Gjuetia e paligjshme shënoi rekorde të reja gjatë pandemisë
Importi i armëve të gjahut dhe fishekëve u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2020, ndërsa gjuetia e paligjshme e shpendëve dhe kafshëve të egra nuk kurseu as speciet- pjesë të listës së kuqe.
Në zonën ligatinore pranë fshatit Rinia – 12 kilometra në veri të qytetit të Durrësit, gjuetarët shfaqen në muzg dhe fshihen në fushejëza të ndërtuara mbi cektinë.
Fushejëzat janë platforma të kamufluara të thjeshta të ndërtuara mbi kolona druri, në të cilat gjuetarët fshihen dhe i bëjnë pritë shpendëve të egër. Ato përdoren gjatë ditës dhe natës për t’u fshehur nga gjahu dhe për t’u mbrojtur nga era, duke e bërë vrasjen e presë më të lehtë dhe numrin e shpendëve të vrarë më të lartë.