Këshilli i Ministrave, me Vendimin Nr. 814, dt. 31.12.2018, miratoi Dokumentin e politikave për pyjet në Shqipëri, 2019–2030. Për përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij Dokumenti, po sjellim shkrimin në vazhdim.
Pyjet janë pasuri natyrore me rëndësi jetike, me shtrirje në të gjithë botën, duke u bërë kështu një e mirë efektive, pa dallim ndarje kufiri. Pyjet zënë rreth 1/3 e sipërfaqes së tokës, me rreth 4 miliardë ha. Një pjesë e mirë e sipërfaqes pyjore shtrihet në Evropë, rreth 180 milionë ha, duke e bërë nga rajonet më të pasura me pyje, me mëse 40 % të tokës të mbuluar prej tyre. Në Ballkan, sipërfaqja është 30 milionë ha ose 23 % e sipërfaqes totale të rajonit.
Në Shqipëri sipërfaqja pyjore është rreth 1 milion ha, duke zënë rreth 36 % të sipërfaqes së vendit, me një mesatare prej 0.36 ha/ banor. Kjo shifër është relativisht mesatare, krahasuar me vendet e tjera të rajonit (Mali i Zi e ka 0.9 ha/banor, Kroacia 0.44 ha/ banor dhe Serbia 0.3 ha/banor). Vëllimi i lëndës drusore, i përllogaritur, është rreth 55 milionë m3, me rënie prej 20 milionë m3 nga viti 2005, duke ulur kështum cilësinë e pyjeve tona dhe duke na karakterizuar si “vend i pasur me pyje të varfër”. Vitet e fundit, pyjet kanë zënë vend gjithmonë në rritje në agjendën politike dhe prioritetet e qeverisjes, duke kuptuar rëndësinë e pyjeve për cilësinë e jetës, zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit dhe ekuilibrat natyrorë. Gjendja e sektorit të pyjeve paraqitet e cunguar, pasi ka qenë vazhdimisht objekt ndryshimesh shumë të shpeshta (edhe si rezultat I reformave qeverisëse, si ajo territoriale, decentralizimi, institucionale, etj.), çka evidenton mungesën e një strategjie të qëndrueshme dhe të një analize të mirëfilltë të këtij sektori, por edhe nevojën për një reformim të thellë e afatgjatë. Vëllimi i pyjeve ka rënie alarmante (vetëm gjatë 2006-2017 ka rënë me 32 %), duke rezultuar aktualisht me një vëllim më pak se 55 milionë m3. Krahasuar me fqinjët dhe rajonin, duke iu referuar vëllimit kombëtare për “State of Europe’s Forests 2015″), del se Shqipëria renditet në fund, si vend me vëllim të varfër në pyje. Si pasojë e mbishfrytëzimit, aktualisht karakterizohet nga fakti që ka pyje të rinj. Analiza e gjendjes së këtij sektori nxjerr në pah trendin negativ të zhvillimit të pyjeve (nëse vazhdohet kështu … pas disa vitesh nuk do të kemi më pyje), me nevojë urgjente frenimin e degradimit, për të sjellë zhvillimin në kahun e duhur pozitiv. Po ashtu, vihet re mungesa e strategjive të mirëfillta të sektorit, të bazuara në analizë të thelluar e reale të gjendjes në terren, mungesën e Planit Kombëtar sektorial. Planet e mbarështimit mungojnë ose u ka mbaruar afati i veprimit (aktualisht nuk ka asnjë plan mbarështimi nga 364 ekonomi pyjore), kurse projektet e zhvillimit janë të paktë ose jo fizibël, për shkak trajtimi të copëzuar apo të pa integruar. Nuk ka pasur një Dokument Politikash, vetëm Strategjia (jo e mirëfilltë) e 2004 me kontekstin e 15 viteve më parë, e cila është hartuar përpara përfundimit të inventarizimit (pra bazuar në të dhëna jo të përditësuara). Kuadri ligjor përbëhet nga rreth 30 akte ligjore e nënligjore, ku ligji për pyjet dhe shërbimin pyjor ka pësuar 7 ndryshime, që nga momenti i miratimit në 2005, duke shkaktuar edhe pasiguri juridike. Është bërë decentralizimi I qeverisjes së pyjeve; aktualisht janë 61 bashki, që kanë marrë në pronësi pyje e kullota publike, ndërkohë që 15 % e fondit pyjor është përfshirë si zonë e mbrojtur nën AKZM. Në janar 2016 u miratua Moratoriumi i Pyjeve, për të frenuar situatën e shkatërrimit të pyjeve. Problematikat kryesore me të cilat përballet sektori i pyjeve, lidhen me rregullimin e marrëdhënieve, shfrytëzimin e lëndës drusore, financimin e pamjaftueshëm, mungesën e informacionit dhedijes, prirjen e mbishfrytëzimit dhe nën vlerë të produkteve jodrusore, investime të pakta në infrastrukturë e shërbime mirëmbajtjeje, etj.
Për arsyet e mësipërme MTM inicioi procesin e hartimit të një dokumenti politik për menaxhimin e qëndrueshëm të fondit pyjor, proces që u finalizua me Dokumentin e Politikave afatgjata për Pyjet në Shqipëri (me kohështrirje 2019- 2030), përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) me mbështetjen e Qeverisë Suedeze, që ka mbështetur Projektin “Mbi kuadrin rregullator të sektorit të pyjeve”, që konsiston në hartimin/miratimin e Dokumentit të Politikave për Pyjet, si dhe të Ligjit të ri sektorial për Pyjet. Ky dokument përmbledh politikat afatgjata për pyjet, duke mos përfshirë kullotat, i shoqëruar me një program masash kryesore për jetësimin e politikave. Qëllimi fundor është mirëqenia, siguria, harmonia e qytetarëve, ndaj çka duam të arrijmë është “kontribut I qëndrueshëm për një jetë më të mirë për shoqërinë sot dhe brezat e së ardhmes”. Vizioni që shohim për “Pyjet që duam”, është ai i “një strehe të gjithëgjelbër, një burimi të qëndrueshëm, një organizmi që jeton dhe një kapitali të paçmuar”.
Misioni që mbartim për Pyjet që duam është “Rivendosja e Ekuilibrit dhe Paqes në Pyje” (ekuilibri i pyjeve me sistemin natyror, me aktivitetin njerëzor, me qeverisjen dhe me shoqërinë). Dhjetë vitet e ardhshme sektori I pyjeve do të udhëhiqet nga vizioni “Pyjet që duam”, nga 4 synime afatgjata, të cilat realizohen nëpërmjet përthyerjes në 12 drejtime të politikave dhe jetësohen nëpërmjet 40 masave konkrete: Synimi Strategjik 1 “Administrimi i Mirë”: Kthimi i trendit pozitiv në Pyje, duke synuar rritje të vëllimit të fondit pyjor me 11 milion m3 ose rreth 20 % më shumë se ai aktual. Konvertuar në sipërfaqe pyjore të rigjeneruar kjo përkthehet në 7 000 ha pyje të rivitalizuara ose 550 milionë euro më shumë në kontributin e këtij sektori në GDP për 11 vitet e ardhshme. Pozicionimin e pyjeve si prioritet i qeverisjes. Mbulimin me planifikim dhe regjistrimin e të gjithë sipërfaqes së fondit pyjor, rregullimin dhe formalizimin e marrëdhënieve dhe garantimin e qëndrueshmërisë financiare, duke rritur e optimizuar financimin. Synimi Strategjik 2 “Organizim Funksional”: Ngritja, vënia në funksionim dhe fuqizimi i një sistemi organizativ institucional efiçent dhe efikas, nga niveli qendror deri në fshat, që vepron sipas standardeve dhe praktikave më të mira, i organizuar në mënyrë funksionale, me informacion, dije e kapacitete të duhura profesionale e menaxheriale, duke ngritur e mirëmbajtur një bazë të dhënash të plotë e të qëndrueshme, dhe me infrastrukturë e teknologji moderne. Synimi Strategjik 3 “Shfrytëzim i Qëndrueshëm”: Përdorim i burimeve pyjore në mënyrë të qëndrueshme dhe në funksion të zhvillimit të vendit, duke balancuar përdorimet e ndryshme në maksimumin e vlerës që mund të marrim përkundrejt mundësisë që pyjet kanë për të dhënë, pa cënuar vazhdueshmërinë e jetës dhe ciklit të pyllit. Pozicionimin e pyjeve si element qendror në vlerën e paketës turistike, në bregdet, mal, historik apo kulturor, futjen e industrisë përpunuese të produkteve jodrusore si element I rëndësishëm i zhvillimit rural dhe pozicionimin e pyjeve dhe ekonomisë së gjelbër, si burim punësimi dhe garantimi të zhvillimit ekonomik të vendit. Synimi Strategjik 4 “Shërbime Cilësore”: Shërbime cilësore ndaj pyjeve, të integruara në kohën dhe vendin e duhur, duke synuar rritjen e shpejtë, mbrojtjen e duhur, cilësinë e kërkuar, përmirësimin dhe rigjenerimin e hapësirës pyjore aktuale, me synim mbulimin me gjelbërim të gjithë sipërfaqeve të djegura apo të dëmtuara. VKM, që miratoi dokumentin e politikave shoqërohet me draftimin e projektligjit të ri në sektorin e pyjeve, si zbatimi i njërës nga masat për jetësimin e politikës Nr. 2, që i hap rrugë jetësimit të të gjitha politikave dhe masave kryesore në zbatim të tyre, të cilat I adresohen gjendjes aktuale në Shqipëri dhe i përshtaten realitetit ekonomik të vendit.