PNUD ka prezantuar Raportin global për Zhvillimin Njerëzor: “Përtej të ardhurave, përtej mesatareve, përtej të sotmes: pabarazitë në zhvillimin njerëzor në shekullin e 21te”
Shqipëria renditet në vendin e 69-të nga 189 shtetet dhe territoret e përfshira në Raportin e Zhvillimit Njerëzor për vitin 2019. Pabarazitë në zhvillimin njerëzor nuk kanë të bëjnë vetëm me pabarazitë në të ardhura dhe pasuri. Raporti i Zhvillimit Njerëzor për vitin 2019 (HDR) studion pabarazitë në zhvillimin njerëzor përtej të ardhurave, përtej mesatareve dhe përtej të sotmes.
Aktualisht Shqipëria kualifikohet si një vend me zhvillim të lartë njerëzor. Nga viti 1990 deri në vitin 2018, vlera e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) në vend është rritur nga 0,644 në 0,791, një rritje prej 23,0 për qind. Jetëgjatësia e pritshme në lindje është rritur me 6,6 vjet, vitet mesatare të shkollimit janë rritur me 2,2 vjet dhe vitet e pritshme të shkollimit janë rritur me 3,6 vjet. Të ardhurat kombëtare bruto (AKB) janë rritur me rreth 178,6 për qind nga viti 1990 deri në vitin 2018. Kur vlera ulet për shkak të pabarazisë, HDI-ja e Shqipërisë bie në 0,705, që do thotë një ulje prej 10,9 për qind.
Sipas raportit, ndërsa vendet me të ardhura mesatare të Evropës dhe Azisë Qendrore kanë arritur standarde më të larta jetese se kurrë më parë, ndryshimet klimatike dhe problemet teknologjike mund të ngadalësojnë në mënyrë drastike përpjekjet e tyre për reduktimin e pabarazive
Raporti i plote mund te shkarkohet ketu: http://www.hdr.undp.org/