• Kreu
  • Uji
  • Ujërat e zeza kanë “pushtuar” qytetin dhe bregdetin e Durrësit

Ujërat e zeza kanë “pushtuar” qytetin dhe bregdetin e Durrësit

Përgjatë periudhës së antikitetit, kur qytetet kryesore të Evropës vuanin nga derdhja e ujërave të zeza në rrugë dhe bashkë me to përhapjen e epidemive, qyteti i Durrësit ishte i pajisur me kanale higjeno-sanitare. Sipas arkeologut Fatos Tartari, pjesa më e madhe e kanaleve të zbuluara rreth qendrës së qytetit antik, i përkasin të njëjtit rrjet. Ato hasen që pranë Lulishtes së Mauzoleumit të Dëshmorëve, e deri tek termat pas teatrit “Aleksandër Moisiu”. Mendohet se nëpërmjet një kanali kryesor, që ishte kolektori që pasi i mblidhte shkarkimet e lagjeve fushore, i depozitonte ato në det në mënyrë të pavarur.

Por megjithëse jemi në shek. XXI, duket se nuk ka ndryshuar shumë mënyra e menaxhimit të ujërave të zeza në qytet. Citizens Channel ka kryer një monitorim në bregdetin e Durrësit, në muajt shtator 2017 – janar 2018, konkretisht në pikat: Plazhi Rinia, Porto-Romano ,Kallm, Currila, Vollga, plazh Durrës, Shkëmbi i Kavajës si edhe zona e ish-Kënetës, Spitallë, përfshirë lagjet qendrës së qytetit.

Kështu qyteti i Durrësit duke nisur që nga qendra e tij, e deri në periferi, ka probleme me sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Siç pohohet nga Ujësjellës Kanalizime Durrës, arsyeja kryesore është mungesa e investimeve ndër vite, e cila nuk ka qenë në raport me shtimin e numrit të popullsisë.

Si pasojë, pas reshjeve të shiut në qytet shpesh ujërat e zeza dalin në sipërfaqe nga mungesa e kanalizimeve të ndara për ujërat e shiut dhe ato të zeza.

Ndërsa në periferi mungesa e kanalizimeve ka sjellë përdorimin e kanaleve bujqësore të ndërtuara përpara viteve’ 90, që shkrakohen në bregdetin e Durrësit. Kjo gjendje është larg asaj që parashikon ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, ku në nenin 67, shkruhet se ” në brigje, plazhe dhe në zonat e vërshimit ndalohet shkarkimi i ujërave të ndotura urbane e industriale të patrajtuara”.

Megjithatë projekti më i rëndësishëm që po i jep zgjidhje pak nga pak situatës, është marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, që ka ofruar një kredi me vlerë 85 milion dollarë, ku përfshihen edhe investime për rrjetin e ujit të pijshëm.

Sipas draftit të Planit të ri Rregullues të Territorit për qytetin e Durrësit, rezulton se ka “prioritet të lartë” zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve kryesisht në lagjet 1 dhe 18, ndërsa lagjet e tjera kanë gjithashtu nevojë për tu rinovuar. Ndërsa zonat periferike, si ish-Këneta, Spitalla, Porto-Romano etj., kanë “prioritet të lartë” përmirësimi dhe zgjerimi të rrjetit të kanalizimeve.

Print