HEC-i i parashikuar të ngrihej në përroin e Rehovës, degë e lumit të Kardhiqit në fshatin Kolonjë të njësisë administrative Picar në Gjirokastër, nuk do të ndërtohet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka vendosur pezullimin e procesit pas shqetësimit të ngritur nga banorët për impaktin që shkaktonte ndërtimi i kësaj vepre në zonën në fjalë.
Ministrja Belinda Balluku, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, së bashku me deputetin Flamur Golemi, zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Kolonjës, pas ankesës së këtyre të fundit në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al.
“Po të gjykosh nga mënyra se si është propozuar ndërtimi i këtij HEC-i, në bazë të letrave, ka njerëz të fshatit që kanë firmosur, që kanë qenë në takim, pra 20 veta kanë qenë së bashku dhe kanë rënë dakord që kjo gjë të bëhet. Pra, po ju them që kjo bisedë është bërë me banorët, njerëzit kanë firmosur mbase pa ditur se për çfarë diskutohej, mbase të mosdakordësuar siç duhet, por po ju them që ky rasti i sotëm, dhe ne prandaj jemi të dy ministrat këtu dhe deputeti, për ta bërë këtë gjë jo vetëm për ju këtu, se ky vendim tani është marrë nga Ministria e Energjetikës, por për ta bërë për të gjithë Shqipërinë. Dhe njerëzit nuk kanë pse firmosin në mënyrë të pandërgjegjshme, dhe që duhet të kuptojnë që tani janë gjërat shumë të rëndësishme, janë gjëra që kanë të bëjnë me jetën e fshatit, me jetën e krahinës”, tha ministri Klosi.
Ministrja Balluku nga ana e saj garantoi banorët se HEC-i në zonën e Kolonjës nuk do të ndërtohet, pasi bie ndesh me kërkesat e komunitetit duke sjellë në vëmendje edhe faktin se zona në fjalë është një zonë me potencial të madh turistik.
“Ky HEC nuk do të ndërtohet. Procedura është pezulluar për të mos u hapur më. Është e anuluar. Kjo procedurë nuk qëndron më pasi ka rënë ndesh me kërkesat e komunitetit. Sigurisht uji është shumë i rëndësishëm për fshatin tuaj dhe fshati juaj bën pjesë në një zonë e cila përveç disa elementëve të zonave të mbrojtura që ka po bëhet pjesë e 100 fshatrave”, u shpreh Balluku.
Ministrja informoi banorët edhe me iniciativën e ndërmarr nga ministria që ajo drejton sa i takon skanimit të kontratave të të gjithë HEC-eve në vend dhe ku tashmë disa prej tyre janë anuluar. “Të gjitha HEC-et kudo që janë, për shkak të ankesave të shumta dhe për shkak të problematikës që unë kam hasur nga dita e parë në atë detyrë, kanë kaluar në një skanim të plotë. Disa prej tyre janë anuluar dhe HEC-i për të cilin po flasim ka kaluar skanimin dhe i plotëson kushtet për t’u anuluar”, theksoi Balluku.
Duke ju referuar faktit që banorët e kësaj zone shqetësimin e tyre për ndërtimin e HEC-it e adresuan në platformën e bashkëqeverisjes, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se “rëndësi ka që zëri i qytetarëve në këtë mandat është shumë më i fortë dhe fjala bashkëqeverisje nuk është një propagandë politike, por është e vërtetë. Ne qeverisim bashkë me ju”.
Qëndrim të njëjtë mbajti edhe ministri Klosi, i cili premtoi se bashkë me ministren e Infrastrukturës, dëgjesat publike me qytetarët dhe për qytetarët do të vijojnë në të gjithë Shqipërinë, për të ndëshkuar çdo krim mjedisor, që për rrjedhojë rrezikon edhe jetën e qytetarëve.