• Kreu
  • Uji
  • Berat, i gjithë qarku pastron territorin

Berat, i gjithë qarku pastron territorin

Gjatë një deklarimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Prefekti i Beratit, Harilla Dafa, theksoi se në qarkun që ai drejton ka nisur intensivisht puna për aksionin e pastrimit, i cili do të kulmojë më datë 22 prill. Sipas tij, vetëm në Bashkinë Berat puna ende nuk ka nisur ashtu siç parashikohej, dhe pritet të fillojë nesër plotësisht, teksa në Kuçovë, Urën Vajgurore dhe Poliçan ka nisur puna sipas parashikimeve të përcaktuara nga plani i punës së çdo bashkie, në bashkëpunim me specialistin e mjedisit pranë Prefekturës së çdo qarku.

“Edhe në Qarkun e Beratit ka nisur ky aksion për pastrimin e territorit. Kuçova e ka nisur që javën e shkuar. Unë jam në Urën Vajgurore, këtu është një pjesë që është shumë delikate e ngarkuar me mbetje urbane, kryesisht me mbeturina plastike. Këtu po punohet dhe nga ndërmarrje në bashkëpunim me bashkinë, por dhe kontingjentë të tjerë. Po e njejta gjë vijon edhe në Kuçovë, edhe në Poliçan”, tha Dafa.

“Berati fatkeqësisht ende s’ka nisur, por do të nisë nesër, pasi Bashkia nuk i ka marrë masat organizative sipas planit të punës së hartuar për të gjitha segmentet që janë të detajuara paraprakisht nga sektori i zhvillimit urban, specialistja e mjedisit në prefekturë dhe drejtoria e shërbimeve në Bashkinë Berat”, evidentoi Dafa.

Ai tha se më datë 22 prill, që është dhe Dita e Tokës, kjo iniciativë do të marrë përmasa edhe më të mëdha. “Gjatë këtij aksioni marrin pjesë ushtarakë të repartit të Poshnjes, që drejtohet nga kolonel Gëzim Marku.

Më datën 22 prill kësaj nisme do t’i bashkohen edhe nxënës të shkollave e përfaqësues të institucioneve publike të cilët, duke e pasur ditën pushim mund të ndihmojnë në pastrimin e territorit në komunitetin e tyre, në zonat e paracaktuara nga Bashkia në bashkëpunim me Prefekturën”, tha Dafa

Print