Kalendari Mjedisor

Një udhëzues për pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor

Organizata Mjedisore Endemika ka  publikuar udhëzuesin: “Pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor”.  Hartimi i një udhëzuesi të tillë, ka ardhur si kërkesë dhe nevojë për ti mbështetur dhe udhëzuar Organizatat e Shoqërisë Civile për përfshirje më efikase në procesin e vendimmarrjes mjedisore duke u bërë pjesë aktive e vlerësimit për plane dhe programe për sektorë të caktuar zhvillimorë si në nivelin lokal dhe në atë qendror. 

By admin

Organizata Mjedisore Endemika ka publikuar udhëzuesin: “Pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor”. Hartimi i një udhëzuesi të tillë, ka ardhur si kërkesë dhe nevojë për ti mbështetur dhe udhëzuar Organizatat e Shoqërisë Civile për përfshirje më efikase në procesin e vendimmarrjes mjedisore duke u bërë pjesë aktive e vlerësimit për plane dhe programe për sektorë të caktuar zhvillimorë si në nivelin lokal dhe në atë qendror. 

Duke e ditur faktin se Vlerësimi Strategjik Mjedisor është një proces informativ dhe transparent, njohja e mirë e tij do ti mundësojë organizatave të shoqërisë civile që përmes përfshirjes aktive të japin kontributin e tyre për përmirësimin e planeve dhe programeve por edhe prezantimin e çështjeve mjedisore me interes të përgjithshëm.

Vlerësimi Strategjik Mjedisor është një instrument mbështetës në vendimmarrjen mjedisore, i cili mund të kontribuojë në forcimin e angazhimeve të shoqërisë për zhvillim të qëndrueshëm, menaxhimin efikas të resurseve dhe ekonomisë së gjelbër.  

Ky udhëzues është hartuar me qëllim që të përdoret nga organizatat e shoqërisë civile për të nxitur interesimin e tyre për pjesëmarrje në procesin e VSM-së, gjatë hartimit të planeve dhe programeve në përputhje me legjislacionin nacional dhe atë evropian.   

Udhëzuesi mundë të përdoret edhe nga organizata tjera qeveritare dhe joqeveritare, duke përfshirë edhe vendimmarrësit, ekspertët, bizneset etj, të cilat dëshirojnë të përdorin VSM për të lehtësuar qasje të integruar në strategjitë e planifikimit dhe të zhvillimit, me qëllim të sjelljes së vendimeve më të qëndrueshme dhe më efikase. 

Gjithashtu, udhëzuesi ofron një ndihmë të dobishme edhe për të gjitha organizatat tjera, individëve dhe publikun e gjerë që kërkojnë të rrisin dhe zgjerojnë kapacitetet e tyre për VSM-në, me qëllim që të kontribuojnë në përmirësimin e vendimeve përmes angazhimit dhe pjesëmarrjes aktive në procesin e vendimmarrjes për mjedisin. 

Ky udhëzues mund të shërbejë edhe si një dokument lehtësues, që do ti mundësojë organizatave të shoqërisë civile që ti identifikojnë mundësitë e tyre për të kontribuar në procesin e vendimmarrjes gjatë zbatimit të VSM-së, duke kërkuar që ti zbatojnë të drejtat e tyre për informim mbi proceset dhe dokumentet që ndërlidhen me hartimin e planeve dhe programeve që janë subjekt i VSM-së, apo edhe përmes monitorimit apo zbatimit të masave lehtësues të propozuara gjatë hartimit.  

Udhëzimet e përmbledhura në këtë dokument, mes tjerash ofrojnë informata për bazën ligjore për zbatimin e VSM, rëndësinë e saj, parimet themelore, sektorët zhvillimorë dhe nivelet ku kërkohet zbatimi i VSM, dallimin në mes të VSM nga VNM, fazat e zbatimit, metodat dhe teknikat në procesin e VSM-së, format e përfshirjes së OJQ në zbatimin e saj, përfitimet dhe problemet që dalin gjatë zbatimit si dhe shembuj dhe praktika të mira të zbatimit të VSM në nivelinl lokal, nacional dhe ndërkufitarë. 

Udhëzuesi është hartuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile për pjesëmarrje në procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor”. Ky projekt është financuar nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadër të programit European Union 4 Kosovo, Projekti “Empower – Engage – Build Ownership”, i përkrahur nga Koalicioni i Organizatave: Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Zhvillimin e Politikave (INDEP).

Për më shumë shkarkoni udhëzuesin:

https://www.docdroid.net/BxnI8Z1/udhezues-pjesemarrja-e-oshc-ve-ne-procesin-e-vsm.pdf?fbclid=IwAR381bTiZUK0zGv2hAI6Ngq8LZgRF_XrZHuMZiZ4x0t05fnxvuFp3gL7JNs