• Kreu
  • Uji
  • 90 ditë kohë për të rregulluar lidhjet dhe për të bërë kontratat me ujësjellësin – Prezantohet reforma në sektorin e ujit të pijshëm

90 ditë kohë për të rregulluar lidhjet dhe për të bërë kontratat me ujësjellësin – Prezantohet reforma në sektorin e ujit të pijshëm

Të gjithë konsumatorët që furnizohen në mënyrë të parregullt me ujë, duke evituar faturimin, do të kenë vetëm 90 ditë kohë për të vetërregulluar situatën dhe për të lidhur kontratat. Vetëm gjatë këtyre tre muajve të parë, prerja e lidhjeve të paligjshme do të jetë pa penalizime. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Kryeministri Rama prezantuan ditën e hënë përpara krerëve të pushtetit vendor reformën në sektorin e ujit të pijshëm.

Sipas Gjiknurit, kjo reformë ka ardhur si një nevojë emergjente për shkak të situatës. Gjiknuri u shpreh se prodhohet më tepër ujë se sa nevojitet, por nga çdo 3 litra vetëm 1 arrin të faturohet.

“Objektiv kryesor është që brenda 2018-ës çdo konsumator të jetë i pajisur me kontratë dhe matës dhe të jetë i ndërgjegjshëm për konsumin e ujit”, u shpreh Gjiknuri.

Ministri sqaroi se kjo reformë do të nisë nga një fazë e parë koordinimi të aksionit, ku do të përfshihen drejtuesit e ujësjellësave. Pas kësaj faze, në muajin shkurt do të nisë kontrolli derë më derë.

“Faza e dytë është ajo e shtrëngimit, e cila do të nisë në shkurt të vitit të ardhshëm. Do të ketë verifikim dhe ndërhyrje derë më derë. Do të ketë ndërprerje dhe penalizime”, tha Gjiknuri.

Për ministrin, pjesë e rëndësishme e këtij procesi është disiplinimi i punonjësve të ujësjellësave, ndërsa rol themelor do të ketë edhe ndërgjegjësimi i bizneseve dhe bashkive. Për të garantuar bashkëpunimin e bashkive të vendit, investimet në këtë fushë për secilën bashki do të vijnë vetëm pas një performancë të mirë të tyre në këtë reformë.

Print