U organizua sot në Tiranë në Shtëpinë e Europës forumi i parë i organizatave rinore në hapësirën Adriatiko-Joniane, ku i pranishëm ishte ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Ne kemi shumë nevojë që të promovojmë në Shqipëri një brez të ri që promovon natyrën. Kemi ndërmarrë edhe së bashku me përfaqësuesit e BE-së në Tiranë, një sërë nismash të cilat i drejtohen 100% të rinjve për të promovuar atë çfarë është e rëndësishme sot dhe çfarë është fakt biseda botërore; mbrojtja e natyrës. Kemi ndërmarrë me përfaqësues të komunitetit europian në Tiranë, një fushatë shumë të madhe kundër plastikës, kemi ndërmarrë si qeverisje një nismë të re, për ta bërë Shqipërinë vendin e parë europian pa qese plastike në 1 qershor 2020 por për këtë ne nuk mund t’ia dalim dot vetëm me teknikat e vjetra, nuk mund t’ia dalim dot vetëm me vendime qeveritare, vetëm duke ndërmarrë nisma nga pikëpamja administrative”, tha Klosi në fjalën e tij.
Klosi tha se, “duam shumë që ne si rajon, jo vetëm si Shqipëri të promovojmë atë çfarë ne kemi mundësi nëpërmjet festivaleve rinore, aktivizimit rinor, tureve të përbashkëta, lëvizjeve të të rinjve edhe në rajonin jo vetëm të Adriatikut por edhe të Europës juglindore, të kemi mundësi të krijojmë politika të përbashkëta, të njëjta për të rinjtë kudo që janë në rajonin tonë”.
“Ne në Shqipëri kemi organizuar vitin e kaluar për herë të dytë projektin “Smile Albania” që ka qenë një nismë 100% në përputhje edhe me Paktin me Universitetin, ku 1 mijë të rinj të aktivizuar kudo në Shqipëri kanë paraqitur bukuritë e natyrës, kanë promovuar Shqipërinë nëpërmjet buzëqeshjes dhe informacionit në zona të mbrojtura”, vijoi Klosi.
“Por kemi shumë më tepër nevojë që edhe në kuadër të politikave që kemi zhvilluar për të ndërtuar në Shqipëri një strukturë të tërë festivalesh për të rinj europianë, ju si organizata që keni shumë lidhje dhe mundësi promovimi sidomos në rrjetet sociale të këtyre iniciativave, të jeni së bashku, dhe ne si institucione shtetërore t’ju mbështesim e të marrim nga ju rininë, energjinë tuaj por natyrisht edhe kritikën tuaj për çfarë bëjmë apo nuk bëjmë ashtu siç duhet”, përfundoi Klosi.