Kalendari Mjedisor

Shkurti drejt thyerjes së rekordeve të temperaturave më të ngrohta në vend dhe Botë

Ngrohja globale e nxitur nga njeriu, e ndërthurur edhe me fenomentin El Niño ka shkaktuar rritje të papritur të ngrohjes së ujërave në oqeane dhe ka shtuar ditët e ngrohta gjatë dimrit.

By admin

Sipas meteorologëve, muaji shkurt po thyen rekordet e temperaturave duke qenë një ndër më të ngrohtit, krahasuar me vitet e kaluara. Diçka e tillë mund të jetë si pasojë e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu apo edhe faktorët natyrorë të lidhur me klimën (sikurse është fenomeni global El Niño) të cilat kanë rritur temperaturat në tokë dhe dete kudo në botë.Vetëm në gjysmën e parë të muajit më të shkurtër të vitit, rritja e temperaturave është bërë aq evidente sa grafikët klimatikë të 2024-ës kanë ndryshuar dukshëm nga ata të viteve të kaluara. Dallimi më i madh i referohet temperaturave të sipërfaqeve detare të cilat kanë avancuar në një pikë të tillë sa ekspertët e kanë të vështirë të shpjegojnë arsyet e këtyre ndryshimeve.  

“Ngrohja e Globit po ndodh në vlera dhe shpejtësi jashtëzakonisht të frikshme. Ne po shohim rritje alarmante të temperaturave të oqeaneve, konsideruar këta të fundit si rezervuarët më të mëdhenj të nxehtësisë”, thotë Dr Joel Hirschi, Drejtori i Sistemeve të Modeluara të Deteve nga Qendra Kombëtare e Oqeanisë. Ai vazhdon më tej duke shpjeguar se 2024-ra po tejkalon pritshmëritë duke u shtuar interesin për ta kuptuar fenomenin e ngrohjes përmes kryerjes së studimeve të vazhdueshme. “Njerëzimi është duke përjetuar muajin më të nxehtë të Shkurtit të regjistruar në histori, pas një rekordi temperaturash të Janarit, Dhjetorit, Nëntorit, Tetorit, Shtatorit, Gushtit, Korrikut, Qershorit, dhe Majit të vitit 2023”, shprehet shkencëtari Zeke Hausfather.

Ai tha se ngrohja mbi normalen përgjatë muajve të fundit të bën të dalësh në përfundimin se planeti po i afrohet vlerës 2oC më e lartë se periudha paraindustriale, megjithëse kjo mund të jetë një periudhë e shkurtër e shkakruar nga El Niño nëse do të ndjekë rrjedhën e viteve të shkuara e cila ka shkuar drejt uljes së temperaturave apo normalizimit të tyre në muajt që vijojnë.Gjysma e parë e muajit i shokoi vëzhguesit, poston Maximiliano Herrera në blogun Temperaturat ekstreme përreth botës. Ai e përshkruan rritjen e temperaturave të matura në disa qindra stacione metereologjike si të “çmendur”, “marrëzi totale”, dhe “rishikim i historisë klimatike”. Ajo çka atë e habit nuk është rekordi por tejkalimi i shtrirjes në kohë të këtyre temperaturave.

Dr. Ani Bajrami kërkuese shkencore dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës Natyrës shpjegon për Klima.al se “vështirësia e dhënies së një mendimi parashikues lidhet me kompleksitetin e fenomenit të ndryshimeve klimatike por një fakt është i pamohueshem: temperaturat globale sa do vinë e do rriten nëse nuk merren masa serioze për uljen e emëtimit të gazeve serë në atmosferë”. Gjithashtu ajo shtoi, se jo vetëm muaji shkurt, por gjatë muajve në vijim, mund të shënohen temperatura më të larta se ato të vitit 2023, për shkak edhe të efektit El Nino.Sipas Maximiliano Herrera temperaturat tejkaluan rekordet e regjistruara në 140 vende të botës, ngjarje e ngjashme me tejkalimin me 6 muajt e fundit më të ngrohtë të vitit 2023 dhe më shumë se 3 herë se çdo muaj para 2023-it. 

Ngrohja e sipërfaqeve oqeanike vazhdon të surprizojë vëzhguesit sezonalë dhe të rrisë mundësinë për stuhi në muajt e mëvonshëm të vitit. Sipas Hirschi vlerat globale të temperaturave të sipërfaqeve detare janë jashtë “kurbës normale”, duke parashikuar që muaji Mars të tejkalojë rekordet e muajit Gusht duke qënë se Marsi është muaj tipik i ngrohtë për oqeanet sepse përkon me verën e vonë në hemisferën jugore, e cila cilësohet si shtëpia e pjesës më të madhe të deteve në botë. Piku i temperaturave ishte i pritshëm ndërsa amplituda e tyre është surprizë.  Kërkuesit janë duke studiuar kush janë shkaqet që mund tu atribuojnë peshën e luhatjeve të theksuara të temperaturave.  Francesca Guglielmo, Kërkuese e lartë e Kopernikus theksoi se El Niño i ndërthurur me disa faktorë të tjerë ka ndikuar në rritjen e temperaturave. Ajo shtoi se çdo ton karboni i shkarkuar nga njerëzimi shton presionin mbi oqeanet. 

Nga ana tjetër, Katharine Hayhoe, Drejtoresha Shkencore e The Nature Conservancy, shprehet që paqartësia mbi ndërveprimin e faktorëve të ndryshëm na kujton ne se njerëzimi nuk e ka aftësinë të kuptojë mënyrën se si sistemi tokësor i përgjigjet forcave të papreçedentë radioaktivë.  “Kjo është duke ndodhur me hapa më të shpejtë seç është regjistruar në të kaluarën. E vetmja gjë që ne mund të kuptojmë nga kjo është rëndësia që kanë këto në shoqërinë njerëzore”, pohoi ajo.  Hirschi u shpreh se ndikimi i El Niño është duke u dobësuar tashmë gjë e cila do të ulë temperaturat në Paqësorin ekuatorial në pranverën e vonshme dhe në verën e hershme megjithatë ajo paralajmëroi se nëse Atlantiku do të vazhdonte të qëndronte i ngrohtë kjo do të lajmëronte intensifikimin e stuhive detare. 

Referenca:

https://www.theguardian.com/environment/2024/feb/17/february-on-course-to-break-unprecedented-number-of-heat-records