Apeli Administrativ shpall moskopetencën, Kopshti Botanik në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë

Çështja e Kopshtit Botanik do ti kalojë për gjykim  Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë. Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi sot padinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me kundërshtinë që ata i bënë vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nga Universiteti te Bashkia e Tiranës.

By admin

Çështja e Kopshtit Botanik do ti kalojë për gjykim  Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.

Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi sot padinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me kundërshtinë që ata i bënë vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nga Universiteti te Bashkia e Tiranës.

Sipas saj, organi që mund të shqyrtojë këtë akt të Këshillit të Ministrave është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe për këtë qëllim padia e paraqitur nga universiteti duhet të rrëzohet dhe të mos merret në shqyrtim.

Reagon  Universiteti

Drejtoria Juridike dhe e Marrëdhënieve me Jashtë në Universitetin e Tiranës në një deklaratë për mediat thotë se Apeli ka mbajtur dy seanca gjyqësore për këtë çështje.

“Në seancën e datës 29.10. 2019, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë rrëzoi kërkesën e Avokaturës së Shtetit pranë Kryeministrisë, MASR dhe të Bashkisë Tiranë, duke vendosur legjitimimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës në ngritjen e padisë me objekt: Shfuqizimin e VKM -së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Ndërsa në seancën e sotme datë 14.11. 2019, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë vendosi: Shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Përsa më sipër, kërkesë padia e ngritur nga Rektori i UT-së kundër VKM-së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë”.

Vendimi për Kopshtin Botanik, reagon Luçiano Boçi

Partia Demokratike në një reagim thotë se Apeli e konsideroi të drejtë grabitjen.

Luçiano Boçi: E tillë është konsideruar grabitja që i bënë Kopshtit Botanik, Bashkia e Tiranës dhe Kryeministria.Gjykata Administrative nuk ka pranuar padinë e Rektoratit dhe Dekanatit ndaj VKM-së 510.Nuk kishte si të ndodhte ndryshe!

Grabitjet, vjedhjet, mashtrimet kanë kohë që në Shqipëri janë ligjëruar.I gjen kudo me VKM, me ligje speciale, emërime me shumicë votash….

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse vendimi ishte marrë nga ekzekutori i drejtësisë, vetë kryeministri dhe dukej si përrallë shfuqizimi.

Nga ai që ka kapur institucionet e Drejtësisë, po rrëmben Gjykatën Kushtetetuese dhe që kjo administrativja i duket si zbavitje.

Pas kësaj Bashkia Tiranë nuk do merret vetëm me punë botore por dhe me punë shkencore…

Rroftë liria akademike e Bashkisë!