Organizatat e shoqërisë civile me fokus mjedisin organizuan në datën 22 shkurt 2024, përpara parlamentit, një protestë kundër ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura. Sipas tyre “Projektligji i hap rrugën shkatërrimit të Parqeve Kombëtare dhe shënon fundin e funksionimit të Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura duke zhvlerësuar në këtë mënyrë përpjekjet dhe investimet e bëra për dekada me rradhë për mbrojtjen e pasurisë natyrore të vendit”.
Me miratimin e projekt-ligjit qeveria Shqiptare ka shpërfillur thirrjet e Bashkimit Evropian për të ndaluar votimin e tij në parlament, duke i ulur pikë Shqipërisë në sytë e BE-së dhe duke vështirësuar në të njëjtën kohë integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane. Shqetësimi kryesor i organizatave mjedisore lidhet me projekt-ligjin e ri i cili i jep Këshillit Kombëtar të Territorit autoritet domethënës për të kufizuar ose lejuar veprimtarinë njerëzore që do të zhvillohet brenda “Zonave të Mbrojtura”.
Ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura, i miratuar me shumicë të thjeshtë, në Kuvend , është ngjarja më e rëndë kundër natyrës, qysh prej vitit 1997. Por nëse në ’97-ën shkatërrimi ishte si pasojë e veprimeve banditeske të grupeve mafioze e ilegale në kushtet kur në vend mbretëronte kaosi social, kur nuk ekzistonte shteti, kur rrugët patrulloheshin nga njerëz të armatosur, këtë radhë, një çerek shekulli më pas, në situatë dhe kohë tërësisht të re, shkatërrimi i natyrës po kryhet nga vetë autoriteti shtetëror, me ligj, paradoksalisht, nga i njëjti ligj që është bërë për ta mbrojtur. Është një situatë edhe më e rrezikshme, edhe më e dëmshme, pasojat e së cilës ekspertët e mjedisit po i konsiderojnë, tashmë, si të parikuperueshme.
Dëshpërimisht, mund të themi se nxitësit dhe realizuesit e ndryshimeve ligjore ia arritën qëllimit duke bërë të mundur që këtej e tutje të mos jenë planet e menaxhimit, por vendimet e Këshillit të Ministrave që do të përcaktojnë se cilat aktivitete do të lejohen brenda zonave të mbrojtura. Pra, fuqia kalon, nga ekspertët tek burokratët e emëruar politikisht.
Ndryshimet përfundimtare mbi menaxhimin e zonave të mbrojtura mbeten në dorë të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), duke përjashtuar nga përgjegjësia Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Por KKT-ja është organi më i lartë zhvillimor në hierarkinë e organeve planifikuese, qëllimi i së cilës mbetet zhvillimi urban e jo konservimi, sikundër këtë të fundit e ka ligji i zonave të mbrojtura.
Së fundi mund të thuhet se peizazhet e mbrojtura (Narta, Velipoja, Ohri, kryesisht ekosistemet bregdetare dhe ligatinore) do të kenë vetëm një nënzonë; bie nënzona qëndrore, duke i dhënë mundësi zhvillimeve turistike (hoteleve me pesë yje) brenda tyre, sipas rregullave të KKT-së. Zonimi nuk konsiderohet më një çështje përmbajtësore, por një “element tekniko-formal”.