• Kreu
  • Uji
  • Përgjegjësitë pas përmbytjeve, si lojë e ka kush e ka

Përgjegjësitë pas përmbytjeve, si lojë e ka kush e ka

Në çdo situatë emergjence mes institucioneve qendrore, pushtetit vendor, biznesit, qytetarëve, nis një lojë “e ka kush e ka”. Pas përmbytjeve, teza e secilës palë i adresohet një tjetri për përgjegjësinë, por kurrsesi vetes. “Monitor” përfshiu në këtë debat një sërë aktorësh që ishin “në syrin” e përmbytjes, duke nisur nga Emergjencat Civile tek operatorët e energjisë, bizneset e përmbytura apo bashkitë dhe ministritë. Pavarësisht mendimeve të ndryshme të gjithë bashkohen tek një ide, duhet të punohet më mirë dhe duhet të përfshihen të gjithë.

Në të kundërt, përmbytjet në vjeshtë e dimër apo zjarret në verë, do të kthehen në seriale aksion dhe tek-tuk horror për jetë të rrezikuara, për shkak të papërgjegjshmërisë së shkuar apo detyrës aktuale të marrë mbi shpinë.

Nga Nertila Maho

Ajo që ndodhi më 30 nëntor dhe ditët e para të dhjetorit, u cilësua si emergjencë, angazhoi institucionet për një situatë emergjence, pati episode ku u rrezikuan edhe jetë njerëzish, por në fund nuk u shpall emergjencë. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë shteti do të duhej të angazhonte më shumë fonde, duke ju përgjigjur një më një gjithë pasojave të përmbytjes.

Debatet e këtyre ditëve po rrotullohen rreth tre boshteve: situata është më mirë apo më keq se në 2015, e ka fajin bashkia, qeveria apo moti dhe çfarë duhet të bëhet për të mos e kthyer përmbytjen në një serial që përsëritet çdo vit pak a shumë me të njëjtat përmasa. “Monitor” përzgjodhi disa nga institucionet dhe grupet kyçe në interesit në situatën e emergjencës, duke kërkuar argumentet e tyre për mënyrën sesi u menaxhua situata në raport me 2015, çfarë është bërë më mirë dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë. Për hir të së vërtetës, ashtu siç pati institucione që kanë neglizhuar, pati edhe nga ato që ia dolën më së miri të përballojnë vështirësitë që solli përmbytja.

Prençi: E përballuam më mirë se në 2015, ndikoi lajmërimi në kohë

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha për “Monitor” se në raport me vitin 2015, niveli i ujit ka qenë më i lartë sidomos në zonën e Vlorës dhe Fierit, por fatura financiare do të jetë më e ulët për shkak të paralajmërimit në kohë. “Drejtoria e Emergjencave Civile ka filluar njoftimin e bashkive në datë 26 nëntor, pra faza e paralajmërimit për gjithë strukturat është kryer në kohë. Ndërkohë që ka mbajtur kontakte të vazhdueshme, duke e përsëritur me email tre herë në ditë te bashkitë për të përforcuar dhe për të nxitur fazën e parapërgatitjes për fatkeqësinë e pritshme.

Normalisht është vlerësuar vënia në gatishmëri e strukturave dhe ngritja e komisionit të menaxhimit të emergjencave në nivel qarku. Në raport me 2015-n, niveli i ujërave ka qenë më i madh kurse, fatura financiare mendojmë se do të jetë më e vogël, sepse njerëzit kanë pasur kohë për t’i lëvizur pajisjet dhe orenditë në katet e dyta ose aty ku nuk preken nga uji. Po kështu, kanë bërë evakuimin e bagëtive dhe i kanë çuar në zonën e Fierit. Ajo që është dëmtuar është baza ushqimore e bagëtisë në sanë dhe jonxhë. Ndaj edhe kërkesa imediate është baza ushqimore për bagëtitë”, tha Prençi.

Pse u përmbyt autostrada Tiranë-Durrës, biznesi propozon masterplan

Qafa e Kasharit u kthye në det në mbrëmjen e 30 nëntorit, kur mbetën të bllokuar në ujë me dhjetëra automjete ndërkohë që u kërcënua jeta e atyre që udhëtonin në to. Përtej debatit që lakohet mbi papërgjegjshmërinë e personave që edhe pse të paralajmëruar për kushtet e rënduara të motit vendosën të udhëtonin, kjo nuk i shfajëson aspak fajtorët realë, që sollën përsëritjen e situatës me të njëjtët tregues të 2015-s. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi, thekson se në bisedat e tij me ekspertë të fushës, shkaqet e kësaj situate janë vetëm ndërhyrjet e paligjshme dhe mosndërhyrjet e ligjshme që duhet të ishin bërë në kanalizime.

“Segmenti në Kashar, në afërsi të Mercedez Benz-it, ka problematikat më të mëdha. Ka vetëm një tombino, kur duhet të ketë pesë të tillë për të përballuar fluksin e ujit që mblidhet dhe niveli i rrugës duhet të jetë mbi 1.5 metra i ngritur. Trafik-ndarësja pa ndërprerje nuk ka krijuar mundësi që të kalonte uji nga pjesa perëndimore e kodrave të Kasharit në pjesën verilindore. Ose duhet të kishte më shumë tombino (tubat e kanalizimeve) ose trafik-ndarëse metalike që të qarkullonte uji normalisht, duke bërë që niveli në autostradë të arrinte në 10-15 centimetra por kurrsesi në nivelet që arriti.

I konsultuar me specialistë të fushës, këto janë defektet që hasen tek ky aks”, – shprehet Prençi. Nga ana tjetër, bizneset gjykojnë se kjo nuk është vetëm pjesë e kanalizimeve apo ndërhyrjeve në rrugë dytësore, por edhe efekt i palmave të mbjella përgjatë autostradës, si dhe papërgjegjshmërisë së menaxhimit nga ana e pushtetit vendor. Administratori i Deka-s, Artan Mene, nënvizon nevojën për një masterplan të përgjithshëm në gjithë zonën industriale që të zgjidhë problematikat që hasen, qoftë dhe në rastin e fundit të përmbytjes.

“Për momentin duhet zgjidhja e situatës. Infrastruktura ujore duhet të jetë e aftë të përballojë edhe hapjet e ujëmbledhësve në rast emergjence. Aktualisht, duke filluar që tek palmat deri në Vorë sistemi është i paaftë, i shkatërruar ose nuk ekziston. Duhet një Masterplan për zonën, pasi është zonë industriale dhe punojnë mijëra njerëz. Shteti duhet të vrapojë së pari drejt një projekti me faza për zgjidhje emergjente dhe zgjidhje afatgjatë, duke përfshirë edhe zgjerimin e autostradës, mbikalime dhe nënkalime. Së dyti, për gjetjen e fajtorëve, duke filluar nga vetja, pasi shteti ose pushteti kur ju deshën votat i premtoi të gjitha, edhe pse pa program e pa afate”, – shprehet Mene.

Reforma territoriale, pushteti vendor më mirë apo më keq?

Ashtu siç ndodhi me zjarret e kësaj vere, ku gishti u drejtua tek pushteti vendor, ashtu ka ndodhur edhe me përmbytjet. “Reforma territoriale transferoi disa funksione tek pushteti vendor të cilat më herët ishin të organizuara nën institucione varësie të pushtetit qendror. Por si është menaxhuar situata nga bashkitë. Ministria e Bujqësisë vlerëson se ka pasur investime dhe është menaxhuar më mirë situata. Sistemet e kullimit kanë funksionuar normalisht, çka po mundëson largimin me shpejtësi të ujërave nga sipërfaqja e përmbytur. Sasitë e mëdha të ujit kërkojnë disa ditë që të largohen plotësisht, duke theksuar se aftësia larguese e ujërave nga kanalet kulluese dhe hidrovoret është maksimale.

Pikërisht largimi i shpejtë i ujërave nga tokat bujqësore është rezultat i një pastrimi masiv të kanaleve të parë dhe të dytë kullues me 61 ekskavatorët e bashkive dhe 25 ekskavatorët e Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit, duke mundësuar largimin nga sistemi kullues për një periudhë 3-vjeçare, të rreth 10 milionë m³ dhera, ose gati 50% të akumulimeve të dherave nga mospastrimi rregullisht i këtyre kanaleve për gati 20 vjet.

Nëse para vitit 2016 mund të largonim rreth 2.5 milionë m³ dhera në vit, tani jemi në gjendje të largojmë rreth 8 milionë m³ dhera në vit. Ky proces ka përmirësuar dukshëm treguesit e kullimit në rreth 200 000 hektarë kryesisht në Ultësirën Perëndimore”, – pohon Ministria e Bujqësisë.

Por nuk ndan të njëjtin mendim Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë. Ai vlerëson se përmbytjet treguan se, pavarësisht ndikimit që kanë pasur kushtet e vështira të motit, bashkitë nuk janë forcuar aq shumë sa të përballojnë të tilla situata, dhe kur themi ‘forcuar’, i referohemi pjesës së buxheteve të tyre për funksionet që u transferoi reforma territoriale. “Para reformës territoriale u theksua argumenti se njësitë e vogla nuk kanë kapacitete menaxhuese për të përballuar të tilla situata, ndaj duhet riorganizimi në bashki të mëdha. Tani që i kemi këto bashki të mëdha si po menaxhohen fatkeqësitë dhe situatat emergjente? Kaluam një verë me shumë zjarre dhe po kalojmë një dimër me shumë përmbytje. Pra, së paku, deri tani, argumentet e qeverisë për një menaxhim më të mirë të këtyre situatave rezultuan propagandë. Qeveria duhej të merrte masa të forta për të pasur bashki të forta. Qeveria duhej të buxhetonte mirë pushtetin vendor që bashkitë të buxhetonin menaxhimin e fatkeqësive dhe parandalimin e tyre. Por, a është vetëm çështje parash? Unë mendoj se po, por problem është dhe e gjithë arkitektura shtetërore në këtë sektor të parashikimit, parandalimit dhe përballimit të fatkeqësive natyrore. Pra, e gjithë skema e ndërhyrjeve dhe strategjitë për masat kundër fatkeqësive janë të dobëta”, – shprehet Haxhimali.

Ministria e Bujqësisë: Inspektim mbi çdo lumë por duhet plan shumëpalësh për rritjen e sigurisë

Strategjia në vijim duhet të jetë parandalimi i situatës dhe jo reagimi pas saj. Është ky angazhimi që ka marrë përsipër ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, javën e shkuar në takime të mbajtura në disa nga zonat e prekura nga përmbytjet. Por çfarë ka konstatuar në fakt Ministria e Bujqësisë në terren gjatë këtyre ditëve, a kanë funksionuar siç duhet hidrovorët dhe gjithë infrastruktura e kullimit.

“Nga vlerësimet në terren rezulton se nuk kemi pasur shkatërrime të argjinaturave, por dëmtime të pjesshme (përgjithësisht të vogla) që kanë ardhur si rezultat i kapërdimit të tyre nga uji. Përmbytjet e ndodhura nuk kanë ardhur nga mosfunksionimi i kanaleve kulluese dhe hidrovorëve, të cilët kanë për qëllim largimin e ujërave sipërfaqësorë që krijohen nga reshjet e shiut, por nga vërshimi i sasive të mëdha të ujërave të lumenjve (kryesisht lumi Vjosa) mbi tokat bujqësore nga nivelet e larta të ujit (duke kapërdirë edhe argjinaturat mbrojtëse).

Sistemet e kullimit funksionuan dhe po funksionojnë normalisht çka po mundëson largimin me shpejtësi të ujërave nga sipërfaqja e përmbytur. Sasitë e mëdha të ujit kërkojnë disa ditë që të largohen plotësisht, duke theksuar se aftësia larguese e ujërave nga kanalet kulluese dhe hidrovoret është maksimale”, thekson Ministria e Bujqësisë në një prononcim për “Monitor”. Po kështu vihet në dukje se ka pasur një përqendrim te pastrimi i kanaleve nga ana e bashkive duke hequr tërësisht faturën e përgjegjësisë nga këto njësi dhe duke ia lënë në dorë vetëm intensitetit të lartë të reshjeve.

“Largimi i shpejtë i ujërave nga tokat bujqësore është rezultat i një pastrimi masiv të kanaleve të parë dhe të dytë kullues me 61 ekskavatorët e bashkive dhe 25 ekskavatorët e Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit, duke mundësuar largimin nga sistemi kullues për një periudhë 3-vjeçare, të rreth 10 milionë m³ dhera, ose gati 50% të akumulimeve të dherave nga mospastrimi rregullisht i këtyre kanaleve për gati 20 vjet.

Nëse para vitit 2016 mund të largonim rreth 2.5 milionë m³ dhera në vit, tani jemi në gjendje të largojmë rreth 8 milionë m³ dhera në vit. Ky proces ka përmirësuar dukshëm treguesit e kullimit në rreth 200 000 hektarë, kryesisht në Ultësirën Perëndimore”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Bujqësisë. Një situatë si ajo e përmbytjeve të fillimit të dhjetorit kërkon angazhim të të gjithë aktorëve për të ndjekur një strategji të koordinuar, në mënyrë që në të ardhmen këto situata të minimiziohen. Por fillimisht, duke qenë se jemi ende në mes të sezonit të shirave, kërkohet ndërhyrje emergjente. “Me rënien e nivelit të ujit ka filluar kontrolli në vend i argjinaturave mbrojtëse dhe digave për të parë mundësinë e ndërhyrjeve emergjente dhe post-emergjente. Kryesisht këto inspektime do të kryhen në lumin Vjosë, Shkumbin, Seman, Osum, Devoll, Droje etj. Mbrojtja nga lumenjtë duhet të sensibilizojë të gjithë aktorët, pasi përmbytja i prek të gjithë.

Në këtë kontekst, krahas ndërhyrjeve emergjente riparuese, sepse jemi ende në mesin e stinës me reshje, do të duhet një qëndrim shumëplanësh, ku krahas përmirësimit të sigurisë së mbrojtjes nga përmbytjet, nëpërmjet rehabilitimit apo ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse, do të duhej që për perspektivën, të ndërmerren edhe masa të tjera të çlirimit të disa zonave me risk të lartë nga ndërtimet apo skema sigurimi, pasi përmbytjet nuk mund të përcaktohen saktësisht. Të gjitha aktivitet që ndërmerren janë për të minimizuar rrezikun nga përmbytjet”, – pohohet nga Ministria e Bujqësisë.

Rrugët e dëmtuara, kontratat e performancës japin efekt, “mirëmbajtja” ngrihet në këmbë

Kontratat mbi bazë performancën kanë bërë që këtë herë, kompanitë që merren me mirëmbajtjen e rrugëve, sipas projektit të Bankës Botërore të jenë në gatishmëri për të përballuar situatën. Të paktën këtë raportoi Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në një prononcim për “Monitor”, ARRSH bëri me dije se në kuadër të situatës së emergjencës, drejtoritë rajonale kishin organizuar shtabet e tyre të Emergjencës, si dhe grupet e specialistëve në terren.

“Është bërë raportim në kohë reale nga terreni ka bërë nga mbikëqyrësi i kontratave me performancë, kontraktorët dhe Njësia e Projektit të Bankës Botërore. Në kohën që Jugu përballej me shirat e rrëmbyer, disa akse të Veriut dhe të Juglindjes u përballën me reshjet e borës, si në akset e Tropojës dhe në Dardhë. Kontraktorët kanë bërë pastrimin e tyre dhe shpërndarjen e kripës. Është ndërhyrë në kohë rekord për eliminimin e çdo situate në rrugë të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe rënia e gurëve apo në raste të caktuara nga reshjet e borës. Rrugët janë zhbllokuar brenda pak orësh duke garantuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve”, vlerëson ARRSH. Tashmë, pas kalimit të fazës së parë të emergjencës, nga ARrSh dhe drejtoritë e rajoneve po organizohen grupe pune për inspektimin dhe verifikimin në terren të dëmtimeve të krijuara nga reshjet.

Rrugët me probleme dhe dëmtime

Autostrada Tiranë – Durrës, u bllokua për disa orë 
Aksi Fushë Krujë – Laç, u bllokua nga dalja e ujit mbi rrugë
Aksi Mamurras – Ura e Drojës ku u dëmtua Ura e Drojës
Segmente Qafë Priskë – Shëngjergj, ku ka ndodhur një çedim i trupit të rrugës
Aksi Krujë – Qafë Shtamë, dëmtim të tombinos
Aksi K/Zëmblak – Goricë, ku u dëmtua ura e Zëmblakut
Aksi Ura e Gjadrit – Mnele, ka pati çedim të trupit të rrugës
Aksi Qafa e Dushkut – Kuç, ku ka një rrëshqitje masive
Aksi Ura e Leklit – Këlcyrë, ku pati dy rrëshqitje masive
Problematikat e krijuara nga Liqeni i Viroit, në aksin Tepelenë – Gjirokastër – Kakavijë
Aksi Vlorë – Selenicë, që u bllokua, si rezultat i daljes së Vjosës
Aksi i vjetër Levan – Vlorë, që u bllokua si rezultat i daljes nga shtrati të Vjosës

Shiu e pati edhe një të mirë, KESH fitoi disa milionë euro nga energjia

Kur të gjithë vuajtën pasojat negative të shiut të rrëmbyer, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare arriti që t’i kthente prurjet në përfitim ekonomik, duke prodhuar energji dhe duke e shitur atë në tregun e parregulluar. Kjo i dha asaj jo pak. por mbi 2.2 milionë euro me dy shitjet e para. Referuar shifrave zyrtare të KESH për periudhën 01-06 dhjetor 2017, KESH sh.a. ka prodhuar nga HEC-et kaskadës së Drinit sasinë prej 55,937.51 MWh. Nga kjo, sasia e energjisë elektrike e kërkuar nga OSHEE për furnizimin e klientëve fundorë për periudhën 01-06 dhjetor 2017 është 8,440 MWh. Vetëm për ditët e para të post-emergjencës 01-04 dhjetor u shitën në treg të lirë 29,590 MWh me një vlerë monetare prej 1,240,288.50 euro. Një pjesë të energjisë sipas marrëveshjes me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës KESH e ka depozituar në shtetin fqinj në një sasi rreth 17,900 MWh.

Përmbytja e nënstacionit të Kasharit, OSHEE: Po vlerësohen projektet ku do të investojmë

Përmbytjet transmetuan efektet e tyre edhe në sektorin energjetik, por ndryshe nga KESH që kishim përfitim ekonomik tek shpërndarja, u has në probleme që nisnin nga më të thjeshtët tek më të komplikuarit. Pavarësisht menaxhimit dhe angazhimit në terren të 2200 punonjësve “Thembra e Akilit” në këtë përmbytje ishte Tirana, ku përmbytja e nënstacionit të Kasharit detyroi kompanitë të bënte stakim të energjisë. “Në lidhje me furnizimin me energji elektrike, kemi pasur mbi 200 fidra jashtë pune, ndërsa tani, numri i tyre nuk shkonte më shumë se mesatarisht 60 fidra dhe kjo falë investimeve të OSHEE-së në rrjetin e shpërndarjes.

Është e vërtetë që pati ndërprerje të energjisë elektrike, por në mbi 70% të rasteve, stakimet vinin prej përmbytjeve. Sipas standardeve ndërkombëtare, në rast përmbytjesh të kabinave, sidomos të nënstacioneve, duhet stakuar energjia për të mos rrezikuar jetën e popullatës. Lidhur me nënstacionin Kashar, i cili u përmbyt, është një përvojë e ngjashme kjo me nënstacionin e Lezhës, për të cilin investuam rreth 2 milionë USD për ta rritur nivelin nga toka, plus edhe vendosjes së pajisjeve të reja. Aktualisht për këtë problem, OSHEE është në analiza të vazhdueshme projektesh për të parë nevojën se ku duhet të ndërhyjmë. Të njëjtën rrugë ndoqëm dhe me nënstacionin e Gjirokastrës, ku janë investuar 1.5 milionë dollarë, ndërsa i vjetri që përmbytej do të dalë gradualisht jashtë funksionit”, shprehet Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes në OSHEE-së. Ai nënvizon se ka pasur një vëmendje të veçantë tek pjesa e hidrovorëve, ku gjatë situatës vetëm dy prej tyre shfaqën probleme.

“OSHEE ka investuar më herët me linja të reja ABC, kabina dhe rrjete të tensionit të mesëm në 10 dhe 20 kV, kryesisht në zonat e Veriut, në Lezhë sidomos, në zonën e Vlorës, Fier apo edhe më gjerë. Pra nga ana jonë, janë bërë punimet që hidrovorët të ushqehen me energji elektrike nga një rrjet i sigurt, madje në disa stacione të rëndësishme janë vendosur edhe linja të dyta, pra në formë unaze. Duhet kuptuar që kjo është puna jonë dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera është mjaft i rëndësishëm. Ndaj dhe për hidrovoret, ashtu sikurse ne mirëmbajmë rrjetin e jashtëm elektrik, e njëjta gjë duhet bërë me rrjetin e brendshëm, që i takon institucionit të Bujqësisë. Në raport me periudhat e shkuara, në situata të njëjta moti, shikojmë që kemi përmirësim të menaxhimit. Përjashto në dy raste, të gjithë hidrovorët ishin në punë”, nënvizon Lika.

Print