Të shoqërosh të huajt në zona të thella të Shqipërisë, larg qendrave urbane është një punë që shumë të rinj po e kërkojnë, edhe pse ende operatorët turistik në vend ankohen për mungesë guidash lokale në shumë zona.
Mirsad Basha, është një djalë i ri nga Shkodra i cili është shumë i angazhuar me udhëtimet në natyrë, aksionet vullnetare të pastrimit, por edhe me aktivitetet që kanë të bëjnë me mjedisin.
Sa herë që shikon mbeturina të hedhura vend e pa vend, ai merr përsipër të organizojë aksione për pastrimin e tyre, edhe pse, jo gjithmonë kjo është zgjidhja. Duhet një ndërgjegjësim më i madh tek njerëzit, për të cilët natyra duhet të jetë e shenjtë.
Ndërsa të huajve ndotja u vret sytë.
Sipas Bashës, ata befasohen nga bukuritë natyrore të vendit tonë, por nuk i justifikojnë shishet e qeset që i gjejnë te hedhura vend e pa vend.
A është ndotja një problem? Sipas Mirsadit, i cili çdo fundjavë shëtit me turistë, shqiptarë e të huaj, kjo është një çështje që nuk ka gjetur zgjidhje ende.
Sipas tij, kur të huajt ndeshen me peizazhe të ndotura, nuk mendojnë shumë, por përveshin mëngët dhe pastrojnë çdo gjë që mund të heqin nga toka.
E gjithë kjo nuk është një situatë që na shërben.
“Duhet të kuptojmë që duhet të trashëgojmë një natyrë ashtu siç na kanë trashëguar të parët. Kur njerëzit ta kuptojnë këtë gjë atëherë do të rritet jo vetëm edukata mjedisore, por dhe dashuria për vendin e tyre, sepse atdhetar nuk je vetëm kur luan kombëtarja, por edhe kur kujdesesh për vendin tënd”, shprehet Mirsad Basha për Dita-n.
-Mirsad, të shohim vazhdimisht të angazhuar, me udhëtime në natyrë, por edhe në aksion duke u kujdesur për mjedisin. Ku udhëton më tepër?
Më tepër udhëtojmë në vende të panjohura për rininë shkodrane. Kjo për arsye që t’i tregojmë rinisë tonë se sa vende të bukura që kemi. Në disa pika gjejmë dhe ambiente të ndotura dhe më pas mund të organizojmë dhe pastrime në këto zona turistike. Në këtë mënyrë këto udhëtime nuk bëhen vetëm turistike, por dhe mjedisore ku jepet shembulli i lëvizjes ekologjike me biçikletë, por dhe i pastrimeve të shumta që bëjmë në natyrë.
-Cila është lidhja jote me natyrën?
Prej kohësh, që i vogël, lidhja me natyrën, me pemët, kafshët me çdo gjë të gjallë në këtë tokë ka qenë e fortë. Kjo për arsye sepse përqendrohesha shumë në natyrë me lojëra që ndoshta një moshatar i imi nuk e kalonte kohën në atë mënyrë, duke krijuar një kohë të lirë i vetëm me ato që më shumë më pëlqenin, milingona, koleksione gjethesh, krijime në atë botë të vogël imagjinare të lumenjve, liqeneve etj. Kur isha i vogël nuk shikoja filma të animuar, por dokumentarë natyrorë që në atë kohë quhej Super Quark në Rai Uno.
-Ju shkoni në vende të ndryshme me turistë, çfarë mendimi kanë ata për vendin tonë, për të huajt e kam fjalën. A të japin një përshtypje?
Të huajt e adhurojnë vendin tonë, sidomos pjesën e alpeve. Mendimet e tyre janë gjithmonë më pozitive për natyrën e bukur, mikpritjen karakteristike shqiptare ku vetë thonë që në Shqipëri një banor i rastësishëm mund ta lërë punën ose rrugën e tij për të na shoqëruar dhe informuar.
Ata janë të dashuruar me vendin tonë, edhe pse nga eksperiencat e tyre thonë që me këtë fluks të madh turistik që kemi, do shtohen bujtinat në një arkitekturë të papërshtatshme duke dëmtuar imazhin e zonave dhe shërbimet nuk do jenë më si të parat, ku prodhimi i produkteve të vendit nuk do mbulojë dot numrin e vizitorëve.
-A kemi probleme me ndotjen?
Patjetër! Problemet janë në mes të qyteteve dhe gjithashtu dhe në fshatra dhe në këto zona periferie më shumë. Por mos të harrojmë që zonat periferike janë ato më të bukurat dhe turistike!
-Pse gjejmë plehra gjithandej?
Keqmenaxhimi i mbetjeve krijon dhe një kulturë të keqe tek qytetarët, edhe pse këta të fundit janë shkaktarët kryesorë të ndotjes. Por, sikur në fshatra dhe në zona turistike të kishte kosha mbeturinash dhe pastrim të rregullt, atëherë gjërat do ndryshonin vetëm për mirë.
-Edhe pas një pikniku në natyrë, gjurmët janë shumë të dukshme, sidomos nga plehrat?
Varet sipas zonave! Për shembull njerëzit që dalin në natyrë për piknik e kanë një kulturë mjedisore, sepse përderisa kanë përzgjedhur të hanë në natyrë, ata e pëlqejnë atë dhe kujdesi ndaj saj është më i madh! Por ka zona që edhe ka ndotje nga pikniku, si djegie nga zjarret të cilat shërbejnë për të gatuar ushqime të tyre ose dhe ndonjë shishe. Këto të fundit vijnë nga një moshë e re, e cila mbas konsumimit të alkooleve nuk shqetësohen të pastrojnë atë që kanë ndotur. Ndonjëherë ka pasur dhe rreziqe zjarri ndër pyje për faj të këtyre personave…
-A habiten të huajt për këtë gjë, pasi peizazhi është i bukur por… i ndotur?
Kur të huajt ndeshen me peizazhe të ndotura, nuk mendojnë shumë, por përveshin mëngët dhe pastrojnë çdo gjë që mund të heqin nga toka. Normalisht ata habiten sepse mendojnë që këto vende kaq të bukura ne duhet t’i përdorim për të rritur turizmin dhe ekonominë, por ne nuk i japim shumë rëndësi kësaj natyre kaq të mrekullueshme.
-Pse e kemi kaq të vështirë të edukohemi në këtë drejtim?
Ne të gjithë duhet të kuptojmë që çdo gjë që na rrethon është një pasuri jo vetëm kombëtare, por edhe trashëgimore. Duhet të kuptojmë që duhet të trashëgojmë një natyrë ashtu siç na kanë trashëguar të parët. Kur njerëzit ta kuptojnë këtë gjë atëherë do të rritet jo vetëm edukata mjedisore, por dhe dashuria për vendin e tyre, sepse atdhetar nuk je vetëm kur luan kombëtarja, por edhe kur kujdesesh për vendin tënd.
-Sa e dëmton kjo turizmin?
Normalisht turisti nuk dëshiron të jetë përballë një ndotje në vendet ku shkon dhe recesioni negativ që vendos për atë zonë mund të jetë i dëmshëm për turistët e tjerë që kanë dëshirë ta vizitojnë.
-Cili është vendi më i ndotur që ke parë?
Vendi më i ndotur është grykëderdhja e Bunës në detin Adriatik, aty ku derdhet Buna e cila merr mbeturinat e të gjitha fshatrave të Shkodrës, por edhe ndotjet e lumit Drin dhe Kir të cilët bashkohen me të. Gjithsesi kjo zonë e madhe është pastruar nga disa aksione që kemi organizuar dhe zona është e pastër dhe e aksesushme për çdo turist.
Por, zonat më të ndotura në përgjithësi janë në fshatrat ku ka lumenj. Sepse banorët nga mungesa e koshave e kanë kthyer lumin në një kosh mbeturinash.
-Po a zgjidhjet ky problem vetëm me aksione vullnetare pastrimi?
Aksionit e pastrimit janë më shumë sensibilizuese, edhe pse ne si “EKO Mendje” kemi bërë shumë shërbime dhe aksione masive pastrimi, por duhen të krijohen sa më shumë politika për mbrojtjen e mjedisit, si në vendosjen e gjobave të atyre bizneseve që ndotin, heqja në treg e qeseve dhe e shisheve plastike. Kjo behet me politika të veçanta që nëpër botë kanë filluar me kohë të implementohen.
-Po aksioni i fundit i pastrimit ku keni marr pjesë?
Aksioni i fundit ishte në Kepin e Rodonit. Ishim afërisht 1 mijë aktivistë nga e gjithë Shqipëria dhe u pastruan me tonelata mbetje.
-Mirsad, çfarë do të ndodh në Lumin e Shalës në Qershor, do të kemi një festë?
Si çdo qershor hapim sezonin turistik në atë zonë. Një zonë e vizituar masivisht nga turistët e vendit dhe të huajt. Këtë hapje të sezonit e organizojmë me një festë të madhe dhe kamping në natyrë.
-Pse keni zgjedhur këtë vend për organizimin e kësaj feste?
Kemi zgjedhur këtë zonë sepse është një zonë e larguar ku s’ka as drita as internet dhe kemi dëshirë që rinia t’i kthehet natyrës.
Të argëtohet në të dhe të harrojnë të paktën për dy dite teknologjinë e cila edhe pse quhen rrjete sociale i ka bërë ata më antisocial.
-Cilat janë të veçantat e këtij vendi?
Të veçantat janë uji me ngjyrën smeraldi, rëra në male e cila është e veçantë sepse zakonisht në alpe nuk behet plazhe, por aty mundesh, relievi, gjelbërimi dhe çdo gjë tjetër që syri i njeriut nuk i sheh çdo ditë sepse Natyra ka ruajtur virgjërinë e saj.
-Ka patur interes deri më tani?
Interesi është i madh sepse përveç organizimit që bëjmë në këtë festë, promovimi që i kemi bërë prej 3 vitesh është i madh dhe ne organizojmë udhëtime dhe në ditë të tjera të javës dhe shikojmë qe një interes në rritje të vizitorëve në atë zonë.