Delegacioni i BE-së ka nisur një fushatë të re që do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politikëbërësve, shoqërisë civile, bizneseve dhe aktorëve të tjerë rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin. Fushata e Gjelbër e BE-së fton të gjithë të ndërmarrin hapa konkret dhe t’i bashkohen “Rrugës së Gjelbër”.
Kjo fushatë nisi më 18 nëntor, me ditën e pastrimit të lumit në Bashkinë e Kurbinit. Nën moton, “Bëhu pjesë e rrugëtimit të gjelbër, Evropa është këtu”, kjo fushatë do të synojë jo vetëm të rrisë ndërgjegjësimin e shqiptarëve për ndikimin që ka aktiviteti i tyre në mjedis, por edhe të nxjerrë në pah se si BE po ndihmon vendin në mbrojtjen e biodiversitetit dhe në luftën ndaj degradimit të mjedisit.
Andrea Ferrero, i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social në Delegacionin e BE-së, tha se, “Duke qenë se Shqipëria po ecën përpara në proçesin e anëtarësimit në BE, është shumë e rëndësishme që ajo të harmonizojë politikat, ligjet dhe iniciativat e saj me legjislacionin e BE-së në fusha vendimtare si menaxhimi i ujit, biodiversiteti, energjia e gjelbër dhe e rinovueshme, cilësia e ajrit dhe lufta ndaj ndryshimeve klimatike”.
Fushata e Gjelbër do të prezantojë disa programe të reja të financuara nga BE me një vlerë prej 44 milionë eurosh:
BE-ja për Natyrën: projekt që do të rrisë mbrojtjen e biodiversitetit në zonat e mbrojtura, dhe do të përgatisë më tej këto zona për t’u bashkuar me rrjetin Natura2000.
BE-ja për Ekonominë Qarkulluese: projekt për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, duke përfshirë riciklimin, dhe për përmirësimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.
BE-ja për Lumenjtë: projekt për mbështetjen e menaxhimit të integruar të ujit dhe reduktimin e ndotjes nga ujërat e zeza në Shqipëri.