• Kreu
  • Uji
  • Shkrirja e dëborës dhe shirat, si paraqitet situata pas shkarkimeve në HEC-e

Shkrirja e dëborës dhe shirat, si paraqitet situata pas shkarkimeve në HEC-e

Reshjet e mëdha të shiut të ditës së djeshme kanë sjell fryrje të lumenjve Drin dhe Bunë me 30 cm. Në aksin rrugor rural Barbullush-Mabe është dëmtuar një urë betoni, ndërsa uji ka mbuluar rreth 50-60 ha tokë në fshatin Ana e Malit por pa hyrë në banesa. Ministria e Mbrojtjes raporton për përmbytje të tokave bujqësore edhe në njësinë administrative Bërdicë.

Ndërkohë mësohet se kane nisur shkarkimet e para në hidrocentralin e Fierzës. Shkrirja e menjëhershme e dëborës dhe shirat sollën shkarkimet e detyrueshme nga hidrocentrali më i madh në vend duke tejkaluar kështu parashikimet e specialistëve.

Prurjet arrijnë në 1300 metër kub për sekondë, ndërsa shkarkimet arrijnë në kuotën e 400 metër kub në sekondë. Burime nga hidrocentrali i Fierzes thonë se shkarkimet do të vijonin edhe përgjatë ditës së sotme.

Po kështu në disa zona të qarkut Kukës si Qafë Shllak dhe Valbonë, trashësia e dëborës arrin në 50 cm. Dëbora ka izoluar 12 fshatra të bashkisë Kukës dhe 8 fshatra të bashkisë Tropojë, si dhe ka sjellë probleme me energjinë elektrike edhe në disa zona.

Ndërkaq, në Qarkun e Elbasanit, problematika e krijuar nga kushtet atmosferike është zbutur këtë fillimjavë. Shkarkimi i emergjencave në HEC e Banjës sot ishte 200 m3/s nga 350m3/s që ishte të dielën.

Shumica e rrugëve rurale dhe mjaft lagje të zonave malore të Bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh dhe Elbasan, vijojnë të jenë izoluara nga bora. Ndërkohë mijëra abonentë pa energji elektrike.

Print