Kalendari Mjedisor

Autoritetet bëjnë një sy qorr ndaj tregtisë së paligjshme të shpendëve të egër

Shoqata Ornitologjike e Shqipërsië (AOS) ka raportuar të mërkurën mbi gjuetinë dhe tregtinë e paligjshme të shpendëve të egër, të cilët shiten në një prej tregjeve të hapura të Tiranës.

“1000 lekë të reja një… 

By admin

Shoqata Ornitologjike e Shqipërsië (AOS) ka raportuar të mërkurën mbi gjuetinë dhe tregtinë e paligjshme të shpendëve të egër, të cilët shiten në një prej tregjeve të hapura të Tiranës.

“1000 lekë të reja një rosë e egër dhe 500 lekë një karabullak i vogël/bajzë në tregun e ish Uzinës Dinamo”, shkruan njoftimi i AOS në faqen zyrtare në Facebook.

Krahas tregtimit, ofrohet falas dhe mënyra e gatimit në mënyrë të tillë që shpendët e egër të mos mbajnë erë. Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit raportojnë se këto lloje shpendësh të egër tregtohen pothuajse çdo fundjavë, pasi kapen në liqen me rrjeta peshkimi dhe teknika specifike për vrasjen e tyre.

Ligji Nr. 10 006 i vitit 2008, për Mbrojtjen dhe Konservimin e Faunës së Egër, parashikon mbrojtjen nga keqtrajtimi, dëmtimi dhe plagosja e individëve të llojeve të egra. Nga ana tjetër, Neni 7 i Ligjit për Shpalljen e Moratoriumit të Gjuetisë në Republikën e Shqipërisë parashikon sanksionimin me gjobë të gjuetarëve apo klubeve të gjuetisë që kryejnë shkeljen, gjobë që varion nga 800 mijë deri në 1 milion lekë.

Të kontaktuar nga BIRN, Bashkia e Tiranës, përgjegjëse për administrimin e tregjeve, dhe Policia e Tiranës nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. Mjedisorët i bëjnë thirrje këtyre autoriteteve të reagojnë për këtë krim mjedisor që cënon faunën e egër.

“Ky është një krim mjedisor dhe duhet trajtuar me të njëjtin seriozitet si çdo krim tjetër”, shkruan Shoqata Ornitologjike Shqiptare në postimin e saj.