• Kreu
  • Uji
  • HEC-Et Mbi Vjosë, Pasoja Mbi Ekologjinë Dhe Turizmin

HEC-Et Mbi Vjosë, Pasoja Mbi Ekologjinë Dhe Turizmin

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi Lumin Vjosë është kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile në vend gjatë vitit 2017 dhe kësaj kundërshtie iu shtuan edhe shkencëtarët austriakë të universitetit BOKU të Vjenës. Në një konference të posaçme të mbajtur sot EcoAlbania si një nga palët lobuese në mbrojtje të Vjosës, studiuesit bënë me dije se do të ketë një studim të thelluar të  sedimnenteve  i cili do të kryhet në disa faza, nëpërmjet teknikave bashkëkohore dhe do të masë prurjen dhe cilësinë e sedimenteve të lumit Vjosë.

Ai do të përcaktojë, në këtë mënyrë, ndikimet që do të sjellë ndërtimi i digave. Nga ana tjetër, këto të dhëna do të dëshmojnë sa efektiv është ndërtimi i digave, duke konsideruar sasinë e transportuar të sedimenteve. “Ndërtimi i digave përgjatë të gjithë basenit të lumit Vjosa duhet të bazohet në një studim të mirëfilltë gjeologjik, gjeo-inxhinierik, hidrogjeologjik dhe sedimentologjik. Por, fatkeqësisht studime të këtij lloji ne nuk kemi deri më tani. Nuk mundemi kurrësesi të mendojmë që mund të ndërtojmë objekte strategjike të këtij lloji pa patur informacione të mjaftueshme mbi sasinë dhe llojshmërië e sedimenteve që do të depozitohen në pjesën e sipërme të digës dhe që ndikojnë rreptësisht në jetëgjatësinë e digave.”- u shpreh Dr. Klodian Skrame, nga Universiteti Politeknik i Tiranës.

Studimet fillestare të kryera më herët në Vjosë treguan se sedimentet e bllokuara pas digës së planifikuar do të sjellin ulje të nivelit të ujërave nëntokësorë, tjetërsimin e lagunave, humbjen e vlerave të biodiversitetit dhe ndryshimin e vijës bregdetare nga erozioni.

“Shqipëria ka nivele shumë të larta të erozionit 20 – 40 ton / ha në vit”, deklaroi Christoph Hauer, nga Universiteti BOKU – “Autoritetet duhet të marrin masa paraprake për të shmangur në Vjosë një situatë me humbje të shumëfishtë: (i) humbjen e efiçencës për prodhimin e energjisë elektrike për shkak të sedimentimit; (ii) humbjen e integritetit ekologjik të lumit të madh të vetëm të paprekur në Europë, (iii) humbjen e mundësisë për përdorim turistik dhe prodhimeve të peshkimit në lagunat dhe përgjatë bregdetit “.

Studime të tilla të thelluara, ende nuk janë kryer për lumin e Vjosës qoftë nga autoritetet shtetërore apo nga propozuesit e koncesioneve të hidrocentraleve mbi Vjosë. Ky studim është në fazat e tij paraprake dhe rezultatet e studimit do të bëhen publike në pranverë të vitit 2019.

Print