• Kreu
  • Uji
  • Klosi: Më 1 qershor nis mbyllja e bizneseve që derdhin ujërat e zeza në det

Klosi: Më 1 qershor nis mbyllja e bizneseve që derdhin ujërat e zeza në det

Të gjithë subjektet që derdhin ujërat e zeza në det do të mbyllen duke nisur nga data 1 qershor. Kështu është shprehur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë forumit “Advokacija qytetare dhe mbrojtja e promovimi i mjedisit”.

Klosi e ka cilësuar mjedisin si një nga kapitujt më të vështirë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shtuar se janë të pamjaftueshme vetëm përpjekjet e pushtetit qendror, lokal apo edhe të shoqërisë civile. Ndërkohë, shtoi më tej se nuk është dhënë asnjë leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit që nga revokimi i HEC-eve në kanionet e Osumit.

“Beteja për HEC-in e Osumit nisi si një betejë nga një grup i shoqërisë civile. Ne e bëmë atë betejë, të mbështetur nga shoqëria civile,  një betejë publike që shkoi deri në mbylljen e atij koncesioni dhe heqjen e lejes koncesionare në fillim nga Ministria e Mjedisit për sa i përket pjesës mjedisore dhe pastaj nga Ministria e Energjitikës por çështja nuk u mbyll aty, çështja shkoi në gjykatë dhe gjykata është shumë e dyzuar në vendimmarrje  dhe mund të kthehet përsëri ajo çështje. Që nga ai moment nuk ka më një HEC në zonë të mbrojtur apo jo, që të mos marrë opinionin e qytetarëve.”

Ndërkohë, lidhur me guroret tashmë kanë një rregullore të re në bazë të së cilës do të funksionojë ky biznes, i cili duhet të zhvillohet në harmoni me mjedisin.

“Për të pasur një gurore duhet të ketë rregulla krejt të tjera dhe ku zëri i qytetarëve, i opinionit publik, i njerëzve që jetojnë pranë guroreve duhet të jetë shumë më tepër i dëgjuar, “ u shpreh Klosi.

Print