• Kreu
  • Uji
  • Sezoni turistik: Shqipëri, Kroaci, Mali i Zi angazhim për eliminim të ndotjes detare

Sezoni turistik: Shqipëri, Kroaci, Mali i Zi angazhim për eliminim të ndotjes detare

Ky sezon turistik nuk do të ketë më probleme me ndotjen në Adriatik. Angazhimi është i tre ministrave të mjedisit që u mblodhën në takim në Dubrovnik të Kroacisë. Pas skanimit të situatës dhe shkaqeve të saj, tre ministrat morën angazhimin për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme për ndalimin e ndotjes detare nga burimet tokësore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Tomislav Ćorić, dhe  ministri i mjedisit Pavle Raduloviq vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm midis tre shteteve. Delegacionet e tre vendeve që preken nga Deti Adriatik, bashkëndanë shqetësimin e ndotjes së ujërave të Adriatikut, duke vënë theksin veçanërisht tek dëmi që i shkaktohet turizmit.

Ministri Klosi njohu homologët me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të rikuperuar dëmet në mjedis. Operacioni “Clean and Green 2020” që synon pastrimin e Shqipërisë nga ndotja dhe gjelbërimin e saj, po jep rezultatet e tij të para. Njëherësh Ministria e Turizmit dhe Mjedisit po merr masa ndaj ndotësve të mëdhenj në të gjithë sektorët e Mjedisit.

Ministrat e të tre vendeve theksuan rëndësinë e mjedisit të pastër dhe turizmit të qëndrueshëm, si dhe zbatimin e Konventës së Barcelonës. Ministri Klosi dhe homologët e tij ndanë të njëjtin mendim për një bashkëpunim më të fortë për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me ndotjen detare në Detin Adriatik.

Ministrat ranë dakord që takimi i radhës në nivel operacional të mbahet në Zagreb në prill të këtij viti, ndërsa takimi i nivelit të lartë është parashikuar të mbahet në Shqipëri gjatë muajit qershor.

Print