‘Pushtimi i heshtur’/ Alarmohen organizatat mjedisore: Projekti i qeverisë sjell tkurrjen e zonave të mbrojtura

Një projekt i qeverisë për rishikimin e zonave të mbrojtura u vu në lëvizje përmes një tenderi të dyshuar për konflikt interesi dhe po ofron si produkt reduktimin me gati 20% të parqeve kombëtare në bregdet, duke alarmuar organizatat mjedisore të Shqipërisë.

By admin

Një projekt i qeverisë për rishikimin e zonave të mbrojtura u vu në lëvizje përmes një tenderi të dyshuar për konflikt interesi dhe po ofron si produkt reduktimin me gati 20% të parqeve kombëtare në bregdet, duke alarmuar organizatat mjedisore të Shqipërisë.

Në një festë lokale të organizuar në maj në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i shtrirë mbi gati 34 hektarë pyje dhe kullota në verilindje të Shqipërisë, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi paralajmëroi rishikim të kufijve për të gjitha zonat e mbrojtura të vendit.

“Viti 2019 do të shënojë një projekt goxha ambicioz përsa i përket zonave të mbrojtura. Ne do të ridimensionojmë të gjithë kufijtë e zonave të mbrojtura për t’u dhënë atyre vlerë,” premtoi Klosi nga një podium i improvizuar.

Por gjashtë muaj pas shpalljes së “projektit ambicioz”, dokumentet e siguruara nga BIRN dhe intervistat me ekspertë mjedisorë tregojnë se projekti u vu në lëvizje përmes një tenderi të dyshimtë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, AKZM dhe po ofron si produkt reduktimin e zonave të mbrojtura përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë.

Procesi i diskutimeve për rishikimin e zonave të mbrojtura po udhëhiqet nga AKZM dhe një shoqatë e vogël e quajtur Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë, e cila në qershor u shpall fituese e një tenderi prej 32.4 milionë lekësh për të realizuar një studim kombëtar të zonave të mbrojtura të vendit.

Shoqata fituese rezulton e lidhur me një tjetër organizatë mjedisore, e cila është drejtuar për 7 vjet nga drejtori aktual i AKZM, Zamir Dedej, duke ngritur pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi.

Hartat dixhitale të prezantuara në një raund takimesh publike tregojnë se qeveria ka në plan të reduktojë ndjeshëm zonën Bunë-Velipojë, parkun natyror Kunë-Vain-Tale në Lezhë, parkun kombëtar Divjakë-Karavasta si dhe peizazhi i mbrojtur Vjosë-Nartë, brenda kufijve aktualë të së cilit shtrihet edhe projekti i qeverisë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Trembëdhjetë zona të tjera me sipërfaqe prej qindra hektarësh pasuri natyrore pritet të dalin jashtë listës së zonave të mbrojtura, ndërkohë që drejtuesit e projektit pretendojnë se në total po rrisin sipërfaqet e mbrojtura të vendit.

Procesi i rishikimit të zonave të mbrojtura ka alarmuar aktivistët dhe organizatat mjedisore, të cilat e konsiderojnë atë të nxituar dhe jotransparent. Mjedisorët ngrejnë gjithashtu dyshime se projekti po shtyhet përpara nga presioni për projekte private në tokat publike në bregdet dhe paralajmërojnë dëme të pakthyeshme mbi vlerat natyrore të vendit.

“Reduktimi me afërsisht 21% i zonave të mbrojtura që shtrihen përgjatë eko-rajonit bregdetar, do të krijojë një presion të shtuar në të ardhmen, duke i hapur rrugë projekteve të zhvillimit intensive dhe urbanizimit,” tha Olsi Nika, drejtor i Eco Albania.

“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, Parku i Mbrojtur Vjosë-Nartë etj., reduktohen në mënyrë të konsiderueshme sipas propozimit të AKZM-së, aq sa vihet në pikëpyetje vetë funksionaliteti i proceseve dhe integriteti ekologjik i tyre,” paralajmëroi ai.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej nuk iu përgjigj pyetjeve mbi përzgjedhjen e një shoqate thuajse të panjohur për të udhëhequr procesin dhe as atyre që lidhen me konfliktin e interesit.

Drejtuesi i Shoqatës Kombëtare të Parqeve, Genci Kacori mohoi për BIRN të kishte lidhje me Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, INCA dhe për rrjedhojë edhe me Dedejn. I pyetur për ekspertizën e shoqatës së tij, Kacori u përgjigj se kishte drejtuar pak projekte dhe përmendi  vetëm tre të tilla, përpara se të fitonte tenderin për studimin e zonave të mbrojtura.

Studimi në “konflikt interesi”

Rrjeti i Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë përbën rreth 17% të territorit të Republikës –me rezervate natyrore të trashëguara nga regjimi komunist si dhe parqe e monumente natyrore, të cilat e fituan statusin e tyre të mbrojtjes pas viteve ’90.

Megjithatë, një pjesë e këtij rrjeti është dëmtuar përgjatë tre dekadave të fundit për shkak të lënies në mëshirë të fatit apo projekteve të miratuara nga qeveritë në shkelje të legjislacionin në fuqi.

Iniciativa për rishikimin e rrjetit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri konsiderohet një proces i nevojshëm dhe normal për vendet që duan të ruajnë parametra të mirë për mjedisin. Megjithatë, projekti i qeverisë është i mbuluar nga dyshimet për shkak të ngutit dhe mungesës së studimeve serioze.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ia besoi studimin një shoqate pa eksperiencë të dukshme në fushën e mjedisit, përmes një tenderi që ngre dyshime për konflikt të mundshëm interesi.

Më 5 qershor 2019, AKZM publikoi tenderin me fond limit prej 33.3 milionë lekësh [rreth 273 mijë euro] për “studimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri” dhe shpalli fituese Shoqatën Kombëtare të Parqeve të Shqipërisë me një ofertë prej 32.4 milionë lekësh.

Shoqata Kombëtare e Parqeve ishte “de facto” ofertuesi i vetëm në garë. Dy kompanitë e tjera, Vaya International me seli në fshatin Kriçkovë të Korçës dhe studioja e projektimit Archnet360 nuk paraqitën asnjë ofertë dhe nuk dorëzuan dokumente për të mbështetur aplikimin e tyre në AKZM.

Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë drejtohet nga inxhinieri i pyjeve, Genci Kacori dhe në dokumentet e tenderit ka deklaruar si adresë rrugën “Islam Alla”, Pallati i Verdhë, nr. 3/6, kati i parë në Tiranë. Por kërkimet për zyrat e kësaj shoqate e çuan BIRN në selinë e një tjetër organizate mjedisore në Tiranë, të quajtur Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, INCA.

Ndryshe nga Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë, INCA operon në Shqipëri prej vitit 2000. INCA është drejtuar nga kreu aktual i AKZM-së, Zamir Dedej nga viti 2008 deri në momentin që ai u emërua në postin publik, në vitin 2015.

Në njërën prej zyrave të INCA-s, në fasadën e pasme të një pallati me ngjyrë të verdhë në rrugën “Islam Alla” në Tiranë, një punonjës në mesomoshë flet në telefon pas një tavoline të tejmbushur me dokumente. Pyetjes se ku ndodhet Shoqata Kombëtare e Parqeve, ai i përgjigjet “këtu është” dhe pasi ndërpret bisedën në telefon, tregohet i gatshëm për të ndihmuar.

“Gencin kërkoni?” pyet dhe niset menjëherë ta thërrasë në zyrën ngjitur.  Pasi i thonë se Genci Kacori nuk ndodhet në zyrë, ai e merr në telefon dhe i përcjell kërkesën për t’u takuar për të folur mbi studimin e zonave të mbrojtura.

“Nuk do të vijë pasdite në punë,” na thotë ftohtë pasi mbyll telefonin. Ai nuk pranoi gjithashtu të japë numrin e kontaktit, me pretendimin se nuk ishte i autorizuar.

Genci Kacori e konsideroi ‘rastësi’ praninë e tij në zyrat e Institutit në një bisedë telefonike me BIRN dhe mohoi kategorikisht të kishte punuar ndonjëherë për INCA.

Ai u tregua konfuz për kohën kur e kishte themeluar Shoqatën Kombëtare të Parqeve, ndërkohë që i pyetur për ekspertizën e saj, Kacori tha se kishte implementuar tre projekte përpara se të fitonte tenderin e AKZM.

“Kemi marrë pjesë në përgatitjen e akteve nënligjore për zonat e mbrojtura, kemi realizuar një projekt ndërgjegjësimi me nxënësit e shkollave në Librazhd si dhe një projekt tjetër për marështimin e pyjeve në zonat pilot,” tha Kacori.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej është lakuar edhe më parë nga përfaqësues të opozitës për transferim fondesh në drejtim të organizatës mjedisore që ka drejtuar si President për gati 7 vjet. Dedej nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për përzgjedhjen e Shoqatës Kombëtare të Parqeve deri në publikimin e këtij shkrimi.

Reduktimet në bregdet

Vija bregdetare është një ndër zonat më të lakmuara në Shqipërinë e tranzicionit, duke u bërë shpeshherë objekt i grabitjeve dhe falsifikimeve masive me pronat. Në vitet e fundit nën promovimin e qeverisë “Rama”, ka një presion të shtuar për projekte zhvillimi nën statusin e “investitorit strategjik” në bregdet, të cilat kanë targetuar edhe tokat publike brenda zonave të mbrojtura.

Gati dy vjet më parë, një grup prej dymbëdhjetë organizatash mjedisore kundërshtuan pa ndërprerje iniciativën e të ashtuquajturit “investitor strategjik” MABETEX, për ngritjen e një resorti të madh turistik në Parkun Ligatinor Divjakë-Karavasta, e projektuar pjesërisht në zonën e tij qendrore.

Pas protestave të vazhdueshme, Komiteti i Investimeve Strategjike vendosi në prill 2019 të refuzojë kërkesën e kompanisë Mabetex të ish-ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli për një koncesion të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta.

‘Ribërja’ e kufijve të zonave të mbrojtura duket si pushtim i heshtur i bukurisë natyrore të Shqipërisë.   Pas njohjes me kufijtë e rinj të propozuar të zonave të mbrojtura, 21 shoqata mjedisore kërkuan një takim konsultativ me ministrin Blendi Klosi përmes një letre më 6 nëntor, ku ngrihen gjithashtu dyshime dhe pikëpyetje se procesi po kryhet nën presionin gjithnjë e në rritje për aktivitete ekonomike.

“Në shumicën e rasteve, këto projekte po kërkojnë hapësira në Zonat e Mbrojtura bregdetare, ku pjesë të mëdha të territorit janë dhe prona shtetërore,” thuhet në letrën dërguar Klosit.

“…këto janë pikërisht dhe sipërfaqet natyrore më me vlerë në Shqipëri dhe të shpallura si zona të mbrojtura të rëndësisë ndërkombëtare përfshirë Zona Ramsar, Zona Emerald, Zona të Rëndësishme për Shpendët (IBA), Zona Kyçe të Biodiversitetit (KBA) dhe Zona Pilot Natura 2000,” shtohet në letër.

Nga hartat dixhitale bie në sy prirja për të zvogëluar hapësirën e zonave të mbrojtura bregdetare, të tilla si Bunë-Velipojë; Kune-Vain-Tale; Patok-Fushë Kuqe; Divjakë-Karavasta; Delta Vjosë-Nartë apo Butrint -vende këto të lakmuara për turizëm. Ekspertët thonë se parashikohet një reduktim me gati 20% e sipërfaqes së tyre, nën justifikimin se janë hapësira urbane apo toka bujqësore që nuk përmbajnë vlera natyrore.

“Asnjë vend nuk do të guxonte ta bënte një gjë të tillë, a priori,” tha për BIRN specialisti i Mjedisit, Prof. Aleko Miho, përgjegjës i Grupit të Botanikës te Departamenti i Biologjisë.

“Mjedisorët vendas dhe ndërkombëtarë, madje dhe vetë KE që kërkojnë që Shqipëria të shtojë hapësirat e mbrojtura, dhe të shpallë të vetmin Park Lumor të Europës! Këmbana që bien në vesh të shurdhër, për fat të keq,” shton ai.

Profesori Aleko Miho kujton se procedura për shpalljen e një zone të mbrojtur paraprihet me një studim disavjeçar të një grupi të gjerë ekspertësh dhe sipas tij, procesi i kundërt nuk mund të ndodhë brenda ditës.

Ai kundërshtoi gjithashtu propozimin për heqjen nga lista e zonave të mbrojtura të Parkut Natyror të Rrushkullit (649.76 ha; shpallur në 1995), ndër njollat e rralla që kanë mbetur në gjithë bregdetin shqiptar të pyllit riparian Mesdhetar dhe të pyllit të përzier alluvial apo Parkun Natyror të Levanit (198.24 ha, 1977), e cila është ndër njollat e pakta të dushkajave të mbetura në vend.

Ekspertët ndajnë të njëjtin mendim edhe për Pyllin e Maliqit (44.6 ha; 1996; Monument Natyre), si një njollë relikte e ish- kënetës së dikurshme apo monumentin natyror të Ujit të Ftohtë, Tepelenë (1996; 327.93 ha), i konsideruar një simbol i natyrës.

“Fshirje përmes shtimit” 

Ndërkohë që planet për reduktimin domethënës të zonave të mbrojtura në bregdet po ecin përpara, ekspertët mjedisorë janë turbulluar nga premtimet për të shtuar hapësira të reja për mbrojtje me mëtimin se po shtohet sipërfaqja e mbrojtur në vend në mbi 20% të territorit.

Po çfarë po ndodh? Prej vitesh nuk rresht përpjekja e opinionit shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar për ta bindur qeverinë shqiptare të mbrojë lumin Vjosë nga digat, nga ndërtimi i HEC-eve dhe plane të tjera ndërtimore në dëm të ekosistemit lumor të rrallë me rëndësi europiane.

Hidrologët dhe komuniteti i shkencëtarëve promovojnë se lumi i Vjosës në të gjithë rrjedhën dhe degët e tij është një pasuri natyrore me vlera të mëdha hidrologjike, sedimentologjike, biodiversiteti. Ata kërkojnë shpalljen e Parkut Kombëtar të parë të Lumit të Egër të Europës.

Por në projektin e AKZM, llogaritet që vetëm rrjedha e sipërme e lumit Vjosë të hyjë në pjesën e Zonave të Mbrojtura, ndërkohë që ekspertët theksojnë se vlerat më të veçanta gjenden në rrjedhën e mesme e lumit [nga Tepelena deri në urën e Mifolit], pjesa më e rrezikuar nga projektet e HEC-eve.

Drejtori i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë, Taulant Bino kërkoi më shumë transparencë dhe përgatitje nga grupi i punës, ndërsa theksoi në një intervistë për BIRN se procesi duhet konsultuar me një gamë të gjerë ekspertësh.

“Grupi i ngushtë i punës duhet të verë në dispozicion cilat janë rishikimet që mendohet të bëhen në sistem, zvogëlimet, fshirjet apo zgjerimet me zona të reja, që edhe ne të jemi sa më konkretë në mendimet tona dhe t’i ndihmojmë më mirë. Pasi në ftesat e deritanishme jemi hasur me papërgatitje të këtyre strukturave,“ tha Bino për BIRN.

“I gjithë procesi ka nevojë për të ftuar dhe dëgjuar një gamë të gjere ekspertësh, që jo thjesht i njohin qartë Zonat e Mbrojtura, madje edhe ato që janë potencialisht për t’u mbrojtur në të ardhmen e afërt, por që dinë mirë dinamikën e zhvillimeve gjatë gjithë këtyre viteve tranzicioni,“ shtoi ai.

Edhe drejtori i Eco Albania, Olsi Nika e kritikoi procesin si të nxituar, të pakonsultuar dhe jorealist.

“Edhe pse një pjesë të vogël të zonave rrjeti i ka trashëguar nga e kaluara dhe i ka bërë pjesë të tijën pothuajse a priori, pjesa më e madhe e tyre janë shpallur si Zona të Mbrojtura në kuadër të një procesi që konsiston në gjenerimin e të dhënave shkencore të grumbulluara përmes kërkimit shkencor në terren,” përfundoi Nika.