Katerina, amerikania që mbron bukuritë e natyrës shqiptare

E lodhur duke jetuar mes turistëve amerikania mbas tetë viteve jetesë në Valbonë ka vendosur të largohet. Në kërkim të një jete më të qetë, Katerina po braktis biznesin për të cilin punoi shumë vite. Ajo ka vendosur të marrë një shtëpi afër qytetit të Bajram-Currit, sepse dëshira e saj është të bëhet edhe tropojane dhe jo vetëm valbonase. “Unë kam folur me bashkëshortin tim dhe ndjej se ndihma ime për biznesin nuk është më e nevojshme. Jam lodhur tashmë duke jetuar me turistë, duke fjetur herë në hotel, here në çadër”, thotë Katerina.

Mban veshur me një triko të zezë me mëngët e ngritura, me një fustan të gjatë të pluhurosur nga fundi i këmbëve dhe një palë çizme të zeza me qafa, e përkushtuar plotësisht ndaj punës.

Kjo është Catherine Bohne (Selimaj), amerikania e Valbonës, e cila të mirëpret në mënyrë të pashoqe. Ashtu siç kanë bërë banoret e kësaj zone ndër shekuj. Bisedën e shoqëron me buzëqeshje. Energjike dhe e mbushur me një dëshirë të madhe për ti shërbyer asaj mrekullie natyrore, ashtu siç e quan ajo vetë. Por, edhe me largimin nga Valbona dashuria dhe përkushtimi ndaj saj janë një prioritet për Katerinën, sepse është akoma në shpirt ajo vajza e vogël që pa dikur Shqipërinë dhe ai peizazh e rrëmbeu mbas vetes.

Eksperiencën e parë në Shqipëri ajo na e tregon me një lumturi prej fëmije, sesi një udhëtim nga Italia për në Korfuz i shpalosi përpara syve të saj bregdetin Shqiptar. Të cilën ajo e përshkruan më një habi dhe kënaqësi në të njëjtën kohë. “Kur i jemi afruar bregdetit të Shqipërisë, ka lindur dielli, i gjithë vendi mu duk i gjelbëruar, i qetë dhe thashë me vete ky vend misterioz është një mrekulli”, rrëfen Katerina. Në vitet ’80 Katerina vizitoi Korfuzin, por ajo u magjeps përtej bregdetit. Në ato momente ajo nuk mund ta kuptonte që ai peizazh do ti rrëmbente zemrën. Por u deshën shumë vite nga ai udhëtim, që Katerina ta vizitonte Shqipërinë si turiste, ku zemra e saj do ta udhëhiqte drejt bjeshkëve të Shqipërisë. Atje ku ajo do të gjente paqe shpirtërore.

Me ardhjen në Shqipëri ajo u njoh me Alfredin, tashmë bashkëshorti i saj. Katerina i kishte dëgjuar vetëm zërin Alfredit, nga bisedat që kishte pasur me të në telefon dhe imazhi i vetëm që i vinte ndërmend për të ishte ai një plaku. Me një zë të mbytur në emocion, ajo tregon momentin e parë kur u takua me Alfredin. “Kisha turp të takohesha me të, por në momentin që e pashë nga larg, ai ishte i ri, i gjatë, i bukur dhe duke u afruar ngadalë i zgjata dorën. Unë e habitur i thashë, por ju nuk jeni plak.

Ai më dha një buzëqeshje me sytë që i shkëlqenin dhe plot bujari më shpreh mirëseardhjen”. Ishte ai moment që ngjalli një ndjenjë të brendshme në zemrën e Katerinës dhe tashmë ajo kishte rënë në dashuri, si me Valbonën, ashtu edhe me Alfredin. Udhëtimi i saj për në Valbonë bënte që ti dilte zemra vendit nga gëzimi dhe padurimi për të shijuar mrekullinë që e kishte parë vetëm në foto. “Kur erdha në Valbonë ngela pa fjalë, sepse ishte kaq e bukur dhe kur hymë në shtëpinë e Alfredit, i mbaja gjatë gjithë kohës sytë nga dritarja.

Përpara kisha një vend magjik, përrallor në një cep të harruar nga bota”. Duke e pyetur se pse ajo kishte vendosur të largohej nga vendlindja e saj, ajo me një bindje të plotë dhe shumë thjeshtë tregon, se kishte ardhur koha që tu lihej vendi ndryshimeve, pastaj edhe qiraja e librarisë së saj kishte mbaruar. Me një shprehje si të zymtë në fytyrë ajo rrëfen se jeta në Amerikë, në tokën e ëndrrave, nuk është aspak ashtu siç duket, duke e karakterizuar si një jetë monotone, me probleme ekonomike, sociale dhe kulturore.

Prandaj, pyetjes sesi ndihet kur është larg shtëpisë, ajo me një buzëqeshje gati në ironi thotë, “o sa mirë ndihem që jam larg New Yorkut”. Duke bërë që ajo shprehja e urtë popullore, “guri i rëndë peshon në vend të vet”, në rastin e Katerinës të mos ketë vlerë. Por pse vallë një vajzë nga një qytet gjigant, i mbushur plotë jetë dhe pa asnjë moment të qetë në rrëmujën e tij të pandalshme, ka vendosur që ti kthejë shpinën dhe ta harrojë, a thua se është një shpirt i lirë në kërkim të përjetësisë?! Katerina nuk heziton aspak të përgjigjet me një modesti që të bën ta kesh zili, “jeta në Amerikë është si një gjysmë filmi, që jo gjithmonë thotë të vërtetën”.

Tashmë Katerina e ndjen veten si pjesë të asaj toke, natyre dhe komuniteti, ku të gjitha energjitë e veta i vë në shërbim të atij vendi. “Unë nuk punoj për biznes, por punoj për të gjithë”. Nuk është çudi të dëgjosh ato fjalë që dalin nga goja e saj, ose më saktë nga zemra, pasi ato që thotë janë plot ndjenjë dhe dashuri për atë vend. Duke shprehur një mirënjohje të thellë dhe një admirim për banorët e Valbonës dhe të Shqipërisë në përgjithësi, Katerina plot emocion na rrëfen një pasazh të shkurtër të një vajze të vogël që i kishte lënë shumë mbresa. “Në vitin 2009 shkova në Amerikë dhe kur u ktheva këtu në Valbonë, nga oborri i një shtëpie dëgjova një fëmijë që thërriste prindërit. “Oh amerikania ka ardhur prapë”.

Kjo më bëri të ndihesha si pjesë e këtij vendi, e këtyre njerëzve”. Duke e lënë fokusin tek emocionet, për gjënë më sfiduese ajo futet në mendime, duke të krijuar idenë se të jetuarit këtu nuk është aspak e lehtë, sidomos për një femër me kulturë Perëndimore.

Puna për turizmin në Valbonë

Ajo që ka bërë Katerina për Valbonën vlen për tu përmendur, sepse ka një rëndësi të madhe për turizmin. Ajo ka krijuar një ëeb-site të titulluar “Journey to Valbona” guida turistike, harta dhe 200 km rrugë të shenjuar, të cilat ajo i quan shtigje. Për këto ajo ndihet shumë krenare, sepse më përpara kishte shumë pak informacion për Luginën e Valbonës. Katerina nuk lë pa përmendur edhe kontributin që kanë dhënë banorët, duke shprehur një mirënjohje të madhe. Nëse i kërkon një këshillë që ajo do i jepte një turisti të huaj për të jetuar këtu, ajo bën një stepje dhe gati si me egoizëm, thotë, “Shqipërinë e dua për vete, mos rrini këtu”.

Sado të mundohej të hiqte mendjen nga Valbona, atë prapë e tradhtonin ndjenjat që dashur pa dashur i shprehte hapur. Bashkëbisedimit tonë pak nga pak po i vinte fundi, por dëshira e Katerinës për të folur për Valbonën nuk ka të sosur, saqë thotë, “këtu në Valbonë dhe në Shqipëri unë kam ngulur rrënjë”. Për sa i përket ndonjë pendimi për tu larguar nga Shqipëria, ajo nuk shpreh asnjë copëz pendese. “ Unë do të rri në Shqipëri si në të mirë ashtu edhe në të keq”.

Print