• Kreu
  • Uji
  • Sarandë: masa për ndotjen e detit nga ujërat e zeza dhe ndotjen akustike

Sarandë: masa për ndotjen e detit nga ujërat e zeza dhe ndotjen akustike

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Bledi Klosi deklaroi së fundi në Sarandë se nuk do të lejohet më ndotja e detit nga ujërat e zeza që derdhin disa lokale , si në Sarandë, edhe në Ksmail . Gjatë një takimi me shoqatën lokale turistike “Saranda Tourism Industry” (STY), Klosi u kujtoi subjekteve të hotelerisë dhe shërbimeve të tjera turistike se nuk do të tolerohet më asnjë dëmtim i detit nga ujërat e zeza apo nga mbushjet me inerte për përfitim plazhesh.

Sipas Klosit, këto, kanë tani një emër dhe quhen krime mjedisore dhe ndiqen penalisht. Po ndërsa është bërë e qartë toleranca zero ndaj lokaleve private të shërbimit që i derdhin ujërat e ndotura në det, në takimin e shoqatës turistike të Sarandës është nënvizuar se është e patolerueshme që ende në plazhet publike të qytetit mungojnë banjot publike, problem i ngritur në mënyrë të përsëritur si një refren prej vitesh nga turistët vendas dhe të huaj që i kanë frekuentuar këto plazhe të cilat menaxhohen nga pushteti vendor.

“Është katastrofike, u shpreh përfaqësuesi i një hoteli ,- që në plazhet publike, nuk ka banja publike” Guroret e Sarandës megjithëse kanë qenë shpesh herë objekt i ndotjeve serioze dhe dëmtimit të shëndetit të banorëve; pasi funksionojnë prej dhjetëra vitesh në afërsi të qendrave të banuara; sërish u kanë rezistuar ‘valëve’ të presionit elektoral ndër vite dhe kanë vijuar pa ndërprerje aktivitetin ndotës mjedisor.

Klosi ka deklaruar qëndrimin e qeverisë në qytetin bregdetar lidhur me guroret: “Asnjë leje nuk do të jepet më për këto gurore”. Me interes në takimin që komuniteti i biznesit turistik zhvilloi me Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Bledi Klosi dhe deputetin e qarkut Vlorë, Alket Hyseni, ka qenë edhe parashtrimi i disa kërkesave me shkrim si parakushte për një sezon turistik më të mbarë. Për herë të parë në mënyrë të organizuar, subjektet turistike ngritën si shqetësim të veçantë ndotjen akustike nga muzika e lartë gjatë gjithë sezonit turistik, një nga problemet e njohura dhe vazhdimisht e pazgjidhur në qytetin bregdetar.

Në takimin e Sarandës është bërë e qartë se edhe në pikun e sezonit turistik, muzika e lartë nuk do të lejohet përtej orës 23.00. Nuk do të lejojmë që Saranda të jetë një disko gjigante. Ajo që mbetet më tej, është “testimi” në praktikë i deklaratave, sesi ministria e linjës dhe inspektoratet, do t’i dalin zot zbatimit të ligjeve mjedisore në terren, për problematikat që vuan periodikisht qyteti bregdetar.

Print