Klima: Shqipëria të synojë objektiva të reja për uljen e shkarkimeve

Konferenca e palëve në Madrid COP25 është përballur me një presion të shtuar nga grupet mjedisore dhe qeveritë e shumë vendeve të vogla të cënuara nga ndryshimet klimatike për detyruar vendet të ndërmarrin masa emergjente për të ulur më tej shkarkimet e gazeve serë.

By admin

Konferenca e palëve në Madrid COP25 është përballur me një presion të shtuar nga grupet mjedisore dhe qeveritë e shumë vendeve të vogla të cënuara nga ndryshimet klimatike për të detyruar vendet të ndërmarrin masa emergjente për të ulur më tej shkarkimet e gazeve serrë.

Në këtë kuadër, vendet e BE-së pritet të bëjnë hapa të shpejtë drejt arritjes së Marrëveshjes së Gjelbërt për Klimën deri në takimin e ardhshëm Glasgou 2020. Komisioni Evropian bëri një prezantim të përgjithshëm të Marrëveshjes së Gjelbër për Klimën.

Sipas propozimit, objektivi i rritur për klimën i BE-së për 2030 do të paraqitet deri në verën e vitit 2020. Ky afat kohor do t’u kërkojë shteteve anëtare të bien dakord për një objektiv shumë më të lartë për 2030 në Këshillin Evropian në Qershor 2020, i cili do të jetë thelbësor për t’i mundësuar BE-së të drejtojë ndërkombëtarisht rrugën për zbatimin e masave për klimën.

Në Marrëveshjen e Parisit, të gjitha vendet u përkushtuan për të paraqitur në Kombet e Bashkuara objektiva të reja për klimën, të paktën deri në samitin e ardhshëm në nëntor 2020, COP26 në Glasgou. Duke pasur parasysh emergjencën e klimës dhe kapacitetet dhe përgjegjësitë e grupeve mjedisore për të vepruar, këto grupe kanë shtuar presionin mbi BE-në për të rritur objektivat për uljen e shkarkimeve me 65% deri në 2030 dhe për të rënë dakort për të pasur një bilanc zero të shkarkimeve deri në 2040.

Hartimi i një objektivi të ri për klimën me rritje në mënyrë të konsiderueshme për 2030 deri në verën e vitit 2020 do të linte shumë pak kohë për vendet anëtare të BE-së për të negociuar dhe miratuar këtë objektiv në kohë.

Në Samitin e Parisit, edhe Shqipëria ka paraqitur si objektiv të saj uljen me 11.5% të shkarkimeve të gazeve serë deri në 2030, duke përdorur si vit të referencës 2016, e barabartë me 708 kT shkarkime të CO2. Diskutimi ndërmjet specialistëve të sektorëve që shkarkojnë më shumë, vlerësojnë se vendi ynë ka ende kapacitete dhe mundësi reale për të rritur edhe më shumë objektivin e tij. Përdorimi i burimeve të energjisë së rinovueshme, rritja e eficencës energjetike në sektorët e transportit, ndërtimit, etj apo të masave konkrete për ripyllëzime në sipërfaqe të gjera dhe menaxhim të mirë të mbetjeve janë vetëm disa nga zhvillimet e sektorëve të vendit ku zhvillimi dhe progresi të ketë objektiva dhe ngjyra të qarta pro mjedisore.

Masat për të adresuar krizën e klimës duhen marrë seriozisht edhe nga vendet e vogla si Shqipëria për shkak se ndryshimet klimatike nuk njohin kufij administrativë. Për më tepër vendet si i yni kanë kapacitete të pakta dhe të kufizuara për t’u përballur me efektet shkatërruese ekonomike, sociale dhe mjedisore te ndryshimeve klimatike.

Qendra Burimore e Mjedisit Shqipëri ka ndërmarrë nismën e krjimit të një platforme organizatash mjedisore shqiptare, të cilat me mbështetjen e organizatave homologe për klimën si CAN Europe, të synojnë që edhe Shqipëria ti bashkohet vendeve të tjera evropiane në vendosjen e objektivave më ambiciozë për uljen e shkarkimeve të gazeve serë.