Deti i gjelbëruar

Me këmbëngulje të madhe mundohemi të shtojmë gjelbërimin në tokë, por mesa duket deti na parapriu. Sezoni turistik në Vlorë sapo ka filluar dhe turistët po çuditen nga deti i gjelbëruar që po gjejnë në plazhet e Vlorës.

Përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut, gjejmë gjelbërim të bollshëm. Ujërat e Adriatikut, por edhe të një pjesë e ujërave të detit Jon, janë ndotur nga mbetjet organike, ujërat e zeza dhe detergjentet.

Të gjitha këto krijojnë një sasi shumë të madhe ushqimi për algat e gjelbra të cilat rriten vetëm nëpër plazhe, jo sepse aty kanë habitatin e tyre por sepse aty ushqimi i tyre është me shumicë.

E keqja e këtij gjelbërimi qëndron te fakti se në këto ujëra nuk mund të ketë më jetë për gjallesat e tjera, por njëkohësisht shërbejnë për ne edhe si indikator i dukshëm i shkallës së lartë të ndotjes së këtyre ujërave nga shkarkimet e detergjenteve dhe ujërave të zeza të qytetit, të pakontrolluara, të papërpunuara dhe aspekte menaxhuara. Përqendrimi i baktereve E.Coli dhe Stafilokoku Phecal është shumë i lartë dhe një kërcënim serioz për shëndetin e pushuesve dhe frekuentuesve të plazheve të Vlorës në këtë sezon turistik që sapo ka filluar.

Me gjithë presionin e vazhdueshëm të shoqatave mjedisore të qytetit, bashkia hedh 5 milionë lekë (të vjetra) fishekzjarre për promovimin e turizmit, ndërkohë që nuk po shikojmë asgjë të re për ndotjen e ujërave të plazheve. Për më tepër, nuk merren as masa për parandalimin e frekuentimit të këtyre ujërave me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e turistëve, siç citon në një dokument Instituti i Shëndetit Publik. Por nga ana tjetër as Drejtoria e Shëndetit Publik nuk bën as informimin e frekuentuesve të plazheve të ndotura që ata të mos gjenden “të kapur në grackë” nga ndotja e lartë bakteriale.

Ndërkohë që investimet infrastrukturore në bregdet janë shumë të larta dhe moderne, çështja e shëndetit të qytetarëve dhe turistëve akoma nuk ka dalë në plan të parë të axhendës së kryebashkiakut të Vlorës.

Print