Sipas gjetjeve të fundit të programit hapësinor të Bashkimit Evropian, është thuajse e sigurt që viti 2024 do të jetë viti më i ngrohtë që është regjistruar ndonjëherë në histori. Ky parashikim erdhi një javë para se diplomatët të mblidhen në Samitin e Klimës COP29 për të diskutuar masa më të rrepta lidhur me frenimin e ngrohjes globale.
Raporti i ri tregon se 2024 ka të ngjarë të jetë viti i parë që e kalon kufirin e 1.5°C (2.7°F) më të ngrohtë krahasuar me periudhën përpara Revolucionit Industrial, një vlerë që ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin shkencor. Ky shënon një moment kyç në regjistrat e temperaturave globale dhe duhet të shërbejë si një katalizator për rritjen e ambicies në konferencën e ardhshme të ndryshimeve klimatike.
Në buletinin e saj të fundit të klimës, agjencia Copernicus theksoi se tetori 2024 ishte tetori i dytë më i ngrohtë që është regjistruar ndonjëherë, vetëm pas tetorit 2023. Temperaturat ishin 1.65°C më të larta se mesatarja para-industriale, duke e bërë këtë muaj të 15-të radhazi në 16 muajt e fundit me temperatura mbi kufirin e 1.5°C të përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit.
Në vitin 2015, liderët botërorë premtonin të ndalonin ngrohjen e planetit mbi 1.5°C deri në fund të shekullit. Por duket se ky objektiv është bërë gjithnjë e më i vështirë për t’u arritur, pasi temperatura mesatare globale po ngrihet gjithnjë e më shpejt, dhe disa shkencëtarë paralajmërojnë se mund të arrijmë vlera të dyfishta përtej këtij kufiri.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se një vit i vetëm mbi këtë kufi nuk do të thotë se është humbur objektivi, pasi matja e rritjes së temperaturës bëhet gjatë dekadave, dhe jo në nivele vjetore. Përkundrazi, ata paralajmërojnë se vazhdimi i kësaj tendence do të detyrojë më shumë popullsi dhe ekosisteme të përballen me kushte ekstreme që do të vënë në rrezik mbijetesën.
Shkrirja e akullit dhe ekstremet e motit
Analizat nga Copernicus zbuluan gjithashtu se akulli i detit në Arktik ka arritur nivelin e tij të katërt më të ulët për muajin tetor, duke qenë 19% nën mesataren, ndërsa shtrirja e akullit të detit në Antarktik ishte gjithashtu 8% nën mesataren për muajin tetor. Këto ndryshime dramatike në shtrirjen e akullit janë një tjetër tregues i pasojave të ngrohjes globale.
Përveç kësaj, Evropa përjetoi një tjetër muaj të dendur me reshje ekstreme. Më 29 tetor, një stuhi shiu e fuqishme goditi komunitetin autonom të Valencias në Spanjë, duke shkaktuar përmbytje katastrofike që morën mbi 200 jetë dhe shkatërruan fshatra të tërë. Po ashtu, reshje të dendura përmbytën pjesë të mëdha të Italisë dhe shkaktuan gjithashtu katastrofa natyrore.
Në Shqipëri, qyteti i Vlorës përjetoi një përmbytje të rëndë më 4 tetor, e cila solli dëme të mëdha ekonomike për qytetarët, pas reshjeve të dendura të papritura që shkaktuan ngjarje të panjohura më parë.
Ndotja dhe efektet e nxehtësisë ekstreme
Një tjetër alarm i fortë për klimën erdhi nga Organizata Meteorologjike Botërore (OMB), e cila njoftoi se përqendrimi i ndotësve klimatikë që shkarkojnë gazra serë në atmosferë ka arritur nivele rekord në vitin 2023. Veçanërisht, dyoksidi i karbonit (CO2) është akumuluar më shpejt se në çdo periudhë tjetër të historisë së njerëzimit. Përqendrimi i tij është rritur me më shumë se 10% në vetëm dy dekadat e fundit, duke nxitur ngrohjen dhe pasuar me fenomene ekstreme të motit që po bëhen gjithnjë e më katastrofike.
Viti 2024 – Të dhënat më të fundit
Duke analizuar të dhënat e fundit të ERA5, duket se 2024 ka të ngjarë të thyejë rekorde të tjera. Pas 10 muajve të vitit, temperatura mesatare globale ka kaluar 1.55°C mbi nivelet para-industriale, dhe pritet që të shkojë edhe më lart. Gjatë dy muajve të mbetur të vitit, për të shmangur që 2024 të jetë më i ngrohtë se 2023, temperatura do të duhet të rrijë në nivele të pa-precedentë, gati në zero.
Përfundimi – COP29 dhe e ardhmja e klimës globale
Gjatë konferencës COP29 në Baku, Azerbajxhan, që do të mbahet në fund të muajit, të dhënat e fundit do të jenë një këmbanë alarmi për rritjen ambicioze to synimeve në kuadër të luftës ndaj ngrohjes globale. Shkencëtarët paralajmërojnë se koha për të vepruar po mbaron. Bashkë me të, edhe koha për të reduktuar ndikimin e katastrofave natyrore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Viti 2024 po na kujton me forcë se lufta kundër ngrohjes globale është urgjente dhe kërkon masa të menjëhershme dhe të koordinuara në nivel global.
Burimi:
Copernicus Climate Change Service