Studimi i 2013 / Harta e re sizmike dhe një thirrje që u injorua

Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof.Dr.Eduard Sulstarova, Prof.Dr.Shyqyri Aliaj, Prof.Dr.Siasi Koçiu…

By admin

Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof.Dr.Eduard Sulstarova, Prof.Dr.Shyqyri Aliaj, Prof.Dr.Siasi Koçiu dhe Prof.Dr.Betim Muço, i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike që shoqëronin botimin e tyre të përbashkët “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.

Kur e prezantuan këtë studim para mediave ata i bënë thirrje qeverisë që ti bënte hartat e reja si kusht normativ për të gjitha ndërtimet.

Hartat e reja duhet të zëvendësonin hartën sizmike të viteve 80 që sot e kësaj dite është ende në fuqi.

Vendi u godit përgjatë dy muajve të fundit nga 2 tërmetet më të fuqishme të 40 viteve të fundit.

Disa projektues pohojnë se hartat e reja të krijuara nga katër profesorët e njohur sot përdoren si udhëzues për disa ndërtues, por ato nuk janë të detyrueshme, për shkak se ligji nuk i njeh.

“Pretendojmë dhe kërkojmë nga qeveria që këto harta të futen, si kusht normativ për të gjitha ndërtimet antisizmike që bëhen në Shqipëri dhe të zëvendësojnë hartën sizmike të vendit e viteve ’80, që është edhe sot në fuqi”, – tha Sulstarova në vitin 2013.

Katër akademikët në botimin e tyre kanë veçuar se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80%, mund të ndodhë çdo 30-40 vjet tërmet Ms=7.1.

Në studim autorët kanë hartuar 12 harta të rrezikut sizmik probabilitar të Shqipërisë, vlerat e rrezikut sizmik për 370 bashki e komuna, si edhe vlerat e plota spektrale për 36 qytete.

Rezultatet e këtij vlerësimi probabilitar të rrezikut sizmik duhet të shërbejnë si bazë për kodin e ri të ndërtimeve antisizmike në vend, duke zëvendësuar Hartën e Rajonizimit Sizmik të Republikës së Shqipërisë në shkallën 1:500.000, miratuar nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 1979, e cila është ende në fuqi.

9 zonat e burimeve sizmike sipas studimit të 4 akademikëve:

Zona Lezhë-Ulqin me Mmax=7.0

Ultësira PranëAdriatike me Mmax=6.9

Bregdeti Jonian me Mmax=7.0

Korçë-Ohër me Mmax=6.9

Elbasan-Dibër-Tetovë me Mmax=6.9

Kukës-Peshkopi me Mmax=6.5

Shkodër-Tropojë me Mmax=6.5

Pejë-Prizren me Mmax=6.8

Zona e Shkupit me Mmax=6.5