Refuzohet projekti i Mabetex për betonizimin e Divjakës

Qeveria shqiptare ka vendosur, gjashtë muaj më parë, të refuzojë projektin e kompanisë Mabetex për…

By admin

Qeveria shqiptare ka vendosur, gjashtë muaj më parë, të refuzojë projektin e kompanisë Mabetex për ndërtimin e pallateve në parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta por vendimi mësohet se është publikuar vetëm pak ditë më parë. Disa organizata mjedisore e konsideruan vendimin si një fitore të madhe në mbrojtje të natyrës.

Komiteti i Investimeve Strategjike, ka vendosur në prill të këtij viti të refuzojë kërkesën e kompanisë Mabetex të ish-ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli për një koncesion të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta me synimin e ndërtimit të pallateve shumëkatëshe dhe vilave në brendësi të parkut. Vendimi, i cili u mor në bazë të një ligji kontrovers të quajtur “Ligji i Investimeve Strategjike” i vitit 2015, është firmosur nga kryeministri Edi Rama, por publikimi i këtij vendimi mësohet se është bërë vetëm pak ditë më parë, në nëntor 2019.

Shoqata Shqiptare e Ornitologjisë e përshëndeti vendimin në një status në faqen e saj në Facebook më 22 nëntor 2019 si një “fitore e madhe përballë një kërcënimi të madh”.

Mabetex, një konglomerat shumëmiliardësh ndërtimesh nën pronësinë e biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli, propozoi fillimisht më 2017 synimin për të marrë tokën nën pronësi publike përgjatë bregut të detit pranë lagunës së Karavastasë në bashkinë Divjakë me synimin për të ndërtuar një seri pallatesh e hotelesh me vlerë investimi të premtuar prej 1 miliardë dollarësh.

Aktivistët mjedisorë protestuan ndaj planit duke e quajtur atë një shkatërrim për parkun kombëtar, një nga komplekset ligatinore më të rëndësishme në bregun e Adriatikut si dhe një nga pikat më perëndimore të banuara nga Pelikani Kaçurel, një specie vazhdimisht e rrezikuar të zhduket.

Për aktivistët, ishte veçanërisht shqetësuese përmasa e jashtëzakonshme e ndërhyrjes betonizuese në një park kombëtar, përfshirë pallate, rrugë e porte, në një zonë ku aktualisht gjenden vetëm disa ndërtesa një apo dy-katëshe si dhe disa lokale modeste peshkatarësh.

Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, “tipologjia e projektit të paraqitur nuk është në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe legjislacionin për zonat e mbrojtura.”

Komiteti i Investimeve Strategjike është krijuar në bazë të një ligji kontrovers të vitit 2015 të quajtur “Ligji mbi investimet strategjike,” në bazë të së cilit, komiteti, i drejtuar nga kryeministri, i jep kompanive të caktuara privilegje të shumta, përfshirë privilegjin për të shpronësuar pronat private në rast se ato bien në llokmën e synuar nga investitori strategjik.

Vendimet e këtij komiteti teorikisht duhet të publikohen në një vend të veçantë të quajtur “regjistri” i investimeve strategjike. Siç vërehet në rastin konkret, ky regjistër nuk ka funksionuar përgjatë muajve të fundit.