Ndotja nga grimcat PM 2.5 ka rritur shkallën e vdekshmërisë në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor

Studimi më i fundit, i kryer nga Këshilli i Përbashkët Kërkimor në vendet e Ballkanit Perëndimor, nxjerr në pah faktin se shkalla e vdekshmërisë nga PM 2.0 në këto shtete është disa herë më e lartë se mesatarja Evropiane.

By admin

Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, në Ballkanin Perëndimor, vdekshmëria nga ndotja e shkaktuar prej grimcave PM 2.5 është dy herë më e lartë. Në dhjetor 2023 në gazetën Environment International, u publikuan rezultatet e studimit të kryer nga Këshilli i Përbashkët Kërkimor i Bashkimit Europian në Ispra, Itali nga një grup ndërkombëtar kërkuesish nga Italia, Belgjika, Hollanda, Serbia dhe Shqipëria.Studiuesit bënë vlerësimet bazuar tek të dhënat e mbledhura në 26 qytete të rajonit. Sipas tyre ndotësit nuk njohin kufij, konfirmim ky i cili duhet parë me interes nga aktorët që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e situatës.

Instituti i Shëndetit Publik në vendin tonë deklaron se vlerat kanë qënë alarmante edhe në dy qytet pjesë e studimit,  Elbasani dhe Durrës.

Rezultatet e këtij studimi sollën argumenta të rëndësishëm për studiuesit e Ballkanit Perëndimor në përzgjedhjen e prioriteteve për kërkim dhe veprim.Sikurse është përshkruar edhe në raport ndotja e ajrit pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, ku janë bërë edhe matjet, është në nivele të larta. Vlerësohet se kostoja totale e pasojave shëndetsore është miliarde euro në vit. Sipas të dhënave të vitit 2019, barra ekonomike e shkaktuar nga ndotja prej grimcave PM 2.5 në të 26 qytetet, pjesë e studimit varion nga 7.8 në 9 miliarde Euro. Duke qene se PBB (Produkti i Brendshëm Bruto) i parashikuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 100 miliardë Euro, kjo do të thotë që ndotja e shkaktuar në këto 26 qytete, ku jeton vetëm një e treta e popullsisë shkakton një barrë prej 8% në 9% të PBB-së së të gjithë rajonit. 

Ndër pasojat shëndetësore të ndotjes së ajrit si tek fëmijët edhe tek të rritur janë azma, bronkiti, diabeti, kanceri i mushkrive duke shkuar deri në raste të humbjes së jetës. Bazuar tek studimi por edhe tek një deklarim i Agjensisë Evropiane të Mbrojtjes së Mjedisit, në vitin 2019 në Ballkanin Perëndimor shkalla e vdekshmërisë si pasojë e ndotjes së shkaktuar nga grimcat PM 2.5 variojnë midis 137 dhe 158 vdekje për 100.000 banorë, vlerë e cila është dy herë më e lartë se vlerat mesatare të Bashkimit Evropian (69). Njëkohësisht edhe vlerat e vdekshmërisë në Ballkanin Perëndimor si pasojë e ndotjes nga Ozoni dhe Dioksidi i Azotit (19 deri në 28 vdekje për 100000 banorë në vitin 2019) janë në mënyrë të frikshme më të larta se mesatarja Evropiane (4 deri në 9 raste për 100000 banorë).

Tabloja që sjell ky studim është totalisht ndryshe nga ajo e sjellë nga Agjensia Evropiane e Mbrojtjes së Mjedisit, e cila thotë se burimi kryesor i ndotjes nga PM 2.5 vjen prej mjediseve shtëpiake. Megjithatë kërkuesit në këtë studim vlerësojnë që 40% e barrës ekonomike nga ndotja vjen nga sektori i energjisë, me një mesatare kostoje për shëndetin prej 240 milion euro në vit për çdo qytet ku është bërë studimi. Mjediset shtëpiake dhe bujqësia kanë secila  një peshë prej 20% të barrës ekonomike dhe pjesa tjetër e mbetur prej 20% vjen si pasojë e ndotjes nga trafiku, menaxhimi i mbetjeve dhe industria. Vlerësimi i barrës ekonomike për qytetet si pasojë e ndotjes është një e dhënë e rendësishme e cila orienton drejtimet në të cilat duhet të zhvillohen politikat dhe strategjitë e rëndësishme për një të ardhme të qëndrueshme.