• Kreu
  • Uji
  • Përmbytjet në Shkodër, qeveria do të marrë masa për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve

Përmbytjet në Shkodër, qeveria do të marrë masa për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve

Zëvendëskryeministrja, Senida Mesi ka inspektuar zonën e përmbytur në Shkodër, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve vendorë dhe qendrorë, si dhe banorëve, që të bashkëpunojnë për të përballuar sa më mirë situatën.

“Jemi në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës dhe bëjmë thirrje të gjithë aktorëve qendrorë e vendorë, si edhe të gjithë komunitetit në Shkodër të bashkëpunojnë për të përballuar situatën kërcënuese nga përmbytjet”

Zv/Kryeministrja u shpreh se: “Situata paraqitet e vështirë, mesatarisht kërcënuese, por jo kritike, dhe se Qeveria Shqiptare ka qenë dhe është plotësisht e angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve”.

Mesi garantoi banorët se Qeveria Shqiptare do të marrë masat e nevojshme për evidentimin, vlerësimin dhe minimizimin e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Në këtë moment, theksoi ajo, e rëndësishme është menaxhimi i situatës me sa më pak dëme dhe ardhja në ndihmë të menjëhershme për çdo banor dhe shpëtimi i çdo gjëje të gjallë.

“Sot erdhën 20 tonë ushqime për gjënë e gjallë sipas kërkesës së komunitietit në këto zona. Ministria e Mbrojtjes po merr masat për blerjen e 107 tonë ushqimeve për gjënë e gjallë për nevojat në vazhdim të zonave të përmbytura dhe ushqime dhe ujë të pijshëm”, shtoi Mesi.

Sikurse e ka përmendur edhe në inspektimet e saj të mëparshme në Obot dhe Anën e Malit gjatë ditëve të përmbytjeve, Zëvendëskryeministrja Mesi nënvizoi se “pasi të tejkalohet situata kërcënuese në të cilën gjendemi, do të ngrihet një grup pune me aktorët në nivel vendor e qendror si edhe ekspertë të fushës në mënyrë të tillë që të bëhet një analizë e plotë e situatës dhe të ndërtohet një plan veprimi për parandalim dhe zgjidhje afatgjatë te përmbytjeve në Shkodër”.

Qëllimi jonë, u shpreh Mesi, është gjetja e zgjidhjes afatgjatë e të qëndrueshme, dhe jo vetëm menaxhimi i kërcënimit.

Në përgjigje të situatës së rënduar të përmbytjeve në NënShkodër, zv/kryeministrja Mesi ka inspektuar sot Njësinë Administrative Dajç, Shkodër. Në vizitën e saj dhe bashkëbisedimet me banorët e zonës, Znj. Mesi shoqërohej nga:

  • Prefekti i Qarkut Shkodër, Z. Çesk Millja;
  • Deputeti i Qarkut Shkodër, Z. Luan Harusha;
  • Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Dhimitër Kote;
  • Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Z. Shemsi Prençi;
  • Drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Z. Vehbi Bushati;
  • Komandanti i Batalionit të Parë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore të Vaut të Dejës, Z. Ali Mali.

Print