• Kreu
  • Uji
  • Fatkeqësitë natyrore, nga evidentimi i dëmeve drejt investimeve konkrete

Fatkeqësitë natyrore, nga evidentimi i dëmeve drejt investimeve konkrete

Çdo dimër apo verë vendi ynë mund të parballet me fatkeqësi natyrore, përmbytje ose zjarre. Sipas zyrës së Kombeve të Bashkuara për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë (UNISDR) përgjatë 24 viteve (1990-2014) 38.2% e dëmit ekonomik është krijuar vetëm nga përmbytjet dhe 33.5% nga rrëshqitja e tokës. Pjesa e mbetur e dëmeve ka ardhur si pasojë e tërmeteve, stuhive, zjarret etj. Shqipëria mbetet vendi i parë në Europë më i rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore.

Drejtoria e Emergjencave Civile në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare ka llogaritur një kosto dëmi rreth 35 milion euro në vit që krijohet si pasojë nga fatkeqësitë natyrore.Vendimi i Këshillit të Ministrave numër 965 ka orientuar të gjitha bashkitë në nivel lokal, të paraqesin në faqet e tyre zyrtare si dhe të ngrenë strukturate nevojshme me profesionistë dhe përgjegjës për emergjencat civile për të mënaxhuar me sukses raste të tilla

Fillim shkurti 2017 në Jugun e Shqipërisë, pati përmbytje nga lumi i Vjosës në rrethin e Vlorës, zona e Novoselës, Fierit, zona e Hoxharës, në një sipërfaqe gjithsej prej 17 mijë ha tokë bujqësore. Kjo ndodhi sepse në pellgun ujëmbledhës të lumit Vjosa, si në territorin shqiptar po ashtu dhe në atë grek, pati reshje me intensitet të lartë,si rrjedhojë solli përmbytje të tokave bujqësore e të zonave të banuara në të dy brigjet e lumit.Në këto kushte u krijuan si dhe u morën masa për menaxhimin e përmbytjeve nga shtabi i emergjencave, në mënyrë që demët e shkaktuara prej tyre të ishin sa më minimale.

Kjo është masa e fundit që merret në raste emergjencash. Parësore në proçesin e planit të emergjencave civile (përmbytjet) sipas specialistëve është mbledhja e të dhënave të sakta të nivelit të ujit përgjatë lumenjve, nivelin e ujit pranë argjinaturave, nivelin e prurjeve, matje të nivelit në sipërfaqen e përmbytur si dhe kohëzgjatjen e përmbytjes, pa lënë pas dore informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut.

Këto të dhëna janë të nevojshme, jo vetëm për të patur një ide të qartë për atë se çfarë ndodhi gjatë kësaj dukurie natyrore, por do të jenë të nevojshme për studimet si dhe ndërhyrjet që duhet të bëhen në të ardhmen. Përmbytje kanë ndodhur edhe në të kaluarën jo shumë të largët të vendit tonë. Në vitet 62-63 rreshjet e shumta në ultësirën perëndimore sollën përmbytjen e 70 mijë ha toka bujqësore dhe qendrat e banuara që ndodheshin në këto zona si dhe qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit. Studimet e asaj kohe çuan në ndërtimin e argjinaturave në lumenjtë e Vjosës, Semanit, Shkumbinit, Matit dhe Bunës. Përgjatë këtyre viteve u krye gjithashtu bonifikimi i tokave kënetore në këto zona.

Mbas viteve ‘90 nuk është ndërtuar asnjë vepër e re, si për kullimim apo ujitjen. Aktualisht nuk dihet gjendja për të gjitha veprat, digat e rezervuarve, kanalet ujitëse, kanalet kullues, argjinaturat, gërryerjet e lumenjve, sistemimi i përrenjve etj. Krijimi i rregjistrit të përditësuar për këto vepra do të ndihmonte jo vetëm punën e specialistëve, institucioneve përkatëse, si dhe do të ishte një udhërrëfyes mjaft i mirë për investime të domosdoshme për të zbutur efektet social-ekonomike si pasojë e përmbytjeve apo fatkeqësive të tjera natyrore.

 

Print