Fiks Fare: Ngordhin peshqit në Drin, shkak Landfilli i Bushatit

Në sipërfaqen e lumit Drin lundrojnë peshq të ngordhur si pasojë e ndotjes së lumit nga Landfilli Bushatit. Por kjo ndotje shtihet edhe më tej duke prekur ujin e pijshëm të puseve të banorëve që jetojnë afër lumit. Këto problematika ngrenë banorët e dy fshatrave në Lezhë, fshatit Mabë dhe Barbullush të cilët dërguan në redaksinë e emisionit Fiks Fare foto dhe video peshqish të ngordhur. Dukuri e cila sipas tyre është e përditshme.

By admin

Në sipërfaqen e lumit Drin lundrojnë peshq të ngordhur si pasojë e ndotjes së lumit nga Landfilli Bushatit. Por kjo ndotje shtihet edhe më tej duke prekur ujin e pijshëm të puseve të banorëve që jetojnë afër lumit.

Këto problematika ngrenë banorët e dy fshatrave në Lezhë, fshatit Mabë dhe Barbullush të cilët dërguan në redaksinë e emisionit Fiks Fare foto dhe video peshqish të ngordhur. Dukuri e cila sipas tyre është e përditshme.

Fiksi udhëtoi drejt Lezhës për të parë situatën nga afër. Banorët e zonës shprehën shqetësimin se ndiheshin të rrezikuar nga ndotja, pasi fare pranë lumit, ata kanë shpuar puse për ujë të pijshëm. Konsumimi i ujit nga familjarët i bën të kenë frikë nga ndonjë sëmundje e mundshme. Ata thonë se jeta e tyre është në rrezik e kërkojnë nga Fiksi zgjidhje për problemin e tyre, pasi askush nuk ka marrë parasysh ankesat në lidhje me këtë histori.

Gazetarja e Fiksit shkoi së bashku me banorët në kanalin që del nga Landfilli i Bushatit e që derdhet në Lumin Drin, uji i të cilit ishte me ngjyrë të errët .

Pamjet e peshqve të ngordhur në Drin e bënin edhe më shqetësuese situatën duke treguar një nivel ndotjeje të lartë.

Fiksi iu drejtua Landfillit të Bushatit për të mësuar më shumë për situatën në lumin Drin.

Përgjegjësi i komunales në landfill tregoi se ujërat e zeza përpunohen dhe se në kontrollet që kanë pasur nga Inspektoriati i Shkodrës kanë dalë në rregull, por matje nuk janë bërë.

Edhe pse nuk janë bërë matje është dalë në përfundimin sipas përgjegjësit të komunales se nuk ka ndotje nga ky landfill. Ujin e zi në kanal ai e shpjegon se mund të ketë ndonjë papastërti që rrjedh nga ujërat e bardha.

Fiksi shkoi për të pyetur edhe në Inspektoriatin e Lezhës, inspektorja e këtij institucioni shprehet se për këtë situatë duhet të veprojë Inspektoriati i Shkodrës.

Ajo tregon se kur ka qenë kryeinspektore i ka dërguar një shkresë zyrtare Inspektoriatit Shkodër, por ende nuk ka marr një përgjigje. Inspektorja pohon se gjatë kontrolleve ata nuk bëjnë matje, por vetëm çfarë shohin me sy të lirë, pasi nuk kanë mjete apo laborator që të bëjnë këto lloj analizash.

Ky institucion ja ka deleguar problemin Shkodrës pasi Landfilli i Bushatit ndodhet në administrimin e saj. Ndërkohë që institucionet shpërndajnë përgjegjësitë, lumi Drin vazhdon të ndotet.