Në Bashkinë e Rrogozhinës po shkon drejt zgjidhjes problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për banorët. Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri kanë avancuar dhe pritet që vepra të jetë plotësisht në funksion vitin e ardhshëm, duke siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afro 12 mijë banorë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Alqi Bllako, ndoqën nga afër punimet, ku theksoi se puna do të ngrihet nga e para.
“Ky është një investim, me të cilin ne do t’u ofrojmë shërbim më të mirë rreth 12 mijë banorëve. Çfarë ka qenë më shqetësuese në zonën e Rrogozhinës është informaliteti i zonës. Një pjesë e madhe e ndërtesave, që janë shtuar gjatë fazës së tranzicionit, nuk kanë as rrjetin e furnizimit me ujë dhe është diçka që ne do t’a ngremë sot nga e para”, u shpreh Balluku.
Ministrja Balluku siguroi se Qeveria Shqiptare do të vijojë me investimet në sektorin e ujit dhe kërkoi angazhim për përfundimin brenda afateve të parashikuara në kontratë të punimeve për ujësjellësin e Rrogozhinës, në mënyrë që banorët të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm në banesat e tyre.
“Unë shpresoj që, sipas angazhimit, ju ta dorëzoni këtë vepër në shkurt të vitit 2020 dhe gjithë Rrogozhina të fillojë dhe të marrë sasinë e ujit që i përket për qytetarë, 150 litrat që ne synojmë në përmirësim të këtij shërbimi. Sigurisht synimi ynë kryesor është që uji i pijshëm të jetë në rubinetat e qytetarëve 24 orë në 24”, theksoi ministrja Balluku.
Duke ju referuar Javës Kombëtare të Ujit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vuri theksin tek rëndësia e sensibilizimit të qytetarëve duke kërkuar një angazhim nga të gjithë institucionet, lokale dhe qendrore.
Siç njofton zyra e shtypit, projekti për ujësjellësin e Rrogozhinës është i ndarë në tri faza, ndërsa përfshin rinovimin tërësisht të rrjetit të transmetimit si dhe rrjetin e brendshëm.