Rreth 12 mijë fidanë të rinj u mbollën gjatë ditëve të fundit në Parkun e Vaqarrit, në Tiranë.
Pjesë e Pyllit Orbital në këtë park Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit së bashku me donatorë e vullnetarë, mbështetës së nismës “Dhuro pemë për Tiranën”, mbollën pemë në të gjithë hapësirën e tij.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet se po shtohet gjelbërimi kudo në Tiranë.
“Jam kaq i lumtur që jo vetëm po shtojmë çdo ditë gjelbërimin kudo në Tiranë, qendër a periferi, por po tejkalojmë parashikimet për mbjelljet e këtij viti. Faleminderit Këshillit të Qarkut dhe çdo donatori që u bashkuat me nismën tonë “Dhuro një Pemë””, theksoi Veliaj.
Pemët ulin efektet nga ndryshimet klimatike, freskojnë temperaturën me 8 gradë dhe reduktojnë me 30 për qind përdorimin e kondicionerit. Ato shërbejnë si pastrues të shkëlqyer të ajrit, reduktojnë ndotjen akustike dhe janë burim ushqimi për komunitetin. Po ashtu, pemët pastrojnë ujërat dhe gjenerojnë turizmin.
Mbjellja e pemëve ka gjithashtu impakt edhe në shtimin e punësimit, përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik, si dhe socializimin e njerëzve.
Në kuadër të planit kombëtar të gjelbërimit të territorit, synohet mbjellja e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020.