• Kreu
  • Uji
  • A mund të ndalet vërshimi i Vjosës?

A mund të ndalet vërshimi i Vjosës?

Qysh prej vitit 2010, frekuenca e përmbytjeve në zonën e Novoselës është rritur, pothuaj çdo vit uji vërshon me furi nga lumi Vjosë në drejtrim të gjithë shtëpive dhe fshatrave që janë në dy anët e tij, por sidomos ne Fitore, Novoselë dhe Ferras, duke shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e brishtë të kësaj zone. Edhe pse ka patur përpjekje nga pushteti qëndror për të përmirësuar situatën sidomos me realizimin e disa veprave parandaluese në vitin 2015, në fshatin Bishan nga te dy brigjet e lumit, ky investim rezultoi i pamjaftueshëm dhe nuk e përballoi dot furinë e Vjosës.

Githashtu fillimi i pastrimit dhe hapjes së disa kanaleve të bllokuara në zonën e Novoselës, u duk se do t’i jepte zgjidhje përfundimtare fenomenit të përmbytjes në këtë zonë, por entuziazmi i madh i fillimit të punimeve dhe prezenca e 61 fadromave/skrepave të famshëm, dy vjet më parë, u venit shumë shpejt, u harrua, dhe nuk dihet se çfarë ndodhi me ta.

E veçanta e përmbytjeve të këtij viti, pra në fillim Dhjetori 2017, është se pothuaj në unison të gjithë mediat, dhe instancat e pushtetit e stacionet meterologjike, në një koordinim perfekt, paralajmëruan se do ketë një situatë të rënduar meteorologjike, priten pëmbytje, priten stuhi etj etj. Kjo është për t’u përshëndetur, pasi më së paku u jep mundësi shumë instancave të tjera lokale të marrin disa masa paraprakisht. Por çfarë kompetencash kanë shumica e Institucioneve Lokale si Njësitë Administrative, apo Drejtoritë e Bujqësisë, etj. Një nga administratorët e Njësive Administrative të Bashkisë Vlorë, në një bisedë të lirë u shreh se kompetencat tona nuk janë as sa të një brigadieri të sistemit të vjetër. E për pasojë ata s’mund të bëjnë asgjë përveçse t’u gjenden në krah përfaqësuesve me pushtet local e qëndror, gjatë vizitave të famshme që bëjnë këta të fundit, vetëm pasi uji e ka bërë punën e tij.

Por pse ndodhin përmbytjet?

Së pari lumi Vjosë me një gjatësi 270 km, qysh në burimet e para në malet e Pindit në Greqi, është një lum relativisht i rrëmbyeshëm, me shumë prurje në dimër, pasi gjatë rrugëtimit, atij i bashkohen shumë lumenj të vegjë e përrenj si Drino, Shushica, Langarica, lumi i Bënçës etj. Sigurisht që kur intensiteti i reshjeve është i lartë, gjithë lumenjtë e vegjël dhe përrenjtë shkarkojnë në Vjosë dhe kjo bën që sasia e prurjeve të shumëfishohet dhe atëherë në pika të caktuara, ku terreni është i ulët dhe i sheshtë, të rrezikohet dalja nga shtrati i tij. Dy pikat më delikate që lumi Vjosë rrezikohet të dal nga shtrati janë Selenica, në vendin e quajtur Bishti i Malit, dhe Novosela.

Së dyti, duke qenë lum i rrëmbyeshëm në dimër, Vjosa sjell shumë materiale inerte që i depoziton gjatë shtratit të tij duke filluar qysh nga fshati Iliras në Tepelenë, e në vazhdim me Shkozën, Kutën, Selenicën e deri në Novoselë. Këto inerte shfrytëzohen nga biznese private për t’u shndërruar në lëndë ndërtimi, por pa një studim të mirëfilltë, dhe marrja e tyre pa kriter, bën që lumi shpesh të ndryshojë rrjedhën e tij, sa nga njëri krah në tjetrin, duke gërryer tokë bujqësore, si pasojë e fenomenit të errozionit. Mendoj dhe besoj se këto inerte duhen shfrytëzuar pasi mbathja e shtratit të lumit e rrit nivelin e tij sidomos gjatë dimrit, por ato duhen shfrytëzuar, sipas një plani dhe studimi të mirëfilltë, për të mos devijuar rrjedhën natyrore të lumit e për të mos e afruar më tepër rrjedhën me të dy brigjet, pasi kjo do të sillte gërryrjen e tokës në të dy brigjet e lumit. Për të bërë më të thjeshtë këtë gjë, mjafton të shihni se si firmat private ose lavatriçet siç quhen në gjuhën popullore, e marrin zhavorrin ose lëndën inerte të lumit, në anë të tij, pra sa më afër tokës bujqësore ose brigjeve, e për rrjedhojë, kur vërshon uji i lumit në dimër, krijohet një degë lumi aty ku merren inerte, duke rrezikuar errozionin e tokës.

Së treti dëmtimet e shumë veprave të ndërtuara gjatë periudhës totalitare, si kanalet kulluese dhe vaditëse, pritat dhe argjinaturat kanë sjellë një kufizim të sipërfaqes ku mund të përhapet uji i tepërt në momentin e vërshimit dhe daljen e tij nga shtrati natyral e përmbytjen e tokave, e shtëpive apo bizneseve që janë afër shtratit të lumit. Mendoj se kjo pikë është nga më të rëndësishmet dhe që mund të ketë një efekt më të shpejtë në reduktimin e përmbytjeve, pasi rikuperimi i dëmeve në pyje, prita, argjinatura dhe sistemimi i shfrytëzimit të inerteve do të kërkoj kohë, për më tepër që decentralizimi po përparon jashtëzakonisht shumë ngadalë si process, e për rrjedhojë janë të papërcaktuara qartë kompetencat për pyjet, kullotat dhe shfrytëzimin e inerteve të lumenjve.

Sigurisht që ka edhe faktorë të tjerë siç janë prsh, ndërtimi pa kriter në zona të ulëta, mbyllja e kanaleve vaditëse nga vetë banorët e zonave për të përfituar ca sipërfaqe toke më tepër, apo ndërtimi i autostradës Vlorë – Levan pa respektuar rregullat dhe standartet e kërkuara hidrike për qarkullimin e ujit etj, por e rëndësishme tashmë është se si mund të hidhet për diskutim zgjidhja e kësaj çështje dhe nga të fillohet për të sjellë në normalitet këto zona që përmbyten pothuaj çdo vit.

Si mund të reduktohen përmbytjet?

Ato që kanë ndodhur dhe çfarë është bërë, është shumë vështirë të zhbëhet, ndaj duhet analizuar me qetësi dhe paanshëmri çdo detaj dhe duhet vepruar me shumë kujdes duke marrë parasysh si gjetjet dhe analizën shkencore të specialistëve, ashtu edhe mendimin e idetë e komunitetit e sidomos të të moshuarve që kanë ekspiencë e përvojë në situate të ngjashme.

Së pari, duhet të organizohet një process i gjerë konsultimesh me banorët e zonës së Novoselës dhe të Levanit (Ferras) për t’i thënë gjërat ashtu siç janë e për të marrë përsipër secili përgjegjësitë, detyrat por edhe kostot e veta sidomos përsa i përket rindërtimit të kanaleve kulluese dhe vaditëse, prishjes së atyre ndërtimeve që kanë devijuar kanalet etj. Në bashkëpunim me strukturat vendore dhe të moshuarit e zonës, të përcaktohen hartat e kanaleve ekzistues dhe mundësisht të projektohet edhe ndonje kanal me i madh për të amortizuar sasinë e ujit që mund të dal nga shtrati i lumit Vjosë. Sigurisht që kjo kërkon kohë dhe energji, dhe duhet të shoqërohet edhe me prezencën e përfaqësuesve të pushtetit vendor në takime/konsultime. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe fakti se për përfitim politik, flitet e stërflitet për kompensime dëmesh, dëmshpërblime etj, por këtu duhet të kemi shumë kujdes e të fillojmë me edukimin e banorëve se në këtë luftë me përmbytjet, ata kanë partnerë vetëm njëri – tjetrin pasi vetë sistemi është i decentralizuar, sistem i ekonomisë së tregut e për pasojë shteti nuk e njeh përgjegjësinë e kompensimit për katastrofa natyrore, për sa kohë që tregu është I hapur dhe ekzistojnë kompanitë e sigurimit. Është një diskutim më vete edhe kjo pjesë, por që gradualisht duhet filluar pasi është më mirë që gjithsecili ta shohë realitetin në sy e të mos ushqejë iluzione që nuk shkojnë në favor të zgjidhjes afatgjatë të situatës.

Së dyti, duhet që të ketë vërtet një plan nga Shtabi i Emergjencave Civile, një plan funksional e jot ë mblidhet shtabi vetëm 2 ditë para përmbytjeve. Plani duhet të përcaktojë qartë, numrin e familjeve potencialisht të rrezikura, numrin e bagëtive dhe të gjësë së gjallë, mundësitë e evakuimit, pikat e grumbullimit, mjetet e transportit etj etj. Gjithashtu, kryetarët e fshatrave duhet të kenë më shumë kompetenca e të jenë pjesë e emergjencave civile, pasi ata janë më afër me situatën, e mund të shmangin kaosin që krijohet kur çdo gjë përpiqet ta bëjë vetëm titullari i një institucioni apo drejtorie.

Së treti dhe më kryesorja, nevojitet që të rritet presioni nga banorët e zonës ndaj pushtetit vendor dhe qëndror për të bërë të mundur që të forcohen argjinatuar ekzistuese dhe të ngihen të reja sipas një studimi të mirëfilltë që do të përcaktojë qartë nevojat për të sistemuar të dy brigjet e lumit Vjosë në zonën e Novoselës. Banorët e zonës duhet të edukohen me organizmin e komunitetit, të bashkohen e të funksionojnë si një zë i vetëm për t’i drejtuar kërkesat e tyre jo 2 ditë para përmbytjeve, porn ë vazshdimësi, ta ndjekin situatën përgjatë gjithë vitit e të përdorin çdo mjet demokratik të presionit për të arritur maksimumin e sigurisht duke ofruar edhe ata vetë bashkëpunimin me fuqi punëtore e të ardhura në të mirë të përmirësimit të sistemit të kanalizimeve e ndërtimit të argjinaturave.

Print