Kalendari Mjedisor

Ekonomia shqiptare dhe efektet e Taksës Kufitare të Karbonit (CBAM), të Bashkimit Evropian

Deri në çfarë mase ndikon TKK në mbarvjatjen e sistemit ekonomik shqiptar dhe sistemit të politikave mjedisore të vendit? 

By admin

Taksa e Kufirit të Karbonit (TKK) e Bashkimit Evropian (CBAM-Carbon Border Adjustment Mechanism) filloi zbatimin që nga 1 Tetori 2023. TKK është një instrument i cili takson produktet që shkarkojnë sasi të larta karboni të tilla si çimentoja, hekuri dhe çeliku, hidrogjeni, elektriciteti dhe plehrat kimike. Sipas BE kjo masë synon kufizimin e largimit të prodhimit drejt vendeve me të cilat adoptojnë politika mjedisore më pak ambicioze (carbon leakage) dhe gjithashtu përafrimin e regjimeve rregullatore. Pavarësisht se TKK është në fazën e hershme të zbatimit, tashmë po ndikon në vendimet e qeverive duke i nxitur ato të marrin masa nëpërmjet politikave të cilat rritin presionin ndaj industrive ndotëse. 

Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, ekonomia e Shqipërisë është më pak e prekur nga TKK. Kjo pasi vendi mbështetet në një masë të konsiderueshme në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme në masën 90% të përdorimit total të kërkesës së brendshme. Ndërkohë, ekonomitë e tjera të rajonit si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina apo Kosova pritet të kenë një ndikim më të madh për shkak të varësisë së prodhimit të energjisë nga industria e qymyrit. Megjithatë, ka ende industri që ka të ngjarë të preken nga TKK e BE-së si industria e çimentos dhe çelikut, ku sipas Institutit Shqiptar të Statistikave, eksportet e çimentos janë afërsisht 8% e totalit të eksporteve drejt tregut të BE-së.

(i) Taksa e Karbonit në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka qenë një ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor e cila , që prej vitit 2009, ka vendosur një taksë karboni simbolike në vlerën 0.5 lekë/kg duke ngjallur shpesh debate politike dhe duke shtuar barrën fiskale për ekonominë. Më 4 dhjetor 2023, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë diskutoi draftin përfundimtar të buxhetit të vitit 2024. Gjatë diskutimeve të projekt-buxhetit për vitin 2024 në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, pjesë e diskutimeve ishte edhe rishikimi i taksës së karbonit. Draft-buxheti i projektit ka sugjeruar fillimisht ngritjen e kufirit të taksës së karbonit nga 0,5 lekë/kg në 1.5 lekë/kg (ekuivalente me 0,15 euro/kg). Diskutimet çuan në një rishikim të datës së hyrjes në fuqi, duke e shtyrë deri në vitin 2026.

Sipas zyrtarëve të qeverisë, rritja e nivelit të taksës së karbonit është “një masë e parakoshme” për ekonominë shqiptare, ndaj qeveria duhet t’u japë kohë shtesë industrive të prekura nga TKK për të investuar në teknologji të pastra të prodhimit. Ngritja e taksës së karbonit nga qeveria shqiptare mund të konsiderohet si “një rrugë e mesme” midis ndërtimit të një regjimi fiskal “të gjelbër” dhe zbutjes së impaktit të TKK të BE-së. Për këtë arsye, rritja e taksës së karbonit prej 1.5 lekë/kg është shtyrë për të hyr në fuqi në vitin 2026, “për t’i dhënë kohë industrisë për të investuar në teknologji të pastra”.

(ii) Rritja e Taksës së Karbonit në vitin 2026

Koha e hyrjes në fuqi të rritjes së taksës së karbonit në vitin 2026 përkon me hyrjen në fuqi me efekt të plotë të TKK të BE-së. Që nga 1 tetori 2023 me fillimin e zbatimit të fazës tranzitore 2023-2026 të TKK, kompanitë jo-evropiane që eksportojnë mallra në tregun e brendshëm të BE-së do të duhet të raportojnë çdo tremujor emetimet përmes regjistrit kalimtar. Gjithashtu, pjesë e rregullores zbatuese të TKK është mundësia për të ulur çmimin e karbonit për produktet intensive nëse kompanitë i janë nënshtruar taksës së karbonit në vendet e tyre të origjinës. Përveç presionit fiskal, kompanitë do të duhet gjithashtu të rrisin kapacitetet e tyre të pajtueshmërisë rregullatore për të përmbushur kriteret e TKK. Kompanitë që eksportojnë në tregun e BE-së do të duhet gjithashtu të raportojnë emetimet e tyre përmes regjistrim online të TKK. 

(iii) Kuadri Institucional Shqiptar mbi Çlirimin e Karbonit

Përveç nevojës për të përmbushur kriteret e TKK, Shqipëria ka marrë zotime duke nënshkruar Marrëveshjen e Klimës të Parisit (2015) dhe ka ndërmarrë masa konkrete politike drejt dekarbonizimit të ekonomisë. Neni 6 i Marrëveshjes së Parisit sugjeron që vendet ta konsiderojnë implementimin e taksës së karbonit si një instrument politikash për dekarbonizimin e ekonomisë dhe për të përmbushur qëllimet e Marrëveshjes së Parisit. Shqipëria është ndër vendet që ka miratuar taksën “ad valorem” të karbonit, e cila takson karbonin në prodhim dhe jo nga emetimet.

Në këtë kontekst, vendi do të duhet të rrisë kapacitetet institucionale në trajtimin e çmimit të karbonit. Këtu përfshihet implementimi i plotë i regjistrit të emetimeve i cili është kërkuar edhe nëpërmjet raporteve zyrtare nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në këtë kontekst merret parasysh edhe fakti që çmimi i karbonit ka gjetur gjerësisht konsensus midis industrive dhe qeverive për rolin e rëndësishëm që mund të luajë në uljen e shkarkime të gazeve serë. Gjithashtu, qeveria e Shqipërisë ka hapur zyrtarisht bisedimet e negociatave për anëtarësimin në BE, ku pjesë e tyre janë edhe kapituj që e vendosin plotësisht fokusin në çështjet mjedisore dhe për të cilat vendi duhet të miratojë acquis communautaire, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe politikat tatimore.

Për ta përfunduar, shtyrja e taksës së karbonit mund t’i lërë kohë industrisë, por nuk do të përjashtojë nevojën e ndërhyrjes së qeverive për të rritur kapacitetet institucionale dhe stimujt për tranzicionin e gjelbër të ekonomisë. Standartet të cilat lidhen me mbrojtjen e ambientit dhe klimës po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në kuadrin rregullator të tregëtisë ndërkombetare, nga të cilat edhe ekonomia shqiptare preket dhe do të duhet të ngrejë kapacititete për t‘i përballuar këto sfida.