Përmbytjet në Shkodër

Niveli i ujit në qarkun e Shkodrës krahasuar me të shtunën, ka rënë me 20 cm. Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe banorët e Dajçit, por niveli i ujit vijon gjithsesi të mbetet në kuota problematike, ndaj ata kërkojnë ndihmë sidomos përsa i përket ushqimit për blegtorinë.

Të dielën drejt Shkodrës ishin nisur edhe 20 ton koncentrat për bagëtinë, ndërsa të hënën pritet të mbërrijnë 40 ton të tjerë, ndërsa vijon koordinimi me pushtetin vendor për shpërndarjen e tyre.

Autoritetet qendrore bëjnë të ditur se janë angazhuar 148 forca në terren, 27 mjete, 6 motobarka dhe 2 pompa thithëse dhe po veprojnë në Obot, Livadë, Dajç, Velipojë, Belaj, Trush e Bushat. Gjithashtu janë transportuar 87 banorë, janë shpërndarë 1500 kg ushqime dhe 31500 litra ujë i pijshëm.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe zv/kryeministrja, Senida Mesi inspektuan situatën në Dajç dhe Belaj. Xhaçka i kërkoi bashkive të respektojnë detyrimin ligjor për t’i dedikuar emergjencave civile 3% të fondeve vjetore dhe paralajmëroi ndryshime ligjore.

“Jemi duke parë për ndryshime ligjore në ligjin për emergjencat civile, për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë aktorët që kanë rol në përballimin e tyre. Do të parashikohen penalitete për institucionet që nuk veprojnë mbi përgjegjësitë që kanë dhe këtu kam parasysh pushtetin vendor, por edhe atë qendror”, deklaroi Xhaçka.

Numri dy i Qeverisë, Senida Mesi, garantoi se vlerësimi i dëmeve dhe mundësia për kompensimin e tyre, do të shikohet pas kalimit të fazës së emergjencës. Ajo nënvizoi nevojën për zgjidhje afatgjata për përballimin e situatave të tilla.

Print