Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, prezantoi sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin raportin e vitit 2019 të Sekretariatit për Shqipërinë.
Raporti përmban të dhëna mbi shkallën e zbatimit të normave dhe standardeve të dakordësuara bashkërisht nga vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë.
Në fokus të raportimit të ecurisë së zbatueshmërisë së rekomandimeve dhe prioriteteve të Komunitetit ishin fushat si vijon: elektriciteti, gazi, autoritetet kombëtare, nafta, energjia e rinovueshme, eficienca energjetike, mjedisi, ndryshimet klimatike, infrastruktura dhe sektori i statistikave.
Për Koprac, referuar raportit të Komunitetit të Energjisë, implementimet në sektorin e statistikave, energjisë së rinovueshme dhe elektricitetit janë në nivele shumë të avancuara. Në fazë fillestare është zbatimi i rekomandimeve në sektorin e gazit dhe paraqitja është pozitive. Mbeten përmirësime të mëdha për t’u bërë në sektorin e infrastrukturës.
Ukraina, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Moldavia, Kosova, Gjeorgjia dhe Bosnje-Hercegovina janë shtetet e tjera subjekte të raportit mbi nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Komunitetit të Energjisë.
Në prezantimin e Kopac, pjesë e tryezës së komisionit parlamentar u bënë edhe drejtues dhe përfaqësues të ministrisë, agjencive dhe drejtorive të linjës: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ERE, OSHEE, KESH, OST dhe AKBN.