Pushteti i të gjelbërve europianë

Politikat ambientaliste pritet të marrin prioritet në axhendën politike të Komisionit Europian. Partitë e Gjelbra fituan 69 mandate në zgjedhjet e fundit europiane dhe synojnë të kushtëzojnë koalicionet parlamentare për pesë vitet e ardhshme. Partitë ambientaliste triumfuan si grupimi i katërt më i madh politik në zgjedhjet europiane të së dielës.

By admin

Politikat ambientaliste pritet të marrin prioritet në axhendën politike të Komisionit Europian. Partitë e Gjelbra fituan 69 mandate në zgjedhjet e fundit europiane dhe synojnë të kushtëzojnë koalicionet parlamentare për pesë vitet e ardhshme.

Partitë ambientaliste triumfuan si grupimi i katërt më i madh politik në zgjedhjet europiane të së dielës.

Ato rritën me 40 për qind numrin e mandateve në Parlamentin Europian krahasuar me pesë vite më parë.

Ndërkaq grupimet e qendrës së majtë dhe të djathtë u tkurrën duke u lënë hapësirën vendimmarrëse liberalëve, forcave nacionaliste apo atyre ekstremiste.

69 votat e të gjelbërve tanimë konsiderohen vendimtare për stabilitetin e çfarëdo koalicioni pro-europian në pesë vitet e ardhshme.

Avantazhi i tyre dyshifror në Gjermani, Francë, Angli, Finlandë, Danimarkë, Suedi, Belgjikë e vende të tjera i është atribuar kryesisht brezit të ri të votuesve, të cilët janë më të ndërgjegjësuar rreth çështjeve të mjedisit apo krizës klimatike.

Kreu i partisë së gjelbër në Holandë, Bas Ejk-hut, tha të martën se që të ruajnë besimin e dhënë nga votuesit, të gjelbrit duhet të ndërmarrin urgjentisht masa politike për klimën, uljen e gazrave të karbonit, temperaturës globale dhe efektit serë, apo të kërkojnë respektimin e marrëveshjes mjedisore të Parisit.

Sipas tij, mesazhi i votuesve këtë vit ka qenë i qartë se sfidat klimatike duhet të jenë fokusi i politikave europiane në dekadat që vijnë.

Manfred Veber, kandidati për president i Komisionit Europian dhe përfaqësuesi i grupimit më të madh politik në BE, nuk e përjashtoi të martën një aleancë me ambientalistët.

Ai tha se Partitë Popullore dhe ato të Gjelbra Europiane duhet të ulen dhe të përpilojnë së bashku axhendën politike për mandatin e ardhshëm.