Lejet minerare, MIE shpall fituesin për Malin e Kolezës në Himarë

Një tjetër zonë minerare pritet të kalojë për shfrytëzim pas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës…

By admin

Një tjetër zonë minerare pritet të kalojë për shfrytëzim pas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë se zona numër 350/6 në Malin e Kolezës në Himarë ka një ofertë fituese.

Në buletinin e APP, ministria kërkoi që nga subjekti që ka parashikuar një investim 50 milionë lekë për një prodhim vjetor prej 250 mijë m3 gur gëlqeror në vit të paraqesë formularin e nënshkruar.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton shoqërinë “Himara Construction” sh.p.k me NIPT K27204201D, me adresë: Pilur, Himarë, Vlorë, se oferta e paraqitur më datë 03.05.2023, për përfitimin e të drejtës për aplikimin për leje minerare në zonën minerare numër 350/6, për vlerën totale të investimit prej 50 000 000 [pesëdhjetë milion] lekë dhe sasinë e prodhimit të mineralit gur gëlqeror 250 mijë m3 /vit, është pranuar si ofertë e suksesshme në procedurën e konkurrimit për të drejtën e aplikimit për leje minerare në zonën minerare konkurruese numër 350/6, për objektin Mali i Kolezës, Himarë, Qarku Vlorë, lloji i mineralit gur gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim, me kushtet që projekti i zhvillimit të veprimtarisë minerare që paraqitet me aplikimin në QKB i cili duhet të përcaktojë:

  • Prodhimin që mendohet të realizohet në zonën minerare 250 000 m3/vit
  • Sasinë e prodhimit që do të përpunohet 250 000 m3 /vit
  • Vlerën e investimit që parashikohet për tu kryer 50 000 000 lekë
  • Vlerën e produkteve minerare 3 468 775 000 lekë
  • Vlerën e rentabilitetit ekonomik (IRR=….%) 53.55 %”

Në maj të vitit 2023 Ministria e Infrastrukturë dhe Energjisë nxori disa zona minerare për ti dhënë përmes garës tek biznesi. Bëhej fjalë për minerare konkurruese Nr. 214/1, Nr. 22/31, Nr. 22/44, Nr. 350/6, Nr. 136/9, Nr. 349/4. Pjesa më e madhe e këtyre zonave minerare për shfrytëzim kishin si objekt nxjerrjen e materialeve ndërtimore gur gëlqeror, gëlqerorin e mermerizuar apo ranor silicor. Në 23 janar MIE shpalli fituesin për lejen minerare në Gjorma të Elbasanit për një vlerë investimi rreth 2.6 milionë euro.