Lamtumirë peshkim me grep! Peshkatarët do të regjistrohen në shoqata

Lamtumirë gjuetisë artizanale të peshkut, pa rregulla, me mjete lundruese me grepa apo me rrjeta. Qeveria ka vendosur që i gjithë peshkimi me varka të vogla të administrohet me organizata peshkimi.

By admin

Lamtumirë gjuetisë artizanale të peshkut, pa rregulla, me mjete lundruese me grepa apo me rrjeta. Qeveria ka vendosur që i gjithë peshkimi me varka të vogla të administrohet me organizata peshkimi.

Kushdo që do të dalë për gjueti brigjeve të deteve apo liqeneve, me mjete lundruese, duhet të regjistrohet dhe organizohet në shoqata në nivel qarku, ose edhe më të mëdha. Zyrtarisht në vendin tonë janë rreth 200 subjekte të regjistruara, por shkalla e informalitetit, sipas Ministrisë së Bujqësisë është shumë e lartë.

“Në ka sektor peshkimi sot, që është jashtë organizimit, jashtë kontrollit, jashtë monitorimit, jashtë kushteve higjieno-sanitare, jashtë çfarëdolloj parametri, ai është peshkimi i vogël bregdetar, duke filluar nga gryka e Bunes në kepin e Stillos. Ne kemi sot peshkimin që gjuhet, çdo njeri që ka shtëpi para detit kërkon të hyjë në det. Ky ligj thjesht kërkon t’i organizojë ato për të gjitha këto arsye që u përmendën”, tha Arian Palluqi, drejtori i Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë.

Por, ndryshimet në ligjin për peshkimin përfshijnë edhe gjuetinë në det të hapur. Raportimet mbi sasitë e kapura të peshkut do të bëhen që gjatë kohës që anija është në det, përmes një sistemi dhe pajisjeje të re, e cila duhet të vendoset nga të gjitha anijet e peshkimit me detyrim.

“Ka një kosto tjetër shtesë për peshkatarin. Atë detyrim që ai e ka sot për ta bërë me letra, kur vjen në port që dorëzon peshkun, duhet ta bëjë që në det me raportimin elektronik. Kjo pajisje e mundëson”, tha më tej Arian Palluqi.

Sektori i peshkimit në Shqipëri po zgjerohet. Statistikat e vitit 2017 flasin për rreth 8.300 tonë peshk të kapur në ujërat shqiptare.