanë bërë që të prishen ura, duke shfrytëzuar zhavorret e lumenjve, tokat përqark tyre të prishen e të rrëshqasin, fshatra të tëra të bëhen të pabanuara nga rrëshqitjet e dherave e kodrave (kjo edhe nga prerjet e pemëve) dhe ekosistemet ujore të zhduken. Kjo ndodhi me Gjanicën, me Lumin e Tiranës dhe kështu mund të ndodhë edhe me lumenjtë e tjerë, që mund të kenë të njëjtin “fat”.

Ndërhyrjet po bëhen akoma më të ashpra, kur hedhin dhera e materiale të ndryshme në shtretër të lumenjve, duke “krijuar toka” në shtrat të lumit.

Akoma më keq po ndodh kur në shtrat të lumenjve depozitojnë mbeturina gjithëfarësojesh, si makineri, automjete të prishura, etj, që në vetvete ndikojnë në ekosistemin ujor duke prishur tërësinë e tij dhe duke e bërë atë pa asnjë gjallesë. Shembulli i lumit Gjanicë është shumë domethënës, po kështu ndërhyrja barbare në lumin e Tiranës. Njëlloj po veprohet edhe me Lumin Erzen në gjithë gjatësinë e tij veçanërisht në zonat e banuara. Në këtë pamje do të kërkohen ndërhyrje gjigante për të përmirësuar situatën e shtretërve të lumenjve dhe asnjëherë ato nuk marrin pamjen e duhur. Vetëm nga neglizhenca administrative, dëmet mjedisore dhe shëndetësore janë të pallogaritshme, përpos që edhe shpenzimi ekonomik rëndon përsëri për ndërhyrjet që do të duhet të duhet të bëhen, për të riparuar çfarë është shfrytëzuar në mënyrë barbare.

Tashmë po ndodh edhe ndryshe edhe me keq, kur shtrati i lumit kthehet në zonë industriale, që në mënyrë të dukshme ndot të gjithë rrjedhën e tij, me ndotës të ndryshëm, shumica prej tyre me dëme të pakthyeshme e të pallogaritshme për ekosistemet dhe shëndetin e njeriut. Duhet kuptuar që shëndeti i njeriut dëmtohet dy herë, herën e parë nga zona industriale dhe hera e dytë nga përdorimi i produkteve të detit të ndotura me materiale të ndryshme edhe kancerogjene që vijnë nga ujërat e lumenjve të ndotur.

Ndërhyrjet shpesh herë bëhen pa kompetencë, duke krijuar “argjinatura” në njërën anë të lumit, me qëllimin e krijimit të tokave të reja dhe harrojnë anën tjetër të lumit, e cila do të pësojë gërryerje, duke krijuar mundësinë e rrëshqitjes së dherave, kodrave apo edhe më gjerë.

Qeveria, e cila tashmë ka ndërmarrë shumë nisma të zbukurimit urban, apo edhe që ka ndaluar prerjen e druve dhe ka shtuar në mënyrë të shprehur mbjelljet e tyre, mendoj që është e nevojshme të marri masa drastike për ndalimin e kësaj masakre mjedisore.

1. Do të duhet të ndalohet çdo aktivitet në shtratin e lumenjve.
2. Të largohen të gjitha mjetet apo makineritë që në mënyrë të fshehtë vazhdojnë dhe marrin zhavorret e lumenjve.
3. Të mos lejohet depozitimi i mbeturinave apo edhe dherave në shtrat të lumit.
4. Administratorët vendorë të marrin përgjegjësitë për monitorimin e lumenjve dhe përmirësimin e situatës.

Duke qenë të sigurt që këto vëzhgime që sjellim edhe me foto të pjesshme nuk do të bien në vesh të shurdhët, por qeveria tashmë, e cila është shumë e ndjeshme nga këto veprime, do të dijë të parashikojë ndërhyrjet e duhura, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’i lëmë një “pasuri mjedisore”.

Print