Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “problematika e derisotme në zbatimin dhe detyrimin e legjislacionit për mjedisin ka treguar se mjedisi nuk mbrohet dhe nuk mund të mbrohet siç duhet vetëm me një legjislacion administrativ, prandaj ai duhet të plotësohet edhe me veprat penale në fushën e mjedisit dhe me sanksionet përkatëse të parashikuara në Kodin Penal”.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se plotësimi i këtij ligji vjen për të siguruar një vazhdimësi dhe një konsistencë midis kërkesave ligjore të legjislacionit dhe parashikimeve të Kodit Penal, që edhe ky i fundit t’i reflektojë këto kërkesa të legjislacionit europian në fushën e mjedisit”.
“Nga ana tjetër kemi bërë disa ndryshime dhe përparime të rëndësishme në transpozimin e direktivës europiane për mbrojtjen e mjedisit përmes ligjit penal, raporti i progresit për vitin 2016 thekson se faktin se direktiva për krimin në mjedis ende nuk është transpozuar, që do të thotë se legjislacioni nuk ka përfunduar duke u kornizuar në Kodin Penal”, – nënvizoi Rama.
Prandaj, shtoi ai, paketa e re përcakton veprat penale të kryera nga persona fizikë dhe juridikë, të kryera me dashje apo nga pakujdesia që bien ndesh me legjislacionin që ne kemi miratuar, specifik për mjedisin, dhe për një sërë aspektesh të gjithë kuadrit të jetës dhe të mbrojtjes së mjedisit.
“Është bashkëpunuar intensivisht nga grupi i përbërë nga drejtues të komisioneve përkatëse, ministrave, ekspertëve, por siç e thashë paketa është e hapur për përmirësime jo për lehtësime, për përmirësim dhe pasurim të mëtejshëm të saj. Paketa adreson dhe nuk do të kalojë këtu të gjithë nenet, por do të prekë disa prej tyre, pasi është e rëndësishme t’i jepet përgjigje grupeve të interesit dhe që kanë këmbëngulur për këtë paketë ndryshimesh”, tha Rama.