Shkatërrimi 1.7 miliardë dollarë- Si u bë Shqipëria për 20 vjet vendi i fundit në rajon për pasurinë pyjore!

Shfrytëzimi i jashtëligjshëm në kufinjtë e barbarisë, pa kriter, pa politika të mirëfillta, vjedhja sistematike, prerja e paligjshme e drurëve, kanë bërë që fondi pyjor i Shqipërisë të pakësohet me 40% vetëm 20 vitet e fundit. Tashmë Shqipëria renditet e fundit në rajon e në Evropë për sa i përket pasurisë pyjore.

By admin

Shfrytëzimi i jashtëligjshëm në kufinjtë e barbarisë, pa kriter, pa politika të mirëfillta, vjedhja sistematike, prerja e paligjshme e drurëve, kanë bërë që fondi pyjor i Shqipërisë të pakësohet me 40% vetëm 20 vitet e fundit. Tashmë Shqipëria renditet e fundit në rajon e në Evropë për sa i përket pasurisë pyjore.

E shprehur në terma financiarë, kemi vjedhur, shpërdoruar e kontrabanduar një pasuri kombëtare me vlerë që llogaritet rreth 1.7 miliardë dollarë, në një kohë që Ministria e Mjedisit e llogarit vlerën financiare të fondit të pyjeve rreth 4.2 miliardë dollarë.

Fondi pyjor kombëtar është pakësuar me rreth 1.5 milionë metra kub dru në vit, për një total prej rreth 30 milionë kub në 20 vitet e fundit. Shifra më alarmuese vërehen te pakësimi drastik i pyjeve të virgjër: Sipërfaqja e tyre është pakësuar me 85%,  e thënë në numra, nga 75 mijë hektarë që ishte në vitin 1997, sot është reduktuar në 11 mijë hektarë.

Të dhënat alarmante vijnë përmes një analize të Ministrisë së Mjedisit, e bërë publike në Dokumentin për Politikat e Pyjeve në Shqipëri dhe kanë të bëjnë me volumin e fondit pyjor. Ndërsa sipërfaqja e pyjeve mbetet pak a shumë e pandryshuar, vetëm për periudhën 2006-2017,  volumi i pemëve është pakësuar me 32%,  duke rezultuar aktualisht më pak se 55 milionë metra kub.

Ky pakësim drastik i volumit të pyjeve na rendit të fundit në Evropë e Rajon po t’i referohemi volumit mesatar të drurëve për hektar. Ndërsa as nuk afrohemi dot me vende si Sllovenia, Rumania, Kroacia, apo Bosnja ku volumi i pyjeve arrin deri 346 metra kub për hektar, jemi shumë prapa edhe një vendi të vogël si Mali i Zi. Ndërsa kemi thuajse të njëjtën sipërfaqe pyjore me këtë vend,  për sa i përket vëllimit, nuk arrijmë as sa gjysma e fondit të tij, duke qenë se ky tregues në Shqipëri është vetëm 66 metra kub dru për hektar.

Shkaktarët kryesorë

Deri ne vitin 1990, pavarësisht nga forcimi i sektorit, shteti, nëpërmjet një sistemi triskëtimi garantonte vetëm furnizimin e familjeve në qytete me dru zjarri, çka tregon se “de facto” banorët e fshatrave vazhdonin të gëzonin të drejtën e përdorimit të pyjeve bazuar në traditë.

Në vitin 1985 përfundoi inventarizimi i tretë kombëtar i pyjeve, ku fondi pyjor zinte gjithsej 1,048 mijë ha (prej të cilëve 885 mijë ha pyje prodhues dhe 163 mijë ha pyje mbrojtës), ndërsa vëllimi total oshte 85,3 milion metër kub. Ky inventarizim vlerësoi se prerjet ishin mbi 2 herë më të mëdha se rritja vjetore e pyjeve.

Keqadministrimi dhe mungesa thuajse e plotë e çdo kontrolli pas viteve 90’ u shoqërua me dëme të pallogaritshme të fondit pyjor shtetëror. Boshllëku i krijuar nga mosplotësimi i nevojave energjetike të popullsisë u shoqërua me kërkesat e larta për dru zjarri, çka bën të lulëzonte aktiviteti i prerjeve të paligjshme, që bëheshin jashtë çdo kriteri teknik duke kompromentuar të ardhmen e pyllit.

Shpesh herë sipërfaqeve të prera në mënyrë të paligjshme u vihej zjarri për të zhdukur gjurmët e krimit pyjor.

Ndaj në janar 2016 u miratua Moratoriumi i Pyjeve, për të frenuar situatën.

Një fenomen që haset në popullsinë rurale është konsumi i lartë i lëndës drusore për ngrohje dhe për gatim, ku sipas censusit të 2011 rreth 85% e familjeve në zonat rurale përdorin drutë e zjarrit për ngrohje, ndërkohë që pjesa tjetër përdorin gazin, energjinë elektrike dhe shumë pak qymyrin e naftën.

Sipas INSTAT familjet rurale janë konsumatorët më të mëdhenj të lëndës drusore, duke zënë 65% të lëndës totale drusore për zjarr. Afërsia e zonave rurale me burimet pyjore siguron stimuj shtesë për familjet rurale, të cilat plotësojnë nevojat e tyre për ngrohje dhe gatim duke u mbështetur tek pyjet. E kundërta ndodh në zonat urbane ku përdorimin masiv e mban gazi, ndjekur nga drutë e zjarrit dhe energjia elektrike.

Pjesa më e madhe e institucioneve publike (me përjashtim të shkollave) në zonat urbane përdorin energjinë. Një tjetër fenomen për shoqërinë shqiptare është migrimi masiv drejt zonave urbane, ku 10- vjeçarin e fundit popullsia në fshat është zvogëluar me rreth 20%. Sipas statistikave të vitit 2016, shqiptarët që jetojnë në fshat përbëjnë 42% të popullsisë totale. Largimet kryesore i mban qyteti i Dibrës, Kukësit, Gjirokastrës dhe Korçës, qytete këto me përqindje shumë të lartë të popullsisë rurale.

Gjithashtu Shqipëria njeh fluks të lartë të emigracionit të popullsisë drejt vendeve perëndimore. Fenomeni i largimeve pritet të ulë kërkesën/presionin ndaj pyjeve, duke qenë se për banorët e zonave rurale pyjet përbëjnë burimin kryesor për plotësimin e nevojave si dhe krijimin e të ardhurave.

Ndërkohë zhvendosja e pritshme e popullsisë nga zonat rurale mundet edhe të përkeqësojë situatën e pyjeve duke qene se në mungesë të komuniteteve lokale, pyjet do të përballen me rrezikun e mungesës së forcave aktive për parandalimin dhe kontrollin e faktorëve të ndryshëm dëmtues si zjarret, sëmundjet, etj.

Statusi aktual i pyjeve

Aktualisht sipërfaqja e fondit pyjor në vitin 2017,sipas INSTAT, përbëhet nga një sipërfaqe totale prej 1,051,871 hektarë (ku 97% janë pyje publike apo 1,023,091 hektarë dhe vetëm 3% private ose 28,78014.

Tipologjitë e fondit pyjor përbëhen nga 36% trungishte, 28% cungishte dhe 36% shkurre. Nga të dhënat e INSTAT rezulton se 14% e sipërfaqes së fondit pyjor zihet nga pviet halore (ku 9% pishë e zezë, 1% bredh dhe 4% halore të tjerë).

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së fondit pyjor përkatësisht 50% zihet nga fletorët (16% ah; 29% lis, 0.17% plepa dhe pjesa tjetër nga fletorët e tjerë). Ndërsa 36% zihet nga shkurret (ku shkoza ka 12.6% të sipërfaqes, mareka 9% dhe shkurret e tjera 14.23%).

Ndërsa mosha e pyjeve përbëhet nga 22% trungishte me moshë mbi 100 vjet, 6% cungishte me moshë mbi 40 vjet dhe 30% shkurre me moshë mbi 20 vjet. Vihet re qe si pasojë e mbishfrytëzimit, Shqipëria aktualisht karakterizohet nga fakti që ka pyje të rinj.

Volumi i pyjeve ka vlerën prej rreth 55 milion m3 në këmbë dhe sipas tipologjive, rezulton se 84% e volumit përbëhet nga trungishtet, 10% e volumit përbëhet nga cungishtet dhe 6% e volumit nga shkurret.