Avancon projekti për HEC-in e Kalivaçit, kompania nis konsultimet për ndikimin në mjedis

Projekti për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit ka kaluar në një fazë të re që…

By admin

Projekti për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit ka kaluar në një fazë të re që lidhet me vlerësimin e ndikimit në mjedis. Kompania koncesionare “Ayen-ALB” sh.a ka nisur konsultimet me palët e interesit ndër të tjera institucionet publike lidhur me përgatitjen e raportit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social për ndërtimin e këtij HEC-i.

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial bëri me dije se ishte pikërisht ky institucioni i radhës ku përfaqësues nga kompania koncesionare, dhe shoqëria “ABKONS” sh.p.k, e cila ndjek gjithë procesin e VNMS ishin prezentë së fundmi për të diskutuar rreth projektit. Vetë

ISHTI është i përfshirë në aspektin e projektit sa i takon pajisjeve dhe instalimeve elektrike. Projekti për Hidrocentralin e Kalivaçit është ende në fazën fillestare të tij dhe mbeten një seri hallkash për të arritur tek zbatimi praktik në terren.

Kalivaçi, do investohen 125.3 milionë euro, historia e zvarritjes

Në vitin 2017 Ministria e Energjisë e asaj kohe do të shpallte garën për koncesionin e Hidrocentralit të Kalivaçit. Në fund të garës fitues rezultuan bashkimi i operatorëve “Ayen Enerji” dhe “Fusha SH.P.K”. dhe sipas kontratës së nënshkruar me qeverinë do të investojnë 125.3 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Vjosë. Ky i fundit do të një kapacitet të instaluar prej 111 MW kurse prodhimi vjetor i energjisë 366.6 milionë kilovat. Ndërtimi sipas afateve të kontratës pritet që të mbyllet brenda vitit 2021.

Hidrocentrali i Kalivaçit është një projekt që daton nga viti 1997 dhe është shoqëruar me një histori e gjatë zvarritjeje dhe konfliktesh gjyqësore. Ai iu dha për herë të parë një kompanie italiane Hydro.S.R.L  ku aksioner ishte edhe biznesmeni italian, Francesco Becchetti. Kompania do të duhej të ndërtonte një HEC 100 MW por që nuk ndodhi asnjëherë dhe u shoqërua me përplasje të shumta.

Beccheti paditi shtetin shqiptar në tetor 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, ku u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej €137 milionë euro si dhe pagesa e të gjithë kostove të paditësit dhe procesit të arbitrazhit.

Qeveria shqiptare nga ana tjetër do të bënte një kundërpadi duke cituar mospërputhjen e detyrimeve nga ana e kompanisë italiane. Gjykata vendosi në favor të Shqipërisë duke i kërkuar kompanisë paditëse të paguante shpenzimet e gjyqit.