• Kreu
  • Uji
  • Ndihmë! Po vrasin Gjirin e Vlorës

Ndihmë! Po vrasin Gjirin e Vlorës

Gjendja e detit në Gjirin e Vlorës është alarmante. Ai po degradohet dita – ditës. Peshkatarët ngrenë problematikat që kanë në punën e përditshme. Ata janë të shqetësuar për vaskat që ndodhen brenda Gjirit për kultivimin e peshkut.

Një peshk i cili rritet në kushte rezervati do 4 kg ushqim, po sa ushqim do të duhet për të gjithë peshqit e 20 rrethimeve që janë vendosur ne gji, ku 10 prej të cilëve janë vendosur vetëm këtë vit. Për 5000 t peshk duhet 20.000 t ushqim. Vendet ku vendosen këto rezervate po degradohen nga mbetjet e peshkut dhe kanë krijuar kodra mbetjesh në këto zona. Pavarësisht se rezervatet e peshkut në bazë të ligjeve ndërkombëtare janë detyrimisht të lëvizshme, kjo gjë nuk ndodh në vendin tonë, por shtohen pambarimisht rezervuarët që do të sjellin fundin e biodiversitetit në këtë gji, pasi shtimi pa kriter i peshkut të rezervuarit do të çoje në uljen e nivelit të oksigjenit.

Një problematikë tjerët që peshkatarët ngrenë, janë mbetjet në det. Këtu i referohemi mbetjeve të plastikës dhe ujërave të zeza. Në lidhje me mbetjet e plastikës peshkatarët shprehen se është kthyer në një problem serioz aq sa nuk dinë se çfarë po peshkojnë tani, peshq apo plastikë. “Rrjetat po na mbushen më shumë me plastikë se sa me peshq, më janë dashur 4 ditë për të pastruar rrjetat nga plastika para disa ditësh dhe nuk mund të punojmë me këtë mjedis kaq të pistë” – shprehet një nga peshkatarët. Mbetje vijnë nga Lumi i Vjosës, Lumi i Orikumit dhe mbetjet që plazhistët lënë përgjatë të gjithë bregut të Gjirit pasi mbarojnë plazhin. Ndonëse është bërë një investim për sistemin e kanalizimeve të ujit të pijshëm, ujërave të përdorura dhe ujërave të zeza, ky sistem nuk është vendosur akoma në funksion. Ka përfunduar faza e parë e projektit dhe nuk ka filluar akoma faza e dytë. Në këto kushte të gjitha bizneset i derdhin ujërat e zeza në det duke shkaktuar ndotje.

Gjithashtu dhënia e liçensave jo në proporcion me kapacitetet që ka Gjiri i Vlorës për peshkim, shkakton jo vetëm vështirësi në punën e tyre të përditshme por ka ndikuar në zhdukjen e peshkut në këtë gji. “Nëse më parë mbushnim rrjetat me peshq e fitonim shumë lekë, sot jemi me fat po kapëm disa kg peshk” – shprehet një nga peshkatarët. Për të mos përmendur masakrën që i bëhet natyrës kur peshkohet me lëndë plasëse e cila shkatërron mjedisin.

Pavarësisht se janë të licencuar dhe konform çdo rregulli të parashikuar nga ligji, shteti ynë nuk u ka garantuar akoma një mol nga i cili ato mund të dalin për të punuar por u ka vendosur detyrim paraqitje për çdo dalje në det, duke u shkaktuar kosto të panevojshme në buxhetin e tyre.

Uji i Gjirit të Vlorës ndërrohet 1 herë në 60 vjet dhe mundësia që ai të vetëpastrohet është e pamundur. Në kushtet kur kemi dhënie liçense pa kriter, peshkim me lëndë plasëse, shtim pa kriter i rezervuarve të rritjes së peshkut, derdhja e ujërave të zeza dhe hedhja e mbetjeve pa kriter të cilat përfundojnë në det, do të sjellë shkatërrimin e Gjirit të Vlorës. Me këto ritme shkatërrimi peshkatarët shprehen se Gjiri i Vlorës ka edhe 5 vjet jetë.

Print