• Kreu
  • Uji
  • Si të minimizohen përmbytjet në Shqipëri?

Si të minimizohen përmbytjet në Shqipëri?

Në lidhje me problematikën e përmbytjeve, shpesh ngrihen disa pyetje: – Pse Shqipëria është e prirur të përmbytet? – Cilat janë kërkesat që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të Direktivës së BE-së për përmbytjet? – Si të menaxhohen përmbytjet? – Cilat janë përvojat e suksesshme të parandalimit të përmbytjeve?
Ekspertët flasin për çështjen
Shumica e ekspertëve në botë ndajnë të njëjtin mendim mbi efektin e ndryshimit të klimës që po rrit ngjarjet ekstreme të motit.

Moti ekstrem përfshin përmbytje të papritura (reshje të skajshme në një periudhë të shkurtër kohore), përmbytje nga stuhitë dhe përmbytjet e lumenjve (reshjet ekstreme / shkrirja e shpejtë akullnajore). Ngjarjet ekstreme të motit kanë mobilizuar në mbarë botën qeveritë dhe organizatat shkencore për të krijuar politika dhe për të ndërmarrë veprime për të luftuar fatkeqësitë natyrore në të ardhmen.

Statistikat e përmbytjeve

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është i prirur për fatkeqësitë natyrore dhe përmbytjet janë një ngjarje e zakonshme. Cënueshmëria e lartë e rajonit në përmbytje po ashtu evidentohet edhe nga “Statistikat e Fatkeqësive”, të cilat theksojnë se përmbytjet janë një rrezik natyror me probabilitet të lartë në Ballkanin Perëndimor. (PrevetionËeb Platform, UNISDR). Sipas ‘Zyrës së ndihmës së jashtme të fatkeqësive të SHBA’, Shqipëria ka numrin më të lartë të fatkeqësive (9 fatkeqësi, të tipit të përmbytjeve) krahasuar me vendet e tjera në rajon për periudhën 1990-2011.

Pse Shqipëria është e prirur të përmbytet?

Shpyllëzimi dhe mungesa e mbulimit të gjelbër nxisin përmbytjet e shpejta drejt zonave të ulëta. Një element tjetër ka të bëjë me vendbanimet e paligjshme njerëzore pranë lumenjve. Gjithashtu infrastruktura hidrologjike si: pompat, argjinaturat dhe pengesat e përmbytjeve janë të dobëta për kontrollimin e ujit në zonat e prirura nga përmbytja.

Direktiva e BE-së për përmbytjet

Shqipëria, duke qenë kandidate për anëtare në BE është e detyruar të përmbushë objektivat dhe të theksojë në këtë drejtim Direktivën e BE-së për përmbytjet. Në lidhje me Direktivën e Përmbytjeve, Shqipëria po përparon por megjithatë ende ka nevojë për shumë përpjekje për të plotësuar plotësisht direktivën (ishte planifikuar në 2014 dhe zbatimi i saj parashikohet në vitin 2023). Direktiva kërkon një ngritje institucionale dhe koordinim të mirë(lokal, rajonal dhe qendror).

Në kuadër të kësaj direktive, Shqipëria është e detyruar të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur vlerësimin e riskut dhe rrezikun e përmbytjeve si dhe hartëzimin e tyre. Përgatitja e Strategjive të Menaxhimit të Përmbytjeve dhe Planeve të Menaxhimit të Rrezikut nga Përmbytjet është një çelës drejt zbatimit të Direktivës. Gjithashtu është i nevojshëm integrimi i aktiviteteve të menaxhimit të përmbytjeve në sektorë të tjerë si urbanizimi, bujqësia etj. Rëndësi duhet t’i jepet sistemit të monitorimit të paralajmërimit të hershëm, evakuimeve emergjente dhe rritjes së ndërgjegjësimit të komuniteteve se si të sillen në kushte të tilla atmosferike. (BE, 2016)

Përvoja hollandeze

Tranzicioni drejt përmbushjes së Direktivës së Përmbytjeve të BE-së nuk është i lehtë edhe për vendet anëtare të BE-së. Megjithatë, Hollanda është e njohur botërisht për ekspertizën e saj në parandalimin e përmbytjeve, përmes strategjive të ndryshme. Në Planin Kombëtar të Ujit të 2008, qeveria hollandeze paraqiti një qasje të re të quajtur Qasja e Sigurisë Multi Shtresore. Në këtë koncept janë tre shtresa kryesore: (i) Parandalimi i përmbytjes nga strukturat e mbrojtjes nga vërshimet; (ii) Qëndrueshmëria dhe planifikimi hapësinor; (iii) Menaxhimi i fatkeqësive. Kjo është një qasje e integruar që shkon përtej mbrojtjes nga përmbytjet. Shtresa e parë është më e orientuar drejt parandalimeve përmes infrastrukturës. Shqipëria duhet të marrë këtë qasje si një model suksesi duke i dhënë më shumë theks shtresës së dytë dhe të tretë që janë më me kosto efektive. Zhvillimet e planifikimit hapësinor, kanë të bëjnë me shtëpitë, se si ne mund t’i bëjmë ata të papërshkueshëm nga uji. Në këtë drejtim janë disa masa që duhet të merren në konsideratë si: (i) Ngritja e shtëpisë për shembull, një ose dy metra mbi tokë. Ngritja siguron që shtëpitë janë më pak të ndjeshme ndaj përmbytjeve. Duke bërë këtë, thellësia e përmbytjes do të reduktohet. Kati, fasada, muret dhe dritaret e shtëpisë janë rezistente ndaj ujit deri në një lartësi prej 0.9 metrash. (Hamer.T, 2015) Shtresa e tretë synon planet emergjente dhe evakuimet. Në Dordrecht (Hollandë), bashkia i informon qytetarët për rrezikun e përmbytjes duke i dërguar atyre çdo vit një letër. Kjo tregon se si qyteti Dordrecht zbaton komunikimin e rrezikut, duke ndjekur kështu detyrimin e Direktivës së Përmbytjeve të BE-së, për të informuar qytetarët në zonat e prirura nga përmbytjet rreth rreziqeve nga përmbytjet.

Shqipëria ka nevojë për më shumë përpjekje për të kryer:

– Një plan gjithëpërfshirës për evakuimin (duke përfshirë planin e evakuimit për njerëzit dhe bagëtitë)
– Planin e vazhdueshëm të komunikimit dhe planet për emergjencë
– Duhet t’i jepet rëndësi infrastrukturës së gjelbër
– Asistencë teknike / financiare për shtëpitë që rrezikojnë të përmbyten
– Investimi në masat mbrojtëse ndaj ujit në zonat e pritura për përmbytje

Duke marrë këto masa, Shqipëria mund të rrisë elasticitetin në parandalimin e përmbytjeve.

Print